Balluku nga Roma: Bashkëpunim dhe projekte konkrete në sektorin energjetik

Shqipëria

Balluku nga Roma: Bashkëpunim dhe projekte konkrete në sektorin energjetik

Më: 26 tetor 2023 Në ora: 19:23
Zv. kryeministrja, Belinda Balluku

Zv. kryeministrja, Belinda Balluku ishte në Romë, në vijim të Takimit të Komitetit të Përbashkët Ekonomik, Shqipëri-Itali. Në tryezën e organizuar ditën e sotme fokusi ishte tek energjia, ku të pranishëm ishin përfaqësues të sektorit nga të dyja vendet.

Hartimi i një axhende të përbashkët për hapat që duhen ndërmarrë deri në vitin 2030 sa i takon dekarbonizimit, por edhe investimet sa i takon energjisë së rinovueshme, ishin pjesë e diskutimeve të zhvilluara. Palët diskutuan gjithashtu edhe mbi projektin konkret sa i takon ndërtimit të linjës së interkonjeksionit që lidh direkt Shqipërinë me Italinë, një projekt i rëndësishëm i cili do të kontribuojnë gjithashtu edhe në sigurinë energjetike të rajonit.

Gjatë diskutimeve u vlerësuan hapat që ka ndërmarrë Shqipërinë në sektorin energjetik, veçanërisht sa i takon liberalizmit të tregut, por edhe ngritjes së bursës së energjisë, ndërsa palët shprehën gatishmërinë për të intensifikuar më tej bashkëpunimin dypalësh.

Pranverën e vitit të ardhshëm, në Tiranë, do të mbahet tryeza e radhës për energjinë, ku pritet të finalizohet me nënshkrimin e disa marrëveshjeve të rëndësishme për të dyja vendet.

Gjatë vizitës në Romë, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë zhvilloi një takim edhe me Giuseppina di Foggia, drejtuese e Operatorit të Sistemit të Transmetimit italian, TERNA, ku palët shprehën mendimin e përbashkët që skuadrat e të dyja vendeve të nisin punën e përbashkët për hartimin e projektit të fizibilitetit teknik dhe ekonomik sa i takon linjës së interkonjeksionit Shqipëri-Itali.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat