Bushati: SPAK nxjerr përgjegjësitë individuale, luftën ndaj korrupsionit duhet ta bëjë qeveria

Shqipëria

Bushati: SPAK nxjerr përgjegjësitë individuale, luftën ndaj korrupsionit duhet ta bëjë qeveria

Më: 14 tetor 2023 Në ora: 22:46
Ditmir Bushati

Ish ministri dhe ish deputeti socialist, Ditmir Bushati u shpreh sot për emisionin “Kjo Javë” në News24 se pavarësisht arrestimit të disa zyrtarëve të lartë, nuk është SPAK që duhet ta bëjë luftën kundër korrupsionit, por qeveria.

Ai theksoi se lufta ndaj korrupsionit bëhet me veprime të qarta politike dhe me marrje të përgjegjësive.

Ku jemi te arritjet e procesit të Berlinit?

Kemi disa zhvillime pozitive sepse kjo nismë u iniciua nga Merkel në kushtet kur procesi i zgjerimit e kishte humbur magnetin e tij. Ishte si një ilaç anti-depresioni. Të gjitha vendet janë të ulur me simbolet e tyre kombëtare. Krijon një sens barazie dhe një sens rëndësie të njëjtë për të gjitha palët. Është një platformë ku edhe çështjet e tendosura si ajo Serbi-Kosovë, mund të trajtohen. Në planin ekonomik ka krijuar tregun rajonal. Është një hap i parë për ta kthyer rajonin. Ka marrëveshje që kanë afruar vendet tona.

Ku ngeci?

Nuk është se ka ngecur por flasim për sfida. Pas nëntë vitesh që nga iniciimi nuk jemi aty ku duhet të ishim. Kemi një thellim të hendekut mes Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të BE-së që na rrethojnë ne. Kemi valë migratore nga vendet tona drejt BE-së që do të thotë që procesi nuk po ecën në drejtimin e duhur.

Open Balkan ishte arritje apo dështim?

Bie dakord me qëndrimin e fundit të Shqipërisë që u tërhoq nga kjo nismë.

A janë dëmtuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, pas arrestimit të Fredi Belerit?

Janë dy çështje të ndara. Gabimisht po i bashkëngjiten njëra tjetrës. Çështja e Belerit është një çështje e sundimit të së drejtës. Kur ka pretendime mes një vendi anëtar të BE-së dhe një vendi kandidat ka instanca siç mund të jetë Komisioni Europian që mund të jetë në pozicionin e arbitrit. Shqipëria është vend anëtar i KiE-së, Beleri mund të shkojë atje. Kjo çështje nuk ka pse të mbivendosë marrëdhëniet me Greqinë.

A ka gjasa të negociohet në konfliktin mes Izraelit dhe Palestinës?

Ky konflikt e ka origjinën shumë herët. Terrorizmi duhet të dënohet me çdo kusht. Është për tu vlerësuar qëndrimi i Shqipërisë dhe Kosovës në dënimin ndaj akteve të terrorizmit. Ky konflikt do të ketë impakt në drejtim të prioriteteve. Ukraina që deri dje ishte çështja numër 1 si e SHBA dhe e BE-së zhvendoset pas këtij konflikti, lëre më vëmendja në rajonin tonë.

Arrestimet e fundit nga SPAK janë vërtetë luftë kundër korrupsionit apo janë disa statistika për tu përmbushur?

Lufta e vërtetë kundër korrupsionit është çështje kulture dhe çështje botëkuptimi. Korrupsioni duhet të luftohet në radhë të parë nga qeveria, duhet të luftohet me veprime të qarta politike dhe me marrje të përgjegjësive që shqetësojnë opinionin dhe buxhetin. SPAK nxjerr vetëm përgjegjësitë individuale. SPAK ka për detyrë ti shkojë çështjeve që kanë lidhje me përgjegjësitë individuale. PS deri tani ka treguar gatishmëri për të mos penguar punën e SPAK. është shumë e rëndësishme që anti-korrupsionin, anti-nepotizmin ne nuk mund të presim të na e luftojë SPAK edhe sikur të marrim të mirëqenë që në SPAK janë të gjithë prokurorët ëngjëj, çka nuk është rasti. Ne na duhet të kemi një qasje tjetër në raport me çështjen e sundimit të së drejtës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat