Të enjten “legalizohen” bastet online, Kuvendi pritet të miratojë ndryshimet në ligjin “Për lojërat e fatit”

Shqipëria

Të enjten “legalizohen” bastet online, Kuvendi pritet të miratojë ndryshimet në ligjin “Për lojërat e fatit”

Më: 7 nëntor 2023 Në ora: 08:49
Foto ilustrim

Pas më shumë se një viti diskutimesh, pritet këtë të enjte Kuvendi i Shqipërisë të miratojë ndryshimet në ligjin “Për lojërat e fatit”. Në këtë mënyrë do të formalizohen bastet sportive, por tashmë “online”. Organizatorët e kategorisë “Baste sportive online” tatohen në masën 25 % të të ardhurave bruto nga loja. Sipas projektligjit, çdo person juridik apo bashkim personash juridikë, vendas ose të huaj, që kërkon të pajiset me licencë në kategorinë “Baste Sportive Online”, duhet të përmbushë kriteret minimale, siç janë: Të jetë shoqëri aksionare, me seli në territorin e Republikës së Shqipërisë, e regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, në objektin e veprimtarisë të së cilës të pasqyrohet veprimtaria për lojëra fati në kategorinë “Baste Sportive Online”.

Shuma e kapitalit duhet të jetë jo më pak se 1.2 miliardë lekë; të  deklarojë burimin e kapitalit që do të investohet për ushtrimin e veprimtarisë për kategorinë “Baste Sportive Online”; Subjekti aplikues ose, të paktën, njëri prej aksionarëve të tij të ketë përvojë në fushën e lojërave të fatit në jo më pak se 3 shtete të OECD dhe për jo më pak se 3 vjet si dhe të ketë kapacitetet e duhura financiare, administruese, organizative dhe besueshmërinë e aplikantit për t’u angazhuar me sukses në projekte të tilla.

Ndërkaq, drafti vendos edhe kufizime të shumta sa i takon reklamimit të basteve sportive. Në 1 janar 2019 qeveria shqiptare vendosi të ulë qepenat e të gjitha kazinove elektronike dhe basteve sportive në vend, duke i cilësuar si një “plagë sociale” për shoqërinë.

Aksioni i para 4 viteve, “Fundi i marrëzisë”, i ka kushtuar ndjeshëm qeverisë, ndërsa preku drejtpërsëdrejti rreth 15 mijë familje që krijonin të ardhura nga ky sektor. Në atë kohë funksiononin 3 kompani mëmë të basteve sportive me afro 4200 pika në të gjithë vendin, të cilat u mbyllën fizikisht. Por mbyllja fizike e tyre, ishte fillimi i lulëzimit të një industrie bastesh informale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat