Shtohen rastet e emigrantëve që tentojnë të kalojnë përmes kufirit të Shqipërisë me Malin e Zi

Shqipëria

Shtohen rastet e emigrantëve që tentojnë të kalojnë përmes kufirit të Shqipërisë me Malin e Zi

Më: 23 shtator 2023 Në ora: 18:07
Foto ilustrim

Policia e Shkodrës dhe ajo e Lezhës parandaluan sot trafikimin e dy grupeve të emigrantëve, të cilët po tentonin kalimin e kundërligjshëm drejt vendeve të Bashkimit europian, duke shfrytëzuar kufirin e Shqipërisë me Malin e Zi.

Gjatë kontrolleve në aksin rrugor “Milot-Lezhë”, policia ndaloi dy automjete me 12 emigrantë, të cilët po transportoheshin kundrejt një pagese prej 500 eurove për person, me qëllim kalimin e kufirit në afërsi të pikëkalimit kufitar Hani Hotit-Bozhaj. Policia bëri të ditur se, 12 emigrantët e shoqëruar ishin nga vende të treta, por pa përcaktuar shtetin nga vinin ato. Policia e Lezhës ka shoqëruar grupin e emigrantëve, ndërsa drejtuesit e dy automjeteve, me të cilët po transportoheshin emigrantët, janë arrestuar.

Të shtunën, në afërsi të pikëkalimit kufitar me Malin e Zi, në Malësi të Madhe, policia arrestoi dy persona të tjerë, të cilët po transportonin me automjetin e tyre tip “Volkswagen” tre emigrantë nga India, në tentativë për të kaluar ilegalisht kufirin me destinacion vendet e BE-së. Policia tha se ka sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, automjetin e dy trafikantëve së bashku me 150 euro, të cilat dyshohet se janë përfituar nga transportimi i emigrantëve.

Një ditë më parë, në fshatin Bregas të Maliqit policia gjeti në një banesë të braktisur 23 emigrantë, të cilët po përpiqeshin të largoheshin drejt vendeve të Bashkimit Europian. Emigrantët po mbaheshin peng nga dy trafikantë vendas, të cilët u kërkonin shumën prej 10 mijë eurosh, në mënyrë që t’i linin të lirë për të vazhduar rrugën drejt kufirit me Malin e Zi.

Me kalimin e stinës së verës po vërehet një shtim i grupeve të emigrantëve që tentojnë të emigrojnë drejt vendeve të Bashkimit Europian duke shfrytëzuar kufirin e Shqipërisë me Malin e Zi. Ata hyjnë në territorin e Shqipërisë përmes kufirit jugor dhe, më pas, i drejtohen kufirit të Malit të Zi duke udhëtuar herë me automjete të rastësishme, kundrejt pagesës për grupet e trafikantëve vendas, dhe herë në këmbë, për t’ju shmangur patrullave të policisë lokale. Prej vitesh, kjo ka

qenë edhe rruga kryesore e emigrantëve përmes territorit shqiptar, të cilët kanë si destinacion emigrimin e jashtëligjshëm drejt vendeve të Bashkimit Europian./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat