Sterilizimi, SPAK: Tenderi me shkelje të procedurës, ish-ministri Beqaj nuk konstatoi fryrjen e kostove

Shqipëria

Sterilizimi, SPAK: Tenderi me shkelje të procedurës, ish-ministri Beqaj nuk konstatoi fryrjen e kostove

Më: 19 nëntor 2023 Në ora: 15:00
Ilir Beqaj

Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj duhet të anulonte kontratën koncesionare të sterilizimit, pasi kompania fituese dha një ofertë më të lartë sesa vlera e përcaktuar nga autoriteti kontraktor.

Ai nuk mori asnjë masë për vënien në pune të qendrës së sterilizimit, çka do të ishte me e favorshme ekonomikisht, por kaloi direkt të procedura e dhënies me koncesion të shërbimit për sterilizimin e pajisjeve mjekësore. Nuk parandaloi konfliktin e interesit mes biznesmenit Ilir Rrapaj dhe ish zv.ministrit Klodian Rjepaj, si dhe kreu veprime që favorizuan kompaninë fituese.

Këto janë disa nga shkeljet që dyshohet se janë kryer nga ana e ish ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili zyrtarisht po hetohet për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, kryer në bashkëpunim dhe për të gjykata e posaçme caktoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim për të dalë jashtë vendit”.

News 24 ka mundur të sigurojë detaje nga dosja penale, ku ndër të tjera arsyetohet se Ilir Beqaj, ndonëse ishte në dijeni të qendrës modern të sterilizimit, të ngritur në QSUT, nuk mori asnjë masë për vënien e saj në funksion.

Ai nuk bëri asnjë studim paraprak, për të vlerësuar nëse vënia në funksion e qendrës së sterilizimit, do të ishte më e favorshme ekonomikisht.

Gjyqtari Erjon Bani në vendimin për caktimin e masës së sigurisë për Beqajn, sqaron se ministri do të duhet të kishte konstatuan fryrjen e kostove, ndërsa janë kryer shkelje në procedurën e dhënies së koncesionit, për shkak se procedura e ndjekur për rastin në fjalë, nuk parashikohej nga ligji.

Në vendim analizohen edhe udhëtimet që Ilir Beqaj ka bërë me biznesmenin Ilir Rrapaj, i cili zotëron 40 për qind të kontratës koncesionare dhe që aktualisht ndodhet në burg për të njëjtën çështje.

Ish-ministri Beqaj pritet të dalë të hënën përpara gjykatës në seancën e marrjes në pyetje. Ai ka deklaruar se nuk e ankimon vendimin, ndërsa ka ngritur pikëpyetje për hetimin e SPAK, e nga ana tjetër ka mbrojtur koncesionin e sterilizimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat