“Rama luan kartën e patriotizmit”, Vokshi: Si e trefishoi qeveria koston e studimit në universitetin e Mjekësisë

Shqipëria

“Rama luan kartën e patriotizmit”, Vokshi: Si e trefishoi qeveria koston e studimit në universitetin e Mjekësisë

Më: 14 tetor 2023 Në ora: 14:31
Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi ka denoncuar sot atë që e cilëson si ‘fryrje’ nga qeveria të kostos të një studenti të mjekësisë.

Në një dalje për mediat, Vokshi është shprehur se vitin 2019 Universiteti i Mjekësisë e ka përllogaritur koston e studimit në programin e Mjekësisë së përgjithshme me vlerën 236.468 lekë/vit, ndërsa në relacionin e përgatitur në Parlamentin e Shqipërisë në lidhje me ligjin që kufizon studentët e Mjekësisë në tërheqjen e diplomës thuhet se “Sipas informacionit të përcjellë nga Universiteti i Mjekësisë, Tiranë, kostoja e studimit për programin e integruar të studimit në “Mjekësi e Përgjithshme” është 678.994 lekë/vit”.

Sipas Vokshit, qeveria ka trefishuar koston e studimit duke përdorur Universitetin e Mjekësisë.

Deklaratë e deputetes së PD-së, Albana Vokshi

Në muajin korrik, në mënyrë dinake, fshehurazi, në shkelje të procedurave, rregullores se kuvendit, pa studime e analiza, me mashtrime Rama – Nikolla – Kushi – Manastirlliu, sollën në parlament një projektligj antikushtetues, që tentonte të mbante peng diplomat e e studentëve të mjekësisë për 5 vjet. Duke luajtur gjoja kartën e patriotizmit, Edi Rama ngriti fabulën që Mjekësia është një profesion ndryshe nga të tjerët, pasi shtetit i kushtin shumë formimi i mjekëve të rinj, për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e qytetarëve të vet.

Si e bëri këtë, duke përdorur Universitetin e mjekësisë për kosto shumë herë më të larta, se ato realet, duke u munduar që siç bën gjithnjë të vinte studentët përballë qytetarëve.

Një ligj antikushtetues, diskriminues, jo efektiv, i padrejtë u miratua më nxitim, në mes të natës, duke refuzuar të dëgjonin zërin e studentëve. Një ligj, me anë të të cilit Edi Rama synon të mbulojë dështimin e premtimit të bujshëm të shëndetësisë falas, dështimin e politikave në shëndetësi, dështimin e koncesioneve që kanë shkatërruar çdo shtyllë të shëndetësisë. Një ligj që dëmton universitetin publik e që orienton studentët drejt privatit. Në vitin 2019, Universiteti i Mjekësisë e ka përllogaritur koston e studimit në programin e Mjekësisë së përgjithshme me vlerën 236.468 lekë/vit.

Kjo vlerë është dërguar me shkresë zyrtare nga Universiteti i Mjekësisë si përgjigje ndaj Qëndresës Qytetare (shkresa numër protokolli 2206/1, datë 17.07.2023), pra katër ditë përpara miratimit të ligjit famëkeq që merr peng diplomat e studentëve të Mjekësisë. (Bashkangjitur shkresa). Ndërkohë, në relacionin e përgatitur në Parlamentin e Shqipërisë citohet se “Sipas informacionit të përcjellë nga Universiteti i Mjekësisë, Tiranë, kostoja e studimit për programin e integruar të studimit në “Mjekësi e Përgjithshme” është 678.994 lekë/vit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat