Viti i ri shkollor, Veliaj e Balla takim me strukturat e policisë e administratorët

Shqipëria

Viti i ri shkollor, Veliaj e Balla takim me strukturat e policisë e administratorët

Më: 7 shtator 2023 Në ora: 16:14
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla

Teksa kanë mbetur vetëm 3 ditë nga nisja e vitit të ri shkollor, kreu i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe Ministri i Brendshëm, Taulant Balla  janë takuar me strukturat përgjegjëse të Policisë së Shtetit, Policisë Bashkiake, si dhe me administratorët e shkollave, për planin e sigurisë në shkolla dhe përgatitjet e vitit të ri arsimore.

“Këtë vit do të hapim edhe një buqetë me 10 shkolla të tjera. Do të thotë se, përveçse të zgjidhim problematikën e mësimit me dy turne, kemi krijuar edhe 10 vatra të reja, në të cilat do të ketë grumbullime, lëvizje dhe nevojë për koordinim. Shumica e shkollave, rreth 70 prej tyre, janë qendra komunitare. Kjo do të thotë se duhet të fokusohemi, jo vetëm paradite, kur ka mësimdhënie, por edhe pasdite,” – deklaroi Veliaj.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla e vuri theksin në luftën kundër krimit dhe fenomeneve negative në perimetrin e shkollës.

“Duke filluar nga shitja dhe shpërndarja e lëndëve narkotike dhe më pas me mbajtjen pa leje të armëve të zjarrit, të armëve të ftohta, si dhe çdo vepër tjetër dhune, shfrytëzimi prostitucioni, apo pornografie, ne do t’i rrisim ndëshkimet ndaj gjithë keqbërësve që përfshihen në këto vepra penale brenda perimetrit të sigurisë në shkolla. Objektivi ynë kryesor është, parandalimi pa asnjë kompromis i kriminalitetit dhe i përdorimit të substancave narkotike në radhët e të rinjve, si edhe goditja e rrjetit të shpërndarjes së drogës në perimetrin e sigurisë në shkolla, në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë,” – u shpreh Balla.

Për të lehtësuar trafikun e mëngjesit me nisjen e vitit të ri shkollor rikthehet në fuqi urdhri i Bashkisë së Tiranës për ndalimin e qarkullimit për furgonët që bëjnë transportin e mallrave ushqimore  nga ora 07:00 – 09:00 të mëngjesit. Gjithashtu, nga ora 07:00 e mëngjesit deri në 08:00 të darkës fadroma, betoniere, kamionë, trajlera, nuk do të lejohen, dhe të gjitha kantieret e Tiranës, do duhet të punojnë pas orës 20:00 të darkës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat