Kapja e Bajrit/ “E bënë francezët, pa partnerët s’do të kishin ndodhur shumë arrestime”, Noka bën akuzën e rëndë: Policia shqiptare truprojë e killerave

Shqipëria

Kapja e Bajrit/ “E bënë francezët, pa partnerët s’do të kishin ndodhur shumë arrestime”, Noka bën akuzën e rëndë: Policia shqiptare truprojë e killerave

Më: 7 shtator 2023 Në ora: 14:54
Deputeti i PD-së Flamur Noka

Deputeti i PD-së Flamur Noka deklaroi sot se Behar Bajri i arrestuar nga francezët është shembulli më tipik i rënies së shtetit përballë krimit, i bashkëpunimit të pushtetit me kriminelet.

Noka theksoi se pa shërbimet e sigurisë apo të inteligjencës së vendeve partnere nuk do të kishte ndodhur ky arrestim, dhe as shumë të tjerë para tij.

Sipas tij, që nga dosja e Saimir Tahirit e këtej, çdo zhvillim domethënës në kapjen e elementëve të inkriminuar ka vulën dhe vullnetin e vendeve partnere.

Ai akuzoi policinë shqiptare se është kthyer në shërbëtore të krimit, në korrier dhe truprojë e killerave.

DEKLARATA E PLOTË

Arrestimi nga policia franceze i killerit me pagesë Behar Bajri është një lajm i mirë për Shkodrën dhe sigurinë e qytetarëve të saj.
Partia Demokratike përgëzon shërbimet e sigurisë dhe rendit të Francës për arrestimin e një prej rrezikuesve më të mëdhenj të sigurisë, jetës dhe qetësisë në Shqipëri, i përfshirë në krime kundër personit dhe në krime zgjedhore.

Opinionit publik i kujtojmë se pa shërbimet e sigurisë apo të inteligjencës së vendeve partnere nuk do të kishte ndodhur ky arrestim, dhe as shumë të tjerë para tij. Kriminelët dhe zyrtarët e lartë të inkriminuar që gjenden pas hekurave sot janë punë e prokurorive dhe policive belge, austriake, italiane, franceze apo gjermane.
Që nga dosja e Saimir Tahirit e këtej, çdo zhvillim domethënës në kapjen e elementëve të inkriminuar ka vulën dhe vullnetin e vendeve partnere.

Policia jonë, fatkeqësisht është kthyer në shërbëtore të krimit, në korrier dhe truprojë e killerave. Prokuroria zhduk provat, ndërsa gjykata i liron. Behar Bajri i arrestuar nga francezët është shembulli më tipik i rënies së shtetit përballë krimit, i bashkëpunimit të pushtetit me kriminelet.
Kur sheh dhe lexon komunikatën e Policisë së Shtetit, ku del se operacioni për kapjen e tij ishte një ndërmarrje shqiptaro-franceze, e kupton se sa poshtë e ka ulur Taulant Balla prestigjin dhe uniformën e ruajtësve të rendit.
Është dy herë fyese për publikun që nuk ka harruar dhe e ka parë në dosjen ‘Metamorfoza’ se si shefa komisariatesh apo nëndrejtorë policie, shërbenin si spiunë të Bajrëve dhe Pëllumb Gjokës. Ndërkohë që kapitujt e dosjes po zbardhen një e nga një, dhe ngjarja është ende e freskët, Policia del e thotë se e kapën ata Bajrin.
Nga shqiptarët nuk u vjen turp, por as edhe nga kolegët e tyre francezë apo nga ambasada e Francës këtu.
Policia franceze thotë se e kanë kapur Bajrin në Strasburg, policia shqiptare thotë se u kap në Paris. Francezët thonë në lokal, tanët në banesë.

Po të kishin qenë të përfshirë në operacion, siç pretendojnë, të paktën do të dinin vendin ku u kap Bajri.
Nuk kanë qenë dhe as kanë dashur që Bajri të kapet, sepse arrestimi i tij do të thotë dalja e informacioneve të tjera anti-ligjore ku janë përfshirë policë, shefa policie dhe drejtues të shtetit.
Meqë francezët e paketuan Bajrin, Policia, Prokuroria dhe gjykatat kanë vetëm një detyrë: të mos e përcjellin sërish, siç e kanë zakon
.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat