Rrëfehen para SPAK ish-të punësuar në fabrikën e demontimit në Gërdec dhe ushtarakë, zbardhen dëshmitë e tmerrshme

Shqipëria

Rrëfehen para SPAK ish-të punësuar në fabrikën e demontimit në Gërdec dhe ushtarakë, zbardhen dëshmitë e tmerrshme

Më: 28 tetor 2023 Në ora: 07:36
Fabrika e Gerdecit

Ditën e djeshme u mbajt seanca e radhës në GJKKO për çështjen Gërdecit. Mësohet se janë marrë në pyetje dëshmitarë të tjerë. Si fillim është marrë në pyetje ish-brigadieri Veiz Muça, i cili ka deklaruar se zjarri në fabrikë ka rënë në vendin ku po demontoheshin armët. Dëshmitarja e dytë ka qenë Mirela Dvorani, e cila ka humbur bashkëshortin e saj në shpërthim. Dëshmitarja tjetër në GJKKO ishte dhe Caje Cikut, ish-punonjëse në sektorin e predhave, e cila ka thënë se ata nuk kishin kontrata pune. Dëshmitari tjetër ishte Ndue Nikolla, i cili dha detaje nga mënyra si çmontoheshin predhat në Gërdec duke pranuar se kishte rrezik. Ka folur gjithashtu dhe Zabit Çoku, ish-ushtarak. Seanca tjetër në GJKKO është caktuar më 9 nëntor, ku pritet që të merren në pyetje 10 dëshmitarë.

Zbardhen dëshmitë

Ish përgjegjësi Veiz Muça ka treguar se në punë shkeleshin të gjitha rregullat. Muça shprehet se kur ndodhi ngjarja ishte 200 metra larg, ndërsa tregon se zjarri ka filluar aty ku bëhej demontimi i armëve. “Kam mbaruar shkollën e mesme ushtarake në Zallherr. Kam punuar punë të ndryshme në ndërtim dhe në ushtri kam qenë tek këmbësorja. Në Gërdec kam punuar nga 12 Qershori 2007-15 Mars 2008. Në pune me ka marrë Dritan Minxolli atë e njihja dhe i kam kërkuar punë. Ai më ka shpjeguar çdo gjë aty mendova se bëhej demontimi i fishekëve. Delijorgjin nuk e njoh e kam parë por ai s’ka pasur kontakt me mua. Fillimisht isha brigadier dhe kontrolloja punën e atyre që merreshin me shkarkimin e predhave. Por ata i hidhin tutje dhe për këtë u zura me Dritanin. Pasi i thashë qe punëtorët nuk janë te kujdesshëm ai me shkarkoi nga aty dhe më dërgoi diku tjetër, po brigadier. Aty vinin të gjitha llojet e artilerive, për predhat 100 mlm kishte një poligon ( blloku i betonit me vrima) pajisje të tjera s’kishte. Zjarre të vogla ka pasur por janë fikur me fikset e zjarrit. Kishte njerëz të tjerë që merreshin me ato punë. Në Gërdec ishte baruti i dy ditëve pasi nuk kishte vend në konteiner për ta vendos dhe nuk ishte dërguar as në fabrikë.  Ditën e ngjarjes iku Dritani dola dhe unë porosita rojen të mos fuste njëri brenda. Ngjarja ndodhi kur sapo isha largu 200 metra më poshtë. Zjarri ka filluar aty ku bëhej demontimi. Baruti transportohej me karroca. Kur prisheshin karrocat i riparonte ai Deliu e kishte shtëpinë aty afër. Sipas asaj që më kanë tregu punëtorët zjarri ka filluar tek një karrocë me barut. Karroca i ishte prish djalit të atij Deliut. Ai e kishte dërguar në shtëpi dhe e kishte ngjit. Unë atë ditë s’i kam dhënë leje askujt. Deliu i thoshte drejtorit Dritanit që i saldonte ai karrocat nga dy tre në ditë që dëmtoheshin. Dua të them diçka "babëzia e ushtrisë për të sjellë sa më shumë municion dhe babëzia e punëtorë për të bërë sa më shumë punë për të arrit normën i shkelnin rregullat në punë. Të më thuash sot që të shkosh të bësh atë punë sikur 1 milion në ditë të më japin nuk shkoj më".

Flet Mirela Dvorani, humbi bashkëshortin në tragjedinë e Gërdecit

Ka dhënë gjithashtu dje dëshminë e saj në gjyqin ndaj Fatmir Mediut, Mirela Dvorani, bashkëshortja e njërit prej viktimave nga shpërthimi i Gërdecit. Ajo tha se tha se atje punohej në kushte primitive dhe këtë shqetësim e kishte shprehur edhe bashkëshorti i saj i ndjerë përpara se të ndodhte shpërthimi tragjik. Ajo ka treguar se bashkëshorti i saj ishte i punësuar si ekonomist në depon e armëve. "Kam humbur bashkëshortin tim Endri Dvorani. Ai ka qenë i punësuar si ekonomist atje më herët ka qenë ushtarak por ishte i liruar nga ajo detyrë. Në Gërdec ka punuar nga Shtator 2006- 15 Mars 2008. Ai ishte përgjegjës i disa grave dhe maste punën e tyre. Aty filloi pune se ishte në zanatin e vet. Ai ishte i merakosur për kushtet e punës, për sigurinë teknike pasi aty punohej në kushte primitive këtë shqetësim ma kishte shprehur", tha ajo.

Flet Caje Ciku

Një nga dëshmitaret, Caje Çiku, e punësuar në fabrikën e demontimit të armëve, ka deklaruar se ajo nuk ishte trajnuar për të punuar me predhat. ‘'Kam qenë e punësuar nga Qershori 2007 deri kur ka ndodhur shpërthimi. Në fillim tek fishekët më pas jam marrë me larjen e predhave dhe punoja brenda në magazinë. Në punë më mori Veiz Muça. Nuk na kanë bërë instruktazh, nuk më kanë dhënë asnjë dokument, nuk kishte pajisje kundër zjarrit, unë nuk i kam parë. Ditën e ngjarjes zjarri ka rënë kur ne ishim në orarin e drekës. Zjarri nisi jashtë ndërtesës. Baruti aty transportohej me karroca, nuk kam dijeni se kush i riparonte”, tha Caje Çiku. Por avokati Ardian Visha ka kundërshtuar dëshmitaren, duke i thënë se në dëshminë e saj në 2008, në procesverbalin që Çiku ka bërë me Ibrahim Hoxhën ka deklaruar se karrocat saldoheshin te Qemal Deliu. ‘Ka deklaruar se është goditur nga vala goditëse dhe se karrocat saldoheshin nga Qemal Deliu. Bishti këputej, thonte Ciku në pjesën fundore të karrocës dhe dërgohej për saldim te Deliu. Pra tregon se e ka parë karrocë që dilte nga fabrika. Me Lena Hasën, shoqen e saj kanë shkuar te shtëpia e Qemalit. Shton në deklaratën e 2008 se 1 karrocë u saldua ditën e shpërthimit”, tha Visha.

Zabit Çoku

Zabit Çoku, ish-ushtarak ka dëshmuar dje para SPAK se kishte mjete për shuarjen e zjarrit dhe ditën e shpërthimit ishte dhe një zjarrfikëse te dera. Çuku në dëshmi tha se zjarri nisi në një thes baruti në karrocë, nuk di për saldime. Sipas tij baruti grumbullohej çdo ditë në shesh, ditën e shpërthimit s'ishte larguar. “Deri në 2004 kam qenë ushtarak në Ministrinë e Mbrojtjes. Në 21 janar 2008 nisa punë te fabrika e demontimit. Më tha një shoku im që kishte vende të lira puna. Unë fola me Sokol Ngjeçin, pastaj u takova me Sokolin dhe Delirogjin në fabrikë. Takova disa persona (Vasil Çangen, Petritin, Ervisin...), më treguan procedurën e punës. Unë kisha 4 punëtorë, vinin arkat e municioneve dhe unë i hapja. Në vendim ku bëhej demontimi kishte barut. Fadroma merrte predhat, baruit, futej në thasë. Ditën e shpërthimit i them një personi që quhej Boran të largonte barutin, pasi ishte mbledhur shumë. Kishte sasi të madhe baruti. Ishte me tonelata. Përgjegjës kishim Vangjelin dhe Veizin. Dritanin kishim drejtor. Trajnim bëra vetëm ditën e parë. Sokol Ngjeci na e shpjegoi procedurën. Unë kam përvojë të gjatë me municionet. Predhat dhe municionet e rrezikshme i hiqnim me dorë. Të gjithë punëtorët punonin me dorë, pa makineri. Baruti dhe predhat largoheshin nga fabrika. Kishte mjete që shërbenin për fikjen e zjarrit. Atë ditë kishte një zjarrfikëse të madhe te dera. Ditën e shpërthimit, vetëm pashë flakën e madhe një shtëllungë tymi të bardhë të shkaktuar nga baruti dhe u largova me vrap bashkë me punëtorët e mi. 25-30 metra e gjatë flaka. Më thanë më vonë se flaka doli nga thesi i barutit që ishte mbi karrocë, Nuk di gjë për saldime. Delijorgji nuk na beri kontrate paguheshim 3 mije lekë në ditë. Nuk kisha grup punë në mbikqyrje. Kur ndodhi shpërthimi dola me vrap, vrapova për 10 deri në 30 minuta rreth 500 metra. Me goditi një cope predhe në kokë, pasi predhat atë dite ishin te shpërndara në të gjithë fushën. Baruti grumbullohej çdo dite ne shesh, por ditën që ndodhi shpërthimi nuk ishte larguar nga aty. Filloi transportimi rreth orës 11:45 minuta”,  tha Çoku.

Flet Ndue Nikolla

Ndue Nikolla i cili punonte në fabrikën e demontimit për të çmontuar predhat ka deklaruar se pasi hiqnin kokat e predhave baruti futej në thasë dhe dërgohej me karroca në magazinë. Nikolla thotë se ish-mbikëqyrësi Sokol Ngjeci i kishte porositur që të bënin kujdes pasi kishte rrezik. Ai ka dëshmuar se atë ditë i është djegur 40% e trupit, ndërsa 7 të tjerë që ishin me të kanë humbur jetën. “Unë isha punëtor i thjeshtë punoja me predhat 100 mlm. Predhat i çmontonim duke e futur predhën tek betoni që ishte bërë posaçërisht për atë punë. E lëvizja dy tre herë dhe shkëputej koka e predhës nga pjesa tjetër baruti futej në thasë dhe me karrocë e dërgonim tek magazina. Sokol Ngjeci na kishte porosit që të bënim kujdes pas kishte rrezik. Ka pas fikse zjarri, raste të tjera ku ka rënë zjarr nuk kam parë. Ditën e  ngjarjes kam parë zjarri kam tentuar të largohem jam djeg 40% kur më kanë hipur në helikopter për të më dërguar jashtë ishim 8 veta. 7 të tjerët humbën jetë unë shpëtova”, ka dëshmuar ai. Po ashtu sipas dëshmisë që ai ka dhënë në korrik të 2008 ka qenë specialist dhe jo punëtorë i thjeshtë. Avokati kundërshtoi dëshminë ndërsa gjykata e pranoi. Dorian Matlia e pyeti nëse e kujton Qemal Memën? Nikolla tha se e kujtonte, që kur ka rënë zjarri ai tentoi me fiksen të të shuante flakë. “Mesa kujtoj kam parë dhe disa të tjerë por zjarri ishte i madh. Fatmir Mediun se njoh e kam parë vetëm në televizor”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat