“Pritet që Izraeli të shpërthejë një ofensivë kundër Hamasit”, Paskal Milo: Si po ndryshojnë ekuilibrat në botën arabe

Shqipëria

“Pritet që Izraeli të shpërthejë një ofensivë kundër Hamasit”, Paskal Milo: Si po ndryshojnë ekuilibrat në botën arabe

Më: 10 tetor 2023 Në ora: 15:51
Paskal Milo

Historiani dhe ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo ka folur sot në studion e “Opinion” në News24 për luftën e gjatë mes palestinezëve dhe izraelitëve si dhe sulmin e fundit të Hamasit.

Pasi bëri një përmbledhje të marrëdhënieve mes tyre që prej 1947, Milo tha se pritet nga momenti në moment që Izraeli të shpërthejë një ofensivë kundër Hamasit në Rripin e Gazës.

Ai paralajmëroi për viktima të shumta në popullsinë civile.

“Është e vërtetë që kanë qenë një armëpushim i zgjatur. Konflikti i parë ka qenë në 1947, në momentin që po përpiqeshin të dy palët për territore sa më të gjera dhe u vendos të krijoheshin nga Asambleja e OKB dy shtete, Palestina dhe Izraeli.
Lufta e dytë ishte në 1967. Territore palestineze u vunë nën kontrollin e Izraelit.

Hamas është një organizatë terroriste që sulmoi Izraelin në befasi.

Pritet nga momenti në moment që Izraeli të shpërthejë një ofensivë kundër Hamasit në Rripin e Gazës. Nëse do të bëhet kjo ofensivë do të ketë viktima të shumta në popullsinë civile, pasi nuk mund të ndash terroristët e Hamasit nga njerëzit e pafajshëm civilë”, tha Milo.

Duke u ndalur tek organizata terroriste e Hamasit, ai foli për lindjen e saj dhe mbështetjen.

Hamasi është një nga tre organizatat terroriste palestineze që njihen aktualisht. Është Hamasi, Xhihadi Islamik dhe Hezbollahu me bazë në Liban. Këto janë tre organizatat terroriste palestineze. Hamazi ka qenë pjesë e Al Fatahut, lëvizjes kryesore të rezistencës palestineze që udhëhiqej nga Arafati, i cili u zëvendësua pas vdekjes nga presidenti Abas, i cili është kryetari i autoriteti palestinez në Bregun Perëndimor.

Përplasjet e brendshme, lufta mes rrymave në lëvizjen Al Fatah, bëri që Hamasi të kontrollojë Rripin e Gazës. Nuk arriti që presidenti aktual Abas të kishte autoritet dhe të kontrollonte Rripin e Gazës, e cila është nën kontrollin e Hamasit.
Mbështetja ka qenë nga disa faktorë të Lindjes së Mesme. Kanë qenë qarqe ekstremiste që kanë pasur lidhje me shtete që kanë zbatuar politika terroriste në lidhje me Izraelin. Mbështetje në armatime, financime dhe ekonomike. Ka qenë një lloj solidariteti arabo-mysliman për kauzën palestineze”
, tha ai.

Por Milo foli për një ndryshim ekuilibrash në botën arabe dhe tha se ky ndryshim do të ishte një sinjal i keq për këto organizata terroriste.

Dhe dje që është mbajtur një takim i rëndësishëm i ministrave të Ligës Arabe është diskutuar kjo çështje. Ka debate nga më ekstremet për luftën që ka filluar. Këto do shohim dhe një lloj diferencimi që ka filluar të krijohet mes vendeve arabe që dikur e kanë mbështetur hapur dhe tani janë më të tërhequr. Emiratet Arabe, Katari, Sudani në Afrikë, Arabia Saudite e cila po tenton një marrëveshje me Izraelin për ta njohur. Ka disa kohë që në kuadrin e ndryshimeve që po ndodhin në raportin e vendeve arabe me Izraelin, ndryshime graduale, do të sillte një tronditje të madhe në botën arabo-myslimane dhe do ishte një sinjal i keq për këto organizata terroriste”, tha Milo.

Por kush qëndron mbrapa Hamasit?

“Dihet që Irani është një fuqi e madhe rajonale, me pretendime e konflikte që i ka ushqyer vetë. Dihen pretendimet që ka për t’u bërë fuqi bërthamore dhe për rrjedhojë Irani ka qenë mbrapa këtyre qarqeve ekstremiste që e kanë pasur dhe e kanë Izraelin në shënjestër dhe i furnizon ata dhe me armatime dhe financime dhe mbështetje të gjerë.
Nuk është se ka deklaratë zyrtare, por të gjithë treguesit të çojnë në konkluzionin dhe për shkak të lidhjeve që këtu Irani patjetër ka rezerva të mëdha ushtarake me të cilat kanë furnizuar Hamasin. Burimi i raketave me të cilat ka sulmuar Hamasi është Irani, por kjo nuk do të thotë që ka dhe qarqe të tjera arabe në lojë që të mos mbështesin
”, tha ai.

I pyetur se si dështoi inteligjenca izraelite të parashikonte sulmin e së shtunës, Milo tha se nuk është hera e parë që palët në konflikt përdorin elementin e befasisë.

Dhe në sulmin e tetorit 1973, 50 vite më parë Izraeli u kap në befasi në ditën e festës së madhe. Pra, nuk është e parë. Dhe Izraeli në 1967 kapi në befasi vendet arabe që sulmoi sepse ishte ditë ramazani, rrafshoi aeroportet ushtarake dhe shkatërroi arsenalin ushtarak të Egjiptit, Sirisë. Të dyja palët kanë shfrytëzuar elementin e befasisë.
Izraeli është një shtet i fuqishëm ushtarakisht. Ka një mbrojtje të sofistikuar. E ka pasur ndër vite. Gjithmonë ka dashur dhe është përgatitur për t’u mbrojtur sepse i ka pasur armiqtë dhe kundërshtarët e Izraelit përballë. Shërbimi ushtarak është i detyrueshëm dhe sot një numri i madh i forcave izraelite rezerviste është mobilizuar. Bëhet fjalë për 300-400 mijë rezervistë. Rabini i Tiranës tha se po shkonte në Izrael për t’u mobilizuar
”, deklaroi ai.

Sipas tij, Izraeli nuk do pranojë armëpushim pa realizuar objektivat e tij, të cilat Netanjahu i ka shprehur me terma të ashpër. “Që do të thotë që nga momenti në moment Izraeli do të shpërthejë një ofensivë të madhe në Rripin e Gazës”, tha Milo.

Ai komentoi dhe ngjarjet në veri të Kosovës dhe sulmin nga terroristë serbë.

“Ishte një sulm i parapërgatitur dhe një sulm kuptimplotë me emrin terrorist. Kjo nuk duhet të vihet në dyshim.
Arsenali i madh i armëve që u gjet tregoi se nuk ishte ardhur momenti për atë shpërthim të madh që ata po përgatiteshin. Ai armatim ishte për 400 forca, ndërkohë që u gjetën vetëm 30 terroristë serbë, një pjesë të cilëve u largua. Është një ngjarje e paprecedentë, të paktën që nga 2004.

U dëshmua që pas këtij konflikti qëndron Serbia. Reagimi i Kosovës ishte perfekt”, tha Milo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat