“Mazhoranca e mbuluar me skandale korruptive”, Bardhi: Kërkon të shuajë zërin e opozitës në Parlament

Shqipëria

“Mazhoranca e mbuluar me skandale korruptive”, Bardhi: Kërkon të shuajë zërin e opozitës në Parlament

Më: 30 tetor 2023 Në ora: 18:37
Gazment Bardhi

Deputeti demokrat, Gazment Bardhi thotë se prej disa javësh mazhoranca e ka futur Kuvedin në ngërç, duke pamundësuar funksionimin normal të këtij institucioni.

Në një deklaratë për mediat pas përfundimit të seancës plenare, Bardhi u shpreh se mazhoranca është e mbuluar çdo ditë me skandale korruptive.

Sipas tij, kjo është arsyeja se përse po kërkohet që të shuhet zëri i opozitës.

“Ju e dini që prej 3 javësh, mazhoranca e ka futur Kuvendin në një ngërç, duke pamundësuar funksionimin normal të Parlamentit. Me veprime të paprecedenta, duke nisur nga sjellja e Kryetares së Kuvendit, dhe më pas me vendime antikishtetuese, kanë marrë vendim për të asgjesuar opozitën në Parlament. Kurrë në historinë e Parlamentit, nuk ka ndodhur që Kryetarja e Kuvendit ta shndërrojë veten në specialist arkive të një partie, duke injoruar kushtetutën dhe rregulloren e Parlamentit. Kurrë në historinë e Parlamentit, nuk ka ndodhur që Kryetarja e Kuvendit të hedhë në votim të drejtat e opozitës dhe shumica parlamentare të votojë për asgjesimin e tyre.

Kurrë në historinë e Parlamentit, nuk ka ndodhur që të votohet për të rrëzuar kërkesat për Komision Hetimor, pa i dhënë të drejtën dhe mundësinë opozitës, për të folur dhe për të shpjeguar kërkesat e saj. Kurrë në historinë e Parlamentit, nuk ka ndodhur që mazhoranca t’i ketë diktuar opozitës, se me kë dhe si duhet të përfaqësohet në komisionet parlamentare. Kurrë në historinë e Parlamentit, nuk ka ndodhur që mazhoranca të rrëzojë brenda 1 viti, 8 kërkesa për komisione hetimore.

Pse e bën mazhoranca këtë sjellje? Janë shumicë në popull apo se po qeverisin mirë? Jo, e bëjnë sepse janë të mbuluar çdo ditë me skandale korruptive dhe duan të shuajnë zërin e opozitës në Parlament. Jua kemi bërë të qartë, ne duam që Parlamenti të funksionojë normalisht, por kjo nuk varet vetëm, nga opozita, por edhe nga mazhoranca. Mandatet e opozitës, janë mandate sakrifice, që janë fituar me votën e qytetarëve të ndershëm. Mazhoranca duhet të heqë dorë nga loja për të mos lejuar opozitën të përmbushë misionin e saj në një shoqëri demokratike”, theksoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat