Muzikë estoneze në Gjirokastër/ 40 artistët e një grupi koral, interpretuan muzikën tradicionale

Shqipëria

Muzikë estoneze në Gjirokastër/ 40 artistët e një grupi koral, interpretuan muzikën tradicionale

Më: 23 shtator 2023 Në ora: 12:42
Foto nga vendi i ngjarjes

40 artistë nga Estonia të grupit koral “Kalev” interpretuan në një koncert me pjesë traditcionale estoneze. në qytetin e Gjirokastrës, duke u vlerësuar me duartrokitje nga artdashësit.

Repertori i veçantë i grupit “Kalev”, u gërshetuar me polifoninë e jugut në  një mbrëmje krejt të veçantë kulturore për qytetin.

 “Grupi “Kalev” ka ardhur nga Talin në Estoni, është një kor dhome dhe kryesisht në repertorin tonë sjellim këngë romantike dhe motive kombëtare romantike nga Estonia, kryesisht nga shekulli i 19-të dhe 20-të. Ne gjendemi në një tur në Shqipëri i cili ka nisur nga Tirana dhe duke udhëtuar po shohim shumë rajone të Shqipërisë. U impresionuam nga qyteti dhe arkitektura por edhe nga malet. Në Estoni nuk kemi male kështu që ishte kënaqësi për sytë dhe sfidë për këmbët ngjitja në këtë terren të pjerrët.“-tha Martin Ejnman, dirigjent.

“Ishte një performancë e mrekullueshme pasi u mbështetëm shumë nga audienca. Largohemi me një përshtypjet më të mira nga ky qytet dhe jam e bindur se shumica prej nesh do rikthehen përsëri me familjet e veta për ta parë Gjirokastrën”- tha Elu Poles, artiste.

Përgjatë sezonit të verës në qytetin e Gjirokastrës performuan artistë dhe grupe muzikore me emër të muzikës tradicionale dhe asaj bashkëkohore nga vende të ndryshme të botës.

Eventet me natyrë ndërkombëtare ishin mes ngjarjeve  më të rëndësishme kulturore të këtij sezoni në Gjirokastër dhe arsyeja e tërheqjes së mijëra vizitorëve.

Operatorët turistikë megjithatë mendojnë se një kalendar i paracaktuar vjetor i eventeve do ti shërbente më mirë planifikimin të prurjeve me interesa të veçanta. Më parë gjatë verës Festivali Folklorik Kombëtar u ndoq nga mbi 10 mijë vizitorë dhe sfidoi kapacitetet pritëse të qytetit pasi koha e përgatitjes për eventin ishte vetëm pak muaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat