E akuzoi se ka shkelur Kushtetutën, Berisha depoziton kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga çështja

Shqipëria

E akuzoi se ka shkelur Kushtetutën, Berisha depoziton kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga çështja

Më: 26 tetor 2023 Në ora: 11:28
Sali Berisha

Pala e ish-kryeministrit Sali Berisha ka depozituar sot në GJKKO kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga gjykimi i kërkesës penale të paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, me objekt marrjen në pyetje të ish-kreut të qeverisë.

Në njoftimin zyrtar të GJKKO bëhet me dije se kërkesa i ka kaluar për shqyrtim gjyqtares Flora Hajredinaj.

Kujtojmë se Berisha ka deklaruar se gjyqtarja Irena Gjoka, e cila ka dhënë vendimin për “kufizimin e lirisë” për të, ka bërë shkelje të kushtetutës dhe ndaj saj do të depozitohet padi.

“Dy avokatët e ish-ministrit Sali Berisha, në orën 9:45 iu drejtuan gjykatës së Posaçme dhe depozituan në krye sekretarin e e saj ku kërkojnë përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka. Duke qenë se referuar gatishmërisë, kjo kërkesë i ka kaluar gjyqtares Flora Hajredinaj. Më herët, News24 informoi se gjykata e Posaçme, ka caktuar dy avokatë shteti, Jabie Cenaliaj dhe Jalldiz Kastrati, të cilat do të njihen me aktet hetimore. Në momentin kur në seancë nuk paraqiten avokatët e zotit Berisha, do të duhet që ai të përfaqësohet në seancë.

Të martën avokatët e Berishës deklaruan në seancë se do të paraqisnin një kërkesë, një kallëzim penal në prokurorinë e Posaçme për gjyqtaren, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Ata kërkuan dërgimin për interpretim të vendimit për masën në Gjykatën Kushtetuese. Nëse ndodh që të përjashtohet Gjoka, do të duhet të zgjidhet një tjetër gjykatës.”, raportoi live gazetarja Klodiana Lala. Kujtojmë se dje GJKKO caktoi një avokat nga shteti për Berishën, pasi dy përfaqësuesit e tij braktisën seancën.

Njoftimi i GJKKO:

Në kryesekretarine e GJKKO-së, ditën e sotme, datë 26.10.2023, ora 09:45, është paraqitur kërkesa e kërkuesit Sali Berisha, me objekt: “Kërkohet përjashtimi i gjyqtares Irena Gjoka”, nga gjykimi i kërkesës penale të paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, me objekt marrjen në pyetje të shtetasit nën hetim Sali Berisha, me bazë ligjore nenet 17, 18, 19, 21, 22, 23 të Kodit të Procedurës Penale. Duke qenë se gatishmëria për javën 23.10.2023-29.10.2023, referuar urdhërit të gatishmërisë të zv.Kryetares së gjykatës, i takon gjyqtares Irena Gjoka, kjo kërkesë i ka kaluar për shqyrtim gjyqtares pasardhëse të gatishmërisë, Flora Hajredinaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat