Pagat e gjyqtarëve kushtetues, opozita e ndarë; Basha pro, Berisha e Bardhi kundër

Shqipëria

Pagat e gjyqtarëve kushtetues, opozita e ndarë; Basha pro, Berisha e Bardhi kundër

Më: 17 shtator 2023 Në ora: 16:51
Foto ilustrim

Rritja e pagave për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, ka nxjerrë në pah edhe një herë tjetër ndasitë mes dy grupimeve të Partisë Demokratike.

Ish-nënkryetarja e PD Jorida Tabaku është rreshtuar me qëndrimin e grupit Bardhi dhe atë të Rithemelimit të drejtuar nga Berisha.

Tabaku thotë se vendimi për rritjen me propozim nga qeveria, cenon pavarësinë e këtij institucioni.

“Këto ndryshime për rritje të pagës së Gjykatës Kushtetuese me propozim të qeverisë nuk kanë asnjë lidhje me Reformën në Drejtësi dhe cenojnë jo vetëm pavarësinë e institucioneve të drejtësisë por edhe logjikën e një sistemi hierarkie page që kanë këto institucione”, – shkroi Tabaku në një reagim në rrjetet sociale.

Nëse deputetët që mbështesin linjën e Bardhit bashkë me ata të Berishës u deklaruan kundër kësaj nisme për rritjen e pagave të gjyqtarëve kushtetues, PD zyrtare me Lulzim Bashën në krye kanë paralajmëruar votën pro. Arsyetimi i këtij lloji votimi nga të dyja grupimet është i njëjtë: rritja e pavarësisë së gjyqësorit.

Nëse për grupimin Basha rritja e rrogave të gjyqtarëve kushtetues do rriste automatikisht edhe pavarësinë e tyre nga politika, për grupin Berisha-Bardhi rroga e rritur e gjyqtarëve kushtetuese do e ulë pavarësinë e tyre dhe do rrisë shanset për përdorim nga maxhoranca socialiste.

Vota për miratimin e këtij ligji pritet të ndikojë edhe në votimin që do të bëhet në Kuvend për zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit, një procedurë që shtyhet tashmë prej gati 2 vitesh për shkak edhe të përplasjes brenda opozitës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat