Shqipëria del nga lista gri/ Balluku: Sfida vazhdon, të përkushtuar në përmbushjen e kushteve

Shqipëria

Shqipëria del nga lista gri/ Balluku: Sfida vazhdon, të përkushtuar në përmbushjen e kushteve

Më: 27 tetor 2023 Në ora: 14:44
Belinda Balluku

Zëvendës kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e cilësoi vendimin e FATF (Financial Action Task Force) për nxjerrjen e Shqipërisë nga lista gri e pastrimit të parave si një vlerësim, dhe që e rrit reputacionin e vendit në arenën ndërkombëtare.

Ministrja Balluku u shpreh se ky vendim i marrë këtë të premte forcon më shumë reputacionin e vendit tonë në arenën ndërkombëtare, krijon kushte të favorshme për investime të huaja të mëtejshme, ul kostot e borxhit dhe nga ana tjetër, ofron edhe një sërë benefitesh të tjera.

“Duhet të them dhe kam kënaqësinë që sot në këtë seancë plenare zyrtare patëm mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Bashkimit Europian, patëm mbështetjen e Italisë, Gjermanisë dhe padyshim të Mbretërisë së Bashkuar. Në fjalën e tyre secili përmendi faktin se Shqipëria ka bërë një progres të qenësishëm dhe Shqipëria meriton që të largohet nga lista gri.

Lista gri është një listë dinamike, e cila ndryshon çdo vit dhe për të thënë të drejtën disa nga vendet anëtare të Bashkimit Europian që janë pjesë e Ballkanit sot janë futur në listën gri ndërkohë që ne kemi dalë për shkak të të gjithë punës, të të gjithë angazhimit. Ky është një vlerësim i madh që ndodh. Nga ana tjetër, dalja nga lista gri rrit reputacionin e Republikës së Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, krijon kushte të favorshme për investime të huaja të mëtejshme, padyshim ul kostot e borxhit dhe nga ana tjetër, ajo që krijon është vlerësimi që institucionet financiare ndërkombëtare do të kenë për vendin tonë. Lehtëson kryerjen e transaksioneve bankare brenda dhe jashtë vendit dhe një sërë benefitesh të tjera që vijnë si pasojë e këtij vendimi që është marrë sot në seancën plenare të FATF, por padyshim edhe të gjithë përpjekjeve dhe angazhimeve që Qeveria Shqiptare dhe institucionet kanë ndërmarrë.

Është vlerësuar reforma e thellë që ne kemi bërë tashmë në Agjencinë e Inteligjencës Financiare, dikur Drejtoria e Përgjithshme për Parandalimin e Pastrimin e Parave. Gjithashtu, janë vlerësuar të gjitha hapat që kemi hedhur për ndryshimin thelbësor të disa ligjeve që ndihmojnë këtë kuadër, por nga ana tjetër dhe dixhitalizimin masiv të shumë proceseve që do të garantojnë një transparencë sot dhe në të ardhmen.

Sfidat vazhdojnë dhe ne jemi të përkushtuar që t’i përmbushim këto kushte, pasi ashtu siç thashë, lista e FATF është një listë dinamike e cila do të kërkojë angazhimin e Qeverisë dhe të institucioneve ligj zbatuese dhe në të ardhmen. Shqipëria do të vazhdojë të punojë me MONEYVAL dhe ne do të vazhdojmë me të njëjtin ritëm angazhimin tonë duke investuar në burime njerëzore dhe teknologji që padyshim janë dy kolonat më të fuqishme për këtë sukses.”, u shpreh Balluku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat