Nga PPE rezolutë për Belerin, Rama: Të painformuar

Shqipëria

Nga PPE rezolutë për Belerin, Rama: Të painformuar

Më: 5 shtator 2023 Në ora: 21:19
Kryeministri Edi Rama në konferencë shtypi

Greqia vijon trysninë ndaj Shqipërisë për rastin e kryebashiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri, i cili ndodhet në paraburgim, në pritje të gjykimit, nën akuzat për shitblerje votash. Partia NeaDemokratia e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis, e ka ngritur këtë çështje në asamblenë e Partive Popullore europiane (grupimi i forcave të djathta) ku është miratuar dhe një rezolutë mbi Shtetin ligjor në Shqipëri, e cila trajton rastin e Fredi Belerit. Sipas një postimi në rrjetin social X, Partitë popullore europiane i bëjnë “thirrje autoriteteve shqiptare që të respektojnë rezultatin e zgjedhjeve në Himarë dhe të vijojnë procedurat për betimin e kryebashkiakut të zgjedhur”.

Njoftimit i është kundërpërgjigjur, po në rrjetin social X, kryeministri Edi Rama. Jo pa ironi, zoti Rama shkruan: “Interesante! "Ne i bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare"... Një thirrje pa specifikuar se për cilat autoritete dhe, me siguri, pa qenë të informuar se në këtë rast problemi nuk është rezultati i zgjedhjeve, por i gjykatave, të cilat e kanë refuzuar një kërkesë të tillë”.

Kryeministri shjegon më tej se është i bindur se bëhet fjalë për mungesë informacioni, pasi në të kundërt sipas tij “do të ishte vërtetë shqetësuese nëse Partia e madhe Popullore Europiane do të kalonte një rezolutë me titullin "Sundimi i Ligjit" për të kërkuar një rezultat tjetër nga ai që është vendosur nga Prokuroria Speciale për Korrupsionin e Krimin e Organizuar dhe Gjykatat Speciale me të njëjtën emër”. Zoti Rama vë në dukje më tej, se “këto institucione u themeluan me mbështetje të plotë nga BE-ja dhe SHBA-të, dhe ndihmohen ngushtësisht nga SHBA-të dhe BE-ja në punën e tyre deri këtu mbresëlënëse kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”. Kryeministri shqiptar shprehet i gatshëm që “nëse është e nevojshme, të sigurojmë udhëheqjen e lartë të PPE-së me informacion mbi këtë çështje në çdo format dhe në çdo kohë”.

Autoritetet më të larta greke po kërkojnë me këmbëngulje që zotit Beleri, t’i jepet mundësia që të bëjë betimin, për të përmbyllur kështu të gjithë procesin e njohjes së tij si kryetar i Bashkisë së Himarës, shoqëruar me kërcënimet për bllokimin e rrugëtimit të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE. Madje dy javë më parë, kryeministri grek, shmangu haptazi një ftesë për zotin Rama në një darkë informale në Athinë me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit, të organizuar më rastin e përvjetorin të samitit të Selanikut në vitin 2003, i cili pati në fokus pikërisht zgjerimin me shtetet e rajonit.

Zoti Beleri u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit. Një arrestim të cilin Athina e konsideron si të motivuar politikisht duke kërkuar dhe lirimin e tij. Por kryeministri Rama e ka bërë të qartë se kjo është një çështje që i përket Drejtësisë dhe se ai nuk mund të pranojë asnjë ndërhyrje ndaj saj. “Asnjë lloj interference, ngado që të vijë mbi sistemin e drejtësisë, nuk do të gjejë, jo përkrahjen, por nuk do të gjejë as mirëkuptimin tonë. Ne nuk ndërhyjmë në çështjet e sistemit të drejtësisë. Ne nuk i komentojmë vendimet e organeve të reja të drejtësisë”, deklaroi pak ditë më parë kreu i Qeverisë shqiptare./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat