Ish-ministri Lleshaj: Qeveria ka rënë në gjendje letargjie, duhen reforma, jo marketing

Shqipëria

Ish-ministri Lleshaj: Qeveria ka rënë në gjendje letargjie, duhen reforma, jo marketing

Më: 30 shtator 2023 Në ora: 19:14
Foto nga vendi i ngjarjes

Ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24 ka folur edhe sa i përket zhvillimeve politike në Shqipëri, duke u ndalur te qeveria dhe opozita.

Sipas tij mungesa e një presioni nga opozita ka bërë që qeveria të jetë në një situatë “letargjie”, ndërsa u shpreh se ky është një handikap serioz për qeverisjen.

I pyetur se cila prej qeverive Rama ishte më e suksesshmja për të, ai u shpreh se “plakja është problem” në raste të tilla dhe se “duhet të ri shpiket vetja”.

Sipas tij kjo mund të bëhet duke u përpjekur vazhdimisht në drejtim të reformave dhe jo duke bërë marketingun e gjendjes aktuale.

Sa i përket opozitës Lleshaj tha se “shkërmoqja” e saj nisi në vitin 2019, ndërsa shtoi se vendi ka nevojë që të krijohen alternativa të reja pa rrënjë të thella në histori.

“Mungesa e opozitës është një handikap kryesor për qeverinë dhe vendin. Mungesa e një presioni nga opozita sjellin një situatë letargjie për qeverinë. Mungesa e opozitarizmit të mirë artikuluar e ka shkaktuar këtë situatë.

Nuk e bëj dot një dallim mes qeverive Rama, pasi fillimi është gjithmonë i lidhur edhe me një ndjenjë entuziazmi. Plakja është problem dhe shpikur e rishpikur vetja. Ajo bëhet nga përpjekja permanente për reformat dhe jo për të bërë marketingun e gjendjes aktuale. Mungesa e këtij nervi ndihet.

Nëse duam të kuptojmë opozitën sot duhet të shohim vitin 2019, pasi atëherë filloi shkërmoqja. Aty opozita u përfshi në një dhunë të paprecedentë ndaj institucioneve. U bë një protestë ku nuk funksionoi ajo që synonin. Të nesërmen dolën nga parlamenti dhe më pas tentuan të futen më dhunë aty. Shkatërrimi i tyre është një gjë pozitive për mendimin tim. Është shkatërruar një mentalitet dhune dhe revolucioni. Është shkërmoqur edhe si opsion për marrjen e pushtetit. Kjo retorikë mbaroi në vitin 2019.

Një opsion politik si dhuna rezultoi i pamundur dhe i padobishëm. Nuk mund të luhet më me institucionet, apo faktorin ndërkombëtar. Vendi ka nevojë të krijojë alternativa të reja pa rrënjë të thella në histori”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat