Bie ndjeshëm kredia e sektorit të ndërtimit, fluksi i huave ishte 2.4 miliardë lekë në korrik

Shqipëria

Bie ndjeshëm kredia e sektorit të ndërtimit, fluksi i huave ishte 2.4 miliardë lekë në korrik

Më: 8 shtator 2023 Në ora: 00:02
Foto ilustrim

Pas një rritje të fortë në tremujorin e dytë të vitit, sektori i ndërtimit ka frenuar ndjeshëm huamarrjen në muajin korrik. Banka e Shqipërisë raporton se kredia për ndërtimin ra në 2.4 miliardë lekë në korrik, nga më shumë se 3 miliardë lekë në Qershor.

Ndërkohë që në maj, flukset mujore të kredisë arritën në mbi 3.9 miliardë lekë. Muaji në të cilin ky sektor ka qenë më aktiv në kredimarrje ishte dhjetori i viti të shkuar, kur flukset mujore të kredisë për këtë sektor shkuan mbi 4.1 miliardë lekë, apo afërisht 40 milionë euro. Kredia në korrik është dukshëm më e ulët edhe krahasuar me korrikun e vitit të shkuar, kur sektori shënonte flukse mujore huamarrjeje prej mbi 3 miliardë lekësh.

Sektori i ndërtimit ka ndjekur në vija të trasha të njëjtin trend me sektorët e tjerë. Kredia për biznese është rritur mesatarisht me 5% në tremujorin e dytë, duke shfaqur ngadalësim të mëtejshëm me 0.4 pikë përqindje më pak se një tremujor më parë. Zhvillimet brenda segmenteve kryesore tregojnë që norma më të larta të rritjes së kredisë për likuiditete, të cilat kanë kompensuar disi ngadalësimin e mëtejshëm të kredisë për investime. Kështu, kredia për likuiditete u rrit mesatarisht me 6.8% krahasuar me 6.1% në tremujorin e parë. Ndërkohë, kredia për investime u rrit me 3.8% ose 1 pikë përqindje më pak se në tremujorin e parë.

Në total, financimi i bankave për sektorin privat u rrit mesatarisht me 8.1% gjatë tremujorit të dytë, normë kjo 0.6 pikë përqindje më poshtë se rritja vjetore e tremujorit të parë. Ky ngadalësim është vërejtur si te bizneset ashtu edhe te individët. Zhvillimet sipas monedhave tregojnë zhvillime në kahe të kundërta të kreditimit në lekë dhe asaj në valutë. Kështu, norma e rritjes së portofolit të kredisë në monedhën vendase u përshpejtua në 7.1% në muajin qershor, ose 3 pikë përqindje më shumë nga niveli më i ulët që shënoi në muajin shkurt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat