“Shefi i Policisë rrinte me kriminelët”/ Dorjana Bezat: Në kafen e Çelës, drejtori shkonte çdo ditë

Shqipëria

“Shefi i Policisë rrinte me kriminelët”/ Dorjana Bezat: Në kafen e Çelës, drejtori shkonte çdo ditë

Më: 12 tetor 2023 Në ora: 06:24
Dorjana Bezat

Megaoperacionin “Flakë në det”, ku ranë në pranga disa persona, mes të cilëve edhe shefi i Komisariatit të Policisë Laç, Dritan Metaj, gazetarja Dorjana Bezat e cilëson një fluskë, pasi nuk u ndaluan vërtet persona të inkriminuar.

“Ky operacion i madh për mua kishte vetëm emrin, pasi rezultoi të ishte një fluskë, sepse patëm vetëm një shef komisariati të arrestuar, për të cilin nuk u bë ndonjë hetim i thellë për ta parë që ishte i inkriminuar, për sa kohë që në mes të qytetit dhe në mes të ditës rrinte me persona të inkriminuar. Më pas, përgjimet nxorën detaje të tjera, që e vunë nën akuzë”, tha Bezat këtë mbrëmje në Top Story.

Sipas saj, veliera gjigante, brenda së cilës kishte lëndë narkotike, nuk u kap nga radarët:

“Gjashtë persona të arrestuar që në gusht, të cilët falë bashkëpunimit me Guardia di Financa-n dhe Interforce Italia-n u kapën në mes të detit me gomone. Kishin një velierë super të madhe që hyri në territorin shqiptar, pa u parë nga askush, pa leje, 12 milje nga bregu. E priste një gomone, që u nis nga laguna e Patokut, e ngarkuar me kanabis, që në 12 milje det do të shkëmbehej me kokainë. Kur u vu re se ishte në ndjekje të policisë, autorët i vunë zjarrin velierës dhe u përpoqën të arratisen, por falë ndjekjes nga Guardia di Financa dhe Policisë Shqiptare u vu në pranga dhe policia gjeti vetëm 12 kilogram kanabis, të cilat i shpëtuan djegies dhe nuk ikën në fund të detit si veliera. Pra, në duar të drejtësisë shqiptare, ne sot kemi vetëm 6 persona, 4 shqiptarë dhe 2 ukrainas, që bënin shkëmbimin, këtë shefin e komisariatit të Laçit”.

Gazetarja e Top Channel tregon se si shefi i Komisariatit konsumonte i qetë kafe me Gëzim Çelën.

“Në duar të SPAK-ut është një video, e sekuestruar që prej gushtit, në një bar kafe në zonën e Fushë Kuqes, që e kishte në pronësi Gëzim Çela dhe aty në mes të ditës, ai konsumonte kafe, pavarësisht se ishte një person i shpallur në kërkim për vepra të rënda penale, ishte një subjekt i OFL-së. S’mund të themi se ai nuk e kishte idenë për ngarkesën penale që kishte miku i tij”.

Operacioni “Flakë në det”

Ditën e djeshme, GJKKO la nën arrest me burg Dritan Metën, i cili u arrestua dy ditë më parë. Në pranga ra gjithashtu edhe “baroni i drogës”, Gëzim Çela, banues në Fushë Kuqe, Arben Dalipaj dhe Roland Guza.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy armë zjarri pistoletë, municione luftarake, një sasi e madhe parash të valutave të ndryshme, 25 celularë, si dhe 25 kg kanabis të gjetura në det në afërsi të vendit ku u fundos veliera dhe një gomone.

Policia thotë se trafikantët që ndodheshin në velierë, sapo kanë pikasur se ishin rrethuar nga Policia, i kanë vënë zjarrin mjetit lundrues dhe kanë tentuar të largohen me një barkë të vogël shpëtimi, por janë kapur në flagrancë.

Në operacion u përfshinë efektivë dhe mjete të Departamentit të Policisë Kriminale dhe të Departamentit të Kufirit dhe Migracionit, si dhe Reparti Special “RENEA”. Operacioni i zhvilluar nga Policia e Shtetit, është koordinuar dhe mbështetur nga Guardia di Finanza, Interforca italiane në Shqipëri dhe Frontex.

Mjeti u nis nga laguna e Patokut me drejtim jug-perëndimin dhe u afrua pranë një tjetër mjeti lundrues tip veliere dhe më pas shtetasit që ishin në këto mjete lundruese, kanë shkëmbyer lëndë narkotike.

Në operacion u përfshinë avionët e Frontex-it dhe të GDF-së, ndërsa nga deti u përfshinë mjetet e Policisë Kufitare dhe mjetet e GDF-së, të cilat kanë bërë rrethimin e veleries.   Në të njëjtën kohë me ndërhyrjen nga deti, efektivët e Repartit Special “RENEA” kanë ndërhyrë nga toka, në ambientet e një restoranti në lagunën e Patokut, ku po qëndronin disa shtetas që dyshohet se kishin lidhje me tentativën për të trafikuar lëndë narkotike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat