Rama: Do të vendosim referencë për sektorin e turizimit

Shqipëria

Rama: Do të vendosim referencë për sektorin e turizimit

Më: 3 tetor 2023 Në ora: 16:03
Edi Rama

E bindur se sipërmarrësit e sektorit të turizimit bëjnë evazion fiskal dhe nuk deklarojnë 100 përqind atë që fitojnë, qeveria ka vendosur që të vendosë çmim reference përvec tvsh 6 përqind për këto biznese.

Kryeministri që paralajmëron vendimin e qeverisë, pranon se shifrat e turistëve që këtë vit mund të shkojnë në afro 10 milionë, nuk përputhen me deklarimet e bëra nga strukturat akomoduese.

“Si për shitjen e apartamenteve, si për shitjen e dhomave nëpër hotele, ne do t’ja u marrim tvsh-në 6% për këtë shifër që e thotë tregu dhe kaq. Ju do na i jepni”.

Të thirrur për t’u informuar për nismën e re, atë të rishikimit të procedurave administrative të biznesit dhe shkurtim të hallkave burokratike, përfaqësuesit e biznesit në sektorin e ndërtimit u ankuan për çmimin e referencës, taksën e rishikuar të ndërtimit si dhe faktin që 3 përqind të çdo ndërtimi ata do të duhet t’ia japin bashkisë për strehim social. Çështje që çuan në debate mes tyre dhe Kryeministrit pasi që të treja detyrimet që biznesi i ndërtimit ka ndaj shtetit i duken mëse të arsyeshme.

“Epo që ju të shisni 2 mijë Euro dhe do t’i deklaroni të shitura me 850 Euro? Kjo nuk mund të vazhdojë. Të duket shumë 3% kontribut social për çdo ndërtim? Askush nuk ju detyron të ndërtoni me zor. Tani mos hajdeni këtu të bëni si shtresë në nevojë. Unë mendoj që Bashkia e Tiranës nuk duhet t’ju tolerojë që t’i jepni në vend tjetër njëherë si fillim. Ju duhet t’i jepni ato 3% aty ku ndërtoni”.

Sa i takon thjeshtimit të procedurave për bizneset, Rama ndalet dhe te nisma për ndryshimin e strukturës së prokurimeve publike që sipas tij do të sjellë më shumë transparencë.

“Brenda këtij mandati do të kemi një sistem komplet të revolucionarizuar të prokurimeve publike”.

Si pjesë e procesit të konsultimit për ndryshimin e procedurave administrative parashikon që bizneset të japin propozimet e tyre përmes formularëve që do ju shpërndahen nga Ministria e Sipërmarrjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat