SPAK nuk ka personalitete të mëdha, ‘kapot’ e krimit janë ende të lirë

Shqipëria

SPAK nuk ka personalitete të mëdha, ‘kapot’ e krimit janë ende të lirë

Më: 2 tetor 2023 Në ora: 13:57
Spartak Ngjela

Avokati Spartak Ngjela tha se prokurorët e SPAK, por edhe gjyqtarët e GJKKO-së duhet të merren në mbrojtje te veçantë. Ky koment i tij vjen pas deklaratës së të penduarit të drejtësisë Artan Tafani, i cili para hetuesve zbuloi një listë krimesh të kryera nga banda e Laert Haxhiut.

Sipas Ngjelës, njerëzit e drejtësisë duhet të jetojnë në lagje të mbrojtura si në Perëndim. Ai tha gjithashtu se prokurorët e SPAK që ishin në shënjestër të bandës së Laert Haxhisë për t’i eliminuar, ka ngritur shqetësimin për mbrojtjen e emrave të drejtësisë.

“Krimi të vret duan mbrojtje të veçantë. Duhet të rrinë në vende të mbrojtuar. Janë të mpakur. Nuk janë shumë aktiv sepse nuk kanë mbrojtje të plotë. Duhet të jetësojnë në lagje të mbrojtura si në Perëndim. Shteti duhet të punojë ti organizojë në një vend të veçantë. As GJKKO s’ka mbrojtje. Bandat kriminale që vijnë nga paratë e vjedhura bëjnë të njëjtët goditje. Tani lind problemi a kanë mbrojtje nuk e di... me sa kam parë nuk kanë mbrojtje”, u shpreh Ngjela.

Avokati u shpreh gjithashtu se SPAK nuk ka personalitete të mëdha të jurisprudencës. Sipas Ngjelës, personaliteti i një gjyqtari të madh vjen kur godet kapot e krimit.

“SPAK-u po bën një gabim, duhet të merrnin personalitete të mëdha të jurisprudencës. SPAK-u duhet të ketë forcë. SPAK-u aktual nuk ka personalitet, kjo dëmton gjendjen, personalitete e tyre vendosen me arreste dhe me dënimin e mafies. Personaliteti i një gjyqtari të madh vjen kur godet kapot e krimit. Nuk keni profesionistë, janë të trembur dhe të korruptuar. Duhet reformim ta dëgjojnë dhe ekspertë. Goditës i madh në SPAK”, përfundoi Ngjela.

Kujtojmë se, ditën e sotme ish-prokurorja e Lushnjes Merita Selimi është marrë në mbrojtje nga policia pasi dyshohet se ka qenë në shënjestër për t’u vrarë nga grupi i Laert Haxhiut.

Emri i ish-prokurores së Lushnjes doli nga dëshmia e Artan Tafanit, bashkëpunëtorit të drejtësisë që zbuloi grupin e Laert Haxhiut dhe zbardhi 6 vrasje të kryera nga ky grup.

Sipas dëshmisë së tij para hetuesve, Laert Haxhiu kërkonte të vriste Merita Selimin pasi kishte hetuar atë dhe bashkëpunëtorë të tij për një vrasje.

Policia e Shtetit gjithashtu ka ka marrë në mbrojtje prokuroren e SPAK, Doloresa Musabelliu, menjëherë pasi Artan Tafani rrëfeu se si kreu i grupit Laert Haxhiu, kishte planifikuar eleminimin e saj apo të një të afërmi.

Prokurorja e dosjeve të forta në SPAK, më e fundit ajo e masakrës së urës Vajgurore ishte vënë në shënjestrën e të fortëve të Lushnjës, mbasi kërkoi burgim të përjetshëm për dy miqtë e Haxhiut, Orges Bilbili dhe Anterio Kaloshin.

Mbrojtja e prokurores Musabelliu, iu kërkua policisë nga kreu i SPAK, Altin Dumani. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat