Shqiptarët, “JO” ndryshimeve kushtetuese/ Hyseni: Nuk ka sinjale nga opozita maqedonase

Shqipëria

Shqiptarët, “JO” ndryshimeve kushtetuese/ Hyseni: Nuk ka sinjale nga opozita maqedonase

Më: 14 nëntor 2023 Në ora: 16:28
Blerim Hyseni

Analisti nga Shkupi Blerim Hyseni ka deklaruar se qeveria në Maqedoninë e Veriut është shumë pranë fushatës zgjedhore. Ai ka theksuar se asnjëherë nuk është diskutuar nga një subjekt politik shqiptar, çështja e ndryshimeve kushtetuese dhe fakti që partia opozitare maqedonase vazhdon me ngulm të kundërshtojë ndryshimet kushtetuese.

“Mendoj që duhet të kemi parasysh që Maqedonia thuajse ka filluar të jetë në fushatën zgjedhore. Ka mbetur një periudhë shumë e shkurtër nga zgjedhjet në pranverë. Partitë politike janë me gjasë pranë një vote më tepër. Këtë deklarim të partive opozitare shqiptare e shoh në këtë prizëm. Do të thotë që asnjëherë nuk është diskutuar nga një subjekt politik shqiptar, çështja e ndryshimeve kushtetuese dhe fakti që partia opozitare maqedonase vazhdon me ngulm të mbajë qëndrimet e saj rreth votimeve, duke kundërshtuar ndryshimet kushtetuese. Mendoj sikur të siguroheshin votat e partive politike maqedonase, partive opozitare, atëherë nuk do mend që dhe partitë politike opozitare shqiptare do t’i bashkaangjiteshin këtij trendi”, tha analisti.

Më tej, Hyseni shtoi se nuk ka sinjale nga opozita maqedonase se ka gadishmëri për mbështetje të ndryshimeve kushtetuese.

“Është thuajse kapitull i mbyllur, sado që partitë në pushtet deklarohen se janë duke bërë përpjekjet e fundit për të siguruar shumicën, megjithatë sinjale nga opozita maqedonase nuk jepen se ka gadishmëri për mbështetje të ndryshimeve kushtetuese dhe si rrjedhojë unë mendoj që në fund të muajit janar sipas rregullativës ligjore në Maqedoni duhet të formohet qeveria teknike dhe thuajse është e pamundur që të sigurohen 81vota për të bërë ndryshime kushtetuese. Sigurisht që kjo çështje do t’i mbetet përbërjes së ardhshme parlamentare. Edhe unë mendoj që Maqedonia dalëngadalë por me hapa të sigurtë po hyn drejt thellimit të krizës politike dhe në veçanti sa i përket integrimit”, u shpreh ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat