A do ketë protesta? Berisha: Rama dhe skapistët po bëjnë gjyqin e reformave të suksesshme të PD

Shqipëria

A do ketë protesta? Berisha: Rama dhe skapistët po bëjnë gjyqin e reformave të suksesshme të PD

Më: 24 tetor 2023 Në ora: 14:50
Sali Berisha

Ish-kryeministri Sali Berisha ka vërshuar në lum akuzash ndaj kreut të qeverisë Edi Rama, të cilin e akuzon si organizatorin e “sulmit politik” ndaj figurës së tij për aferën e ish-kompleksit Partizani.

Përmes një deklarate për shtyp, në të njëjtën kohë që në GJKKO zhvillon seancën për njohjen e Berishës me masën e sigurisë, ish-kryeministri tha se në historinë e Shqipërisë nuk ka ndodhur kurrë që kryetari i qeverisë të kontraktojë për të goditur opozitën.

Në historinë e këtij vendi nuk ka ndodhur kurrë që kryetari i qeverisë të kontraktojë për të goditur opozitën. Nuk ka një njeri përveç gjeneralit i cili e kishte në pronësi ligjore pronë të shtetit por preferoi t’ia linte mafias dhe kjo është e vërtetë.

Pse e rrëmben vulën? Ai do me çdo kusht të forcojë karriken e tij. Përse e mban Belerin në burg, Pse?

Unë lexova mbrëmë dokumentet e tij dhe në të gjithë drejtësinë e botës ato prova nuk pranohen. I kanë dhënë 700 mijë lekë shpërblim për ti bërë kurthin Belerit. Provat që merrem me provokacion nuk merren për bazë. Janë nul. Dhe ai e mban në burg atë”- tha Berisha.

Sipas Berishës, Rama dhe skapistët po bëjnë gjyqin e reformave më të suksesshme të PD-së.

“Asnjë gjë nuk është jashtë tavolinës. Të gjitha janë në tryezë.

Ne, siç e shihni, kemi të bëjmë me një proces monstruoz politik. Kur Edi Rama, me dy skapistë dhe një tjetër, vënë në tryezë reformat e suksesshme, sepse ajo ekonomi, për dijeninë tuaj, atë vit që janë emetuar bonot, jo për shkak të bonove, ka pasur një rritje prej 8.3 përqind sipas institucioneve ndërkombëtare.

U them atyre që kapin penën dhe shpifin duke cituar dacibaon e prokurorisë, vetëm sa baltosni moralin tuaj sepse një gazetar është i detyruar që të paraqesë, nëse i intereson e vërteta, të dy variantet. Të dy palët.

Krijojnë narrativa nga më primitivet, ky djalosh me 113 metër katror, doli me 5.2 milionë euro. Gjithçka e bazuar në shpifje, gjithçka e bazuar në turpin e fshehjes së dokumenteve. Gjithçka e bazuar në manipulimin e dokumenteve.

Se një djalosh tjetër, në të njëjtat kushte, absolutisht mund të dilte të paktën edhe 20 përqind më shumë. Por ky zgjodhi atë rrugë. Kaq!”- tha Berisha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat