Dritan Rexhepi, historia e narkotrafikantit që krijoi kartelin shqiptar në Ekuador

Shqipëria

Dritan Rexhepi, historia e narkotrafikantit që krijoi kartelin shqiptar në Ekuador

Më: 19 nëntor 2023 Në ora: 23:01
Dritan Rexhepi

Në Itali e quajnë “Pablo Eskobari shqiptar”. Në Ekuador i thërrasin “narko-mbreti i Quitos” apo “truri i kartelit shqiptar”. E kur ishte në burg atje, të dënuarit i thërrisnin “Julio”. Në Spanjë, “Mjeshtri i arratisjeve”. Ndërsa në Shqipëri ai njihet thjeshtë me emër, Dritan Rexhepi, nga Vlora.

Emri i vërtetë i tij është Gramoz, por ai, përveç historisë kriminale ka dhe një historik të ndryshimit të emrave. Për 20 vjet ka përdorur 6 identitete. Në vitin 2004, e ka ndryshuar emrin nga Gramoz në Dritan. Në të njëjtën kohë ka ndryshuar edhe emrin e babait, nga Luan në Pelivan. Ndërsa në tetor të vitit 2011, ai ka aplikuar për t’u pajisur me pasaportë biometrike, duke vjedhur identitetin e një personi nga fshati Kotë, i quajtur Lulëzim Murataj. Paralelisht me këtë emër, përdorte edhe identitetin tjetër Edmir Kraja. Ndërsa kur u arrestua në Ekuador në vitin 2014, kishte edhe një pasaportë greke të falsifikuar me emrin Ioannis Dionisopoulos. Së fundmi, kur u arrestua në Stamboll, iu sekuestrua një pasaportë kolumbiane, me fotografinë e tij dhe gjeneralitetet Benjamin Omar Perez Garcia.

Dritan Rexhepi sot është i kërkuar në 7 shtete. Por dy janë më të rëndësishmet. Italia dhe Shqipëria. E kanë kërkuar ndër vite ekstradimin e tij. Sot konsiderohet në të njëjtin nivel me narkotrafikantët më të rëndësishëm të Amerikës së Jugut. Pavarësisht aludimeve mediatike për një kartel të mirëfilltë shqiptar që drejtohet nga ai, duket se ende nuk është arritur ky nivel.

Dritan Rexhepi tashmë është arrestuar. Por për sa kohë do të qëndrojë pas hekurave? Kjo është një pikëpyetje e madhe. Përveçse një sureprtafikant, ai njihet të paktën nga 3 shtete, si mjeshtër i arratisjeve nga burgu. Megjithëse duket se tashmë lirinë kërkon që ta fitojë përmes gjykatës dhe jo duke prerë hekurat e qelisë.

Pas arrestimit në Turqi, dy shtete, kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij. Italia, që dha edhe informacionin për vendndodhjen e tij dhe bashkëpunoi për arrestimin, por edhe Shqipëria, ku është i dënuar me 25 vjet burg për vrasje.

Vetë Dritan Rexhepi, edhe kur doli para gjykatës në Ekuador edhe së fundmi në Turqi, ka shprehur dëshirën që të ekstradohet në Shqipëri, ndonëse e kërkon edhe Italia e Belgjika. Në Turqi, ku edhe u arrestua, kishte hyrë para 9 muajsh dhe ishte vendosur në një vilë në një zonë europiane të Stambollit. Konkretisht në në lagjen Beylikduzu, që njihet si një lagje e qetë, ku pjesa më e madhe e banorëve janë me arsim të lartë dhe nuk njihet për probleme nga Policia. Në pasaportën kolumbiane false që Dritan Rexhepi kishte me një emër të rremë, Benjamin Omar Perez Garcia, kishte një vulë hyrëse në aeroportin e Stambollit, në muajin shtator 2023. Megjithatë data e saktë e hyrjes nuk është përcaktuar.

Policia shqiptare nga ana tjetër ka pasur informacione të pakonfirmuara se gjatë vitit 2023 Dritan Rexhepi ka qenë në Shqipëri, por nuk është arritur të lokalizohet.

Por si arriti Dritan Rexhepi në Quito të Ekuadorit dhe si u ngjit në majë të narkotrafikut atje. Gjithçka fillon në Shqipërinë e pas viteve ’90, kur Dritani vendos të braktisë studimet që kishte nisur për Drejtësi, duke kaluar në anën e kundërt të saj. Në anën e krimit. Në atë kohë ai kishte vetëm dy mundësi. Ose t’i dorëzohej sistemit dhe të shkonte në burgim të përjetshëm, ose t’i jepte vetes një mundësi të dytë. Ai zgjodhi mundësinë e dytë, atë që po e vazhdonte deri kur u arrestua në Stamboll. Një rrugë që e shndërroi sot në narkotrafikant, por pasi u dënua fillimisht për vrasje në Shqipëri, për grabitje në Belgjikë dhe trafik droge në Itali e Ekuador.

6 Tetor 1999

Dritan Rexhepi akuzohet për vrasjen e një polici në Krujë

Më 6 tetor të vitit 1999, Dritan Rexhepi, ishte vetëm 19 vjeç kur u akuzua nga drejtësia shqiptare për një krim të rëndë. Atë të vrasjes së punonjësve të Policisë së Shtetit.  U dënua në mungesë me 25 vjet burg. Ai u fajësua nga Gjykata e Krimeve të Rënda për “vrasjen me paramendim” të policit Durim Kasmi dhe “plagosjen e rëndë me pasojë vdekjen” të qytetarit Ramazan Bakiu. Ngjarja ndodhi në qendër të qytetit të Krujës, në lokalin e Ramazan Bakiut, ku u qëllua me armë zjarri automatike nga dy persona. Si pasojë e goditjes me armë, gjeti vdekjen polici Kasmi dhe u plagos rëndë, Bakiu, i cili, vdiq dy ditë më pas në spital.

Dy muaj me herët, në një tjetër ngjarje në Krujë kishte mbetur i vrarë kolegu i Kasmit, efektivi i Policisë, Arben Keqi. Sipas Gjykatës, motiv i krimit ishte një linjë hakmarrjeje midis policëve të vrarë, Kasmi e Keqi, me pjesëtarët e fisit Haka në Krujë. Procesi gjyqësor në ngarkim të Rexhepit te Krimet e Rënda, i përfunduar më 6 qershor 2013, nisi në dhjetor të vitit 2009 në zbatim të një vendimi të Apelit të Krimeve të Rënda, që e ktheu dosjen për rigjykim. Në gjykimin e parë ai u deklarua i fajshëm për “vrasje në rrethana të cilësuara” dhe u dënua me burgim të përjetshëm.

Gjykata arsyetonte në vendim se fajësia e Dritan Rexhepi ishte e provuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm. Sipas Gjykatës, provë bazë ishin deklarimet gjatë hetimeve paraprake të ish-të bashkëpandehurit të tij, Shefqet Seferi. Në lidhje me ndryshimin e kualifikimit të veprës penale, gjykata shprehej se vrasja e Durim Kasmit në vitin 1999 nuk ishte kryer për shkak të detyrës së tij si punonjës policie, por për motive hakmarrjeje.

Gjykata

“Duke u nisur nga provat e shqyrtuara dhe të analizuara, vrasja e punonjësit të Policisë Durim Kasmi nga i pandehuri Dritan (Gramoz) Rexhepi, në bashkëpunim me persona të tjerë, nuk është kryer gjatë detyrës ose për shkak të saj, por është kryer për motive hakmarrjeje. Vetë viktima Durim Kasmi rezulton që të ketë kryer veprimeve të paligjshme ndaj personit që ka organizuar këtë vrasje dhe shokëve të tij.”

Në vendimin e saj, Gjykata citonte pjesë nga deklarimet e të dyshuarit si bashkëautor të Rexhepit, Shefqet Seferit. Në një deklarim të janarit 2006, në lidhje me një nga konfliktet, që u pasua me hakmarrje, Seferi ishte shprehur se vrasja e efektivit të Policisë ishte porositur nga Shkëlqim Haka:

“Shkëlqim Haka më tha se dy djemtë nga Vlora do të vrisnin policin Durim Kasmi, sepse ai ka goditur me grusht Kamber Zenelin, kushëririn e Bledar Zenelit. Kamberi ishte i moshës rreth 22 vjeç, me trup mesatar. Mesa mora vesh unë, disa ditë pas vrasjes së policit Arben Keqit, Kamberi kishte marrë makinën e Enver Hakës dhe po bënte xhiro në qytet. Në një moment ai kishte xhiruar gomat e makinës para Komisariatit të Policisë Krujë. Në këto momente kishin ndërhyrë policët dhe e kishin kapur. Në momentin që e kishin kapur, polici Durim Kasmi e kishte gjuajtur me grusht në fytyrë dhe i kishte nxirë një pjesë të mollëzës së fytyrës. Për këtë motiv Shkëlqimi ishte shumë i revoltuar”.

Gjykata arsyetonte në vendim se hakmarrja ishte vijuar edhe nga punonjësit e policisë. Duke iu referuar konkluzioneve të Prokurorisë në lidhje me një nga episodet e “zinxhirit” të konflikteve gjykata shprehej se:

“Viktima Arben Keqi, edhe pse punonjës policie, nuk ezauron rrugën procedurale ligjore për të bashkëpunuar me strukturat hetimore rreth identifikimit dhe ndëshkimit ligjor të autorëve të ngjarjes, por, duke iu referuar rregullave zakonore, të ringjallura, rishtazi, pas rrëmujave të vitit 1997, tenton të hakmerret ndaj autorit të kësaj ngjarjeje, sipas tij, Enver Haka. Për këtë, më datë 3 shkurt 1998, Arben Keqi, i shoqëruar nga shokët e tij, Durim Kasmi, një tjetër koleg dhe një miku i tyre, qëllon me armë zjarri në drejtim të Enver Hakës, i cili po udhëtonte në drejtim të Fushë-Krujës, me autoveturën e tij. Nga kjo goditje, Haka ka mbetur i plagosur në dorë dhe ka identifikuar autorin, policin Arben Keqi, pasi ka komunikuar me të, në ikje e sipër”.

Që nga ky moment, Dritan Rexhepi u konsiderua vrasës me pagesë, ndonëse ai nuk e pranoi asnjëherë autorësinë dhe nga arratia kërkoi vazhdimisht drejtësi në lidhje me ngjarjen që e akuzonin.

Një vendim i datës 19 mars 2018 i Gjykatës Kushtetuese, i jep të drejtë pjesërisht Dritan Rexhepit, duke kthyer çështjen në Gjykatën e Lartë. Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda kishte lënë në fuqi vendimin e datës 6 qershor 2013 të Shkallës së Parë. Kundër këtij vendimi ka paraqitur rekurs Prokuroria dhe avokati i Rexhepit. Gjatë shqyrtimit të çështjes, mbi kërkesën e mbrojtësit, është kërkuar rivendosja në afat e së drejtës së ankimit, kërkesë që është pranuar nga Gjykata për Krimet e Rënda, më 9 janar të vitit 2014. Gjykata e Apelit, pasi ka ardhur në dijeni të faktit që çështja penale në ngarkim të Dritan Rexhepit ishte duke u gjykuar në Gjykatën e Lartë, ka vendosur pezullimin e gjykimit të çështjes deri në përfundim të gjykimit të saj. Më 2 prill 2015, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka vendosur mospranimin e rekurseve të paraqitura nga prokurori dhe mbrojtësi i Rexhepit.

Në kushtet kur shkaku i pezullimit ka rënë, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ka vendosur të revokojë vendimin e pezullimit dhe me vendim të datës 18 maj 2015 ka lënë në fuqi të vendimit të vitit 2013. Por Rexhepi sërish i është ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë, e cila nuk e ka pranuar. Më tej ai i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke parashtruar disa shkaqe. Ai pretendonte se ishte cenuar e drejta e barazisë para ligjit, pasi procesi ishte veçuar për dy personat e tjerë dhe procesi në mungesë ndaj tij kishte vijuar pa prova të reja.

Një tjetër parashtrim i tij, ishte se Gjykatat që gjykuan çështjen nuk morën parasysh vendimin e formës së prerë që kishte vendosur pushimin e gjykimit, për dy të pandehurit e tjerë të deklaruar të pafajshëm, duke cenuar edhe parimin e gjësë së gjykuar. Gjithashtu, sipas tij ishte shkelur edhe parimi i mbledhjes së provave në mënyrë të ligjshme, pasi në një vendim me të njëjtin objekt shumë nga provat kanë rezultuar të papërdorshme. Nga ana e mbrojtjes është njoftuar se kërkuesi ndodhej i arrestuar në një shtet tjetër, ndaj ajo duhej të zbatonte dispozitat procedurale për njoftimin e të pandehurit që ndodhet jashtë shtetit.

Në vendimin e saj, Gjykata e Kushtetuese ka arsyetuar edhe faktin se:

“Në procesin gjyqësor në ngarkim të Dritan Rexhepit, është vlerësuar se në bashkëpunim me 2 persona të tjerë ai ka kryer veprat penale për të cilat akuzohet. Ndërkohë për dy këta persona gjykatat kanë konkluduar se këto vepra nuk janë kryer prej tyre dhe as në bashkëpunim me Rexhepin. Gjykata e Krimeve të Rënda, që ka dhënë e datës 6 qershor 2013 nuk ka marrë në shqyrtim dhe nuk ka administruar asnjë provë tjetër përveç sa kanë shqyrtuar gjykatat gjatë gjykimit të çështjes në ngarkim të dy të pandehurve të tjerë, për të cilët është vendosur pafajësia. Gjykatat që kanë gjykuar çështjen në ngarkim të Rexhepit nuk kanë marrë parasysh vendimin e formës së prerë datë 31 maj 2011 të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda Tiranë, që ka vendosur pushimin e gjykimit për dy të pandehurit e tjerë, pasi ka arritur në përfundimin se janë të pafajshëm, duke nënkuptuar se nuk i kanë kryer veprat penale për të cilat akuzoheshin as në bashkëpunim me kërkuesin. Në këtë mënyrë është shkelur edhe parimi i mbledhjes së provave në mënyrë të ligjshme, pasi në një vendim me të njëjtin objekt shumë nga provat kanë rezultuar të papërdorshme”.

26 Janar 2006

Rexhepi arrestohet në Tiranë, arratiset nga Policia e Durrësit

Mëngjesin e datës 26 janar të vitit 2006, Policia e Tiranës njofton zyrtarisht se kishte arrestuar në barin e Hotel Tiranës dy vrasës me pagesë. Njëri ishte Dritan Rexhepi dhe tjetri shoku i tij. Policia tha në atë kohë se të dy ishin të armatosur me pistoleta. Pas verifikimeve, nën masa të rrepta sigurie dy të arrestuarit u dërguan në Policinë e Durrësit. Rexhepi ishte në kërkim nga Policia e Durrësit për vrasjen e vitit 1999 në Krujë dhe aty do të kryheshin procedurat.

Dritan Rexhepi u mbajt në Policinë e Durrësit në pritje që pas dy ditësh të dilte para Gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë. Në një moment, një derë e lënë hapur qëllimisht apo jo, shërben për arratisjen e parë të Rexhepit. Gjithçka ndodh në kohën ku ai do të merrej në pyetje nga dy oficerë. Përfiton nga rasti dhe del jashtë, duke i thënë efektivit që ishte në korridor se me të kishin mbaruar punë.

Në këtë formë, ai u iku nga duart policëve shqiptar dhe mendohet se që nga ai moment u largua drejt Holandës, ku u arrestua për herë të parë për drogë. Më pas edhe në Itali, në Spanjë e në Belgjikë. Gjatë kësaj kohe nisi të quhej edhe si  “Mjeshtri i arratisjeve”.

17 Mars 2011

Nisin arratisjet e Dritan Rexhepit nga burgjet italiane e belge

Më 17 mars të vitit 2011, një arratisje spektakolare ndodh në burgun e sigurisë së lartë të Vogeras. Policia italiane u alarmua në atë kohë pasi tre të arratisurit ishin persona që konsideroheshin me rrezikshmëri të lartë. Policia italiane njoftoi atë natë vonë se personat që ishin arratisur nga burgu ishin tre shqiptarë, Dritan Rexhepi, Ylli Ndoji dhe Leonard Myrtaj, të akuzuar për krime të rënda. Myrtaj u arrestua pak kohë më vonë në Vlorë, ndërsa Rexhepi u arrestua në Barcelonë të Spanjës. Por edhe atje emri i tij nuk kaloi pa rënë në sy. Gazetarët atje shkruan disa ditë rresht për shqiptarin e kërkuar, pasi ai realizoi grabitjen e një prej bankave më të mëdha në Barcelonë, mbrëmjen e 29 majit të vitit 2011 kur gjithë tifozët gjendeshin në shesh duke festuar fitoren e “Champions Lige”-s nga ekipi i katalanas.

Skuadra operacionale vihet në lëvizje dhe informacionet e shumta i dërgojnë te një grup të huajsh, që ishin të vendosur në një prej zonave më luksoze të Barcelonës. Pamjet filmike të bankës së grabitur kishin fiksuar fytyrën e Dritan Rexhepit, që në atë kohë kërkohej nga 4 shtete. Bashkë me të u arrestuan edhe 5 shqiptarë të tjerë. Nga Spanja ai ekstradohet në Belgjikë, ku kërkohej për trafik të lëndëve narkotike. Ai u izolua në burgun e Merksplas në Antwerp, në tetor të vitit 2011. Por një njeri që ishte arratisur nga një burg i sigurisë së lartë, si ai në Itali, aty e kishte edhe më të thjeshtë. Në burg kishte vetëm dy gardianë dhe Rexhepi ishte në pritje të ekstradimit drejt Italisë. Por Dritan Rexhepi u arratis edhe nga aty. E duket se ky ishte momenti që ai vendosi të linte Europën dhe i ktheu sytë nga Amerika e Jugut.

27 Qershor 2014

Dritan Rexhepi arrestohet për trafik droge në Ekuador

Më 27 qershor të vitit 2014, Dritan Rexhepi arrestohet në Ekuador, si pjesë e një grupi që u kap me 278 kilogramë kokainë. Por për 3 muaj askush nuk kishte dijeni për emrin e vërtetë të tij. Ai kishte tri identitete. U regjistrua me emrat Ioannis Dionisopoulos (emri grek) dhe Lulezim Murataj (emri shqiptar). Ai kishte ndryshuar plotësisht pamje, ndërsa mbante një pasaportë greke. U desh verifikimi i Departamentit të Daktiloskopisë së zyrës qendrore të Interpolit në Lion, që të zbulonte identitetin e vërtetë të tij. Gjurmët e gishtave, zbuluan se personi i arrestuar ishte pikërisht 34-vjeçari nga Vlora, emri i të cilit ndodhej në listën e 10 personave më të kërkuar nga Interpoli. Dritan Rexhepi, i cilësuar si “mjeshtri” i arratisjeve, në atë kohë nuk kërkohej vetëm nga Shqipëria, por ishin edhe 4 shtete të tjera që kërkonin ekstradimin e tij, duke filluar me Italinë, Holandën, Spanjën dhe Belgjikën.

Për arrestimin e Dritan Rexhepit, me kërkesë të Shqipërisë, Italisë dhe Belgjikës, Interpoli organizoi operacionin “Infra Red”, nisur nga cilësia e veçantë dhe rrezikshmëria e lartë e tij. I shpallur në kërkim ndërkombëtar me kartelë të kuqe nga tri shtete, edhe operacioni për kapjen e tij ishte i një rëndësie të veçante, pasi kartela e kuqe përfaqëson një nga mjetet më të fuqishme të Interpolit në gjetjen e personave në kërkim ndërkombëtar. Një kartelë e tillë përmban të dhëna identifikuese dhe informacione gjyqësore për një person të kërkuar. I komunikon autoriteteve policore në mbarë globin që një person është i kërkuar në një nga vendet anëtare dhe kërkon që personi të mbahet në arrest provizor me qëllim ekstradimi. Kjo ka ndodhur edhe me Dritan Rexhepin, operacioni për arrestimin e të cilit kishte nisur që prej vitit 2012. Në fund të muajit qershor, pas një operacioni policor antidrogë organizuar nga policia Ekuadoriane në Quito, i kërkuari shqiptar, duke përdorur identitet të rremë, ishte një nga personat e arrestuar me 278 kilogramë kokaine.

Gjatë atij operacioni u arrestuan 11 persona, por në krye të strukturës organike të grupit kriminal ishte Dritan Rexhepi dhe një shtetas nga Kosova i quajtur Remzi Azemi. Në krah të tyre ishte një shtetas ekuadorian, por që mbante emrin e babait të Dritan Rexhepit, ishte quajtur Pelivan Rexhepi, por rezultoi me identitet të rremë. Po ashtu, një tjetër shtetas që kishte lidhje direkte me dy drejtuesit ishte ekuadoriani Jhonny Moreira. Bashkëpunëtorët e tjerë ishin 7 persona të tjerë nga Ekuadori. Dritan Rexhepi u dënua me 13 vite burg për trafik droge më 10 prill 2015. Ai u burgos në Guayaquil, por që nga viti 2017 u transferua në burgun Latacunga. Më vonë, nga viti 2019 deri në vitin 2021 ka qëndruar në burgun Litoral të Guayaquilit.

28 Janar 2020

Dritan Rexhepi hetohet për rrëmbimin e Jan Prengës

Gjatë kohës që Dritan Rexhepi vijonte të vuante dënimin prej 13 vitesh burg në Ekuador, emri i tij del në skenë në Shqipëri, në ngjarjen e janarit të vitit 2020, kur u rrëmbye dhe më pas u zhduk Jan Prenga. Ai u hetua si organizator i rrëmbimit të tij, për zhdukjen e një sasie kokaine në Angli. Kjo tregonte gjithashtu se Rexhepi e vazhdonte trafikun e drogës edhe nga burgu. Më 28 janar të vitit 2020, Policia dhe Prokuroria thanë se kishin zbardhur ngjarjen dhe një ndër të dyshuarit si organizator ishte Dritan Rexhepi.

Emrat e organizatorëve të pengmarrjes së Jan Prengës, janë zbardhur nga deklarimet që ka dhënë vëllai i tij, Anton Prenga, i cili jeton në Angli, por sapo ka mësuar ngjarjen ka ardhur në Shqipëri për të negociuar. Në dosjen e Prokurorisë, ndër të tjera është edhe deklarimi i Anton Prengës, i cili tregon me detaje bisedat me organizatorët dhe takimet që ka pasur. Në dëshminë e tij, vëllai i Jan Prengës, shpjegon se ngjarja ka ndodhur pas grabitjes së një sasie kokainë në Angli, nga vëllai tjetër i tij, shtetasi Astrit Prenga, bashkë me mikun e tyre të familjes Gëzim Shullani, një shtetas rumun dhe një shtetas shqiptar që quhet Xhulian. Ndërsa tregon edhe telefonatat që një person, i quajtur Gramoz, nga Vlora, ka komunikuar me vëllain tjetër të tij, Ndrekë Prenga, që ndodhet në burg, të cilit i ka thënë që të mos bënin gabim të luanin gjërat e tyre, duke nënkuptuar kokainën. Të njëjtin kërcënim ka marrë edhe nga Gentjan Doçi.

Anton Prenga

Vëllain tim, Ndrek Prenga, e ka marrë në telefon një shtetas i cili është prezantuar me emrin ‘Gramozi nga Vlora’ dhe i ka thënë: ‘Mos bëni gabim të luani gjerat pasi janë gjerat tona’. Dua të shpjegoj se Ndreka ka pasur në burgun ku ndodhet një telefon celular, me të cilin ka filluar të komunikojë me personin nga Vlora që quhej Gramoz. Ky person, Gramozi, i ka treguar Ndrekës së ndodhej në burg në Ekuador. Gramozi gjithashtu i ka thënë se sasia prej 260 kg ishte e tij dhe disa personave të tjerë.

Pas rrëmbimit të vëllait, ka hyrë në kontakte sërish Gramozi, i cili ka komunikuar me Ndrekën, të cilit i ka pohuar se: ‘Unë e di se si janë gjërat, por unë ju jap besën. Ktheni pjesën tuaj ju, se do lirohet pengu’, ç’ka nënkuptonte se duhet të kthenim pjesën e mallit që kishin marrë vëllai im Astriti me Gëzim Shullanin. Pasi kanë folur me Gramozin, vëllai im Astriti, së bashku me Gëzimin kanë kthyer sasinë prej 106 kg lëndë narkotike, në Londër, disa personave nga shteti i Polonisë, të cilët i kishte dërguar Gramozi me Gentjan Doçin.

Ka qenë data 22 janar 2020, kur është kthyer malli dhe po atë ditë Gramozi ka kontaktuar në telefon me Ndrekën, Astritin dhe Gëzimin dhe u ka thënë se brenda dy orësh vëllai i marrë peng, Jan Prenga, do lirohet. Pasi kemi pritur 2-3 orë dhe vëllai s’po lirohej, të nesërmen ka folur vëllai im Ndreka me Gramozin dhe ai i ka thënë që s’ka mundësi që nuk është liruar dhe i ka thënë: ‘Më jep pak kohë të kontaktoj me personat, se përse nuk është liruar’. Gramozi gjithashtu i ka thënë vëllait mos të shqetësohej, se vëllai ishte shëndoshë e mirë dhe do të lirohet pasi t’i dali malli personit që përmendi ai më lart. Pasi ka kaluar sërish kohë dhe vëllai s’po lirohej, vëllai im Ndreka ka kontaktuar sërish me telefon me Gramozin dhe në këtë moment Gramozi, i ka thënë se: ‘Më kanë lëvizur nga fjala ata personat. Unë të detyrohem të të jap emrat e tyre’.

Në Gjykatën e Posaçme janë zhvilluar sisa seanca në mungesë, për Rexhepin dhe 6 persona të tjerë, në lidhje me ngjarjen. Procesi do të vijojë me gjykim të zakonshëm, pasi vepra e rëndë penale, për të cilat akuzohen, nuk parashikon gjykim të shkurtuar.

15 Nëntor 2020

Europol godet rrjetin më aktiv të trafikut të kokainës në BE

Një organizatë kriminale, e përbërë nga shqiptarë dhe e konsideruar si një nga rrjetet më aktive të trafikut të kokainë në Europë, u godit falë një operacioni të zhvilluar në 10 shtete të ndryshme 15 nëntorin e vitit 2020. Europoli njoftoi se grupi me emrin “Kompania Bello”, kishte pësuar një goditje të fortë pas arrestimeve të 20 anëtarëve të tij, ndërsa gjatë viteve të shkuara ishin arrestuar 84 pjesëtarë të tjerë, në Itali, Ekuador, Holandë, Mbretëri e Bashkuar, Zvicër dhe Gjermani. Në operacionin e 15 nëntorit ranë në pranga 5 persona në Itali, 2 në Holandë, 2 në Gjermani, 2 në Greqi, 1 në Rumani, 1 në Hungari, 1 në Spanjë, 5 në Shqipëri, dhe 1 tjetër në Emiratet e Bashkuara Arabe. Në Shqipëri arrestimet u kryen në Tiranë, Vlorë, Lezhë e Durrës. Ndërkohë mes të arrestuarve të tjerë ishin edhe 6 anëtarë të tjerë të grupit me origjinë po nga Shqipëria.

Kjo organizatë kriminale transnacionale e specializuar në trafikun ndërkombëtar të kokainës, e njohur si “Kompania Bello”, kishte një veçori: ishte tërësisht shqiptare. Shpërndarësit ishin shqiptarë, ata që i kontrollonin, po ashtu shqiptarë, blerësit e ngarkesave të mëdha të drogës ishin shqiptarë dhe “burimi”, ai që bënte furnizimin dhe gjithçka tjetër ishte i vendosur në Amerikën e Jugut dhe po ashtu ishte shqiptar. Bëhet fjalë për Dritan Rexhepin. Kjo bërë që shumë agjenci ligjzbatuese, të vendeve europiane që u angazhuan në këtë operacion, ta konsideronin grupin e Dritan Rexhepit kartel. Megjithëse disa e kundërshtojnë, duke qenë se ka një strukturë ndryshe nga kartelet e Amerikës së Jugut.

Megjithatë, edhe Europol, teksa njoftonte për rezultatet e operacionit që e kodoi “Los Blancos”, shpjegonte se kjo organizatë kishte ngritur një sistem tërësisht të ri të trafikut. Një sistem që funksiononte ndryshe nga ç’kishin vepruar më parë importuesit ndërkombëtarë të kokainës, të cilët punonin veçmas nga shitësit me shumicë dhe bandat që shpërndanin drogën në rrugë. Grupi rrëzoi të gjithë modelin dhe kontrolloi të gjithë zinxhirin e trafikut, nga organizimi i dërgesave të mëdha direkt nga Amerika e Jugut deri te shpërndarja në të gjithë Europën.

Dritan Rexhepi ndodhej në burg në Ekuador në atë kohë, por duke përdorur mjete të sofistikuara të koduara të komunikimit, ai kishte negociuar drejtpërdrejt me kartelet e drogës në Amerikën e Jugut, duke organizuar dërgesat e mëdha të kokainës në portet kryesore të Europës. Si në Portsmuth të Anglisë, në Antwerp të Belgjikës apo dhe në Roterdam të Holandës. Me ndihmën e bashkëpunëtorëve të vendosur në Itali, Holandë dhe Shqipëri, u organizua shpërndarja më pas në të gjithë Europën. Kokaina kalonte nëpër kufijtë europianë, e fshehur në automjete të modifikuara, ku ishin instaluar ndarje të fshehura të sofistikuara”. Për të pastruar paratë e aktiviteteve kriminale, grupi përdori një sistem informal dërgesash, me origjinë kineze, i njohur si sistemi “fei ch’ien”.

Pasi mbërriti në Ekuador, Dritan Rexhepi arriti të hyjë në kontakt me trafikantin më të rëndësishëm të drogës në vend, Cesar Emilio Montenegro Castillo, i njohur si “Don Monti”, i cili, nga ana tjetër, ishte në marrëdhënie biznesi me kartelin kolumbianin Norte del Valle, por edhe me të ashtuquajturin mbretin e drogës në Meksikë, Joaquin Guzman, “El Chapo”.

Gjithçka nisi kur Rexhepi zgjidhi problemet e Cesar Castillo, i cili po përdorte kanalet e transferimit të parave të ofruara nga organizatat kriminale kineze dhe vazhdimisht ankohej për tarifat e larta të komisioneve. Dritan Rexhepi i propozoi atij eliminimin e ndërmjetësve kinezë dhe dërgimin e parave duke përdorur korrierë “të lirë” shqiptarë dhe duke kryer shumë operacione të vogla nëpërmjet Western Union. Ideja e bindi Castillon, i cili që nga ai moment do t’i besonte Rexhepit, përveç menaxhimit të kontabilitetit, edhe administrimin e dërgesave të drogës në Europë. Por në këtë formë u rrit ndjeshëm edhe reputacioni i Dritan Rexhepit.

Operacioni ndërkombëtar me emrin “Los Blancos” që vlerësohet nga EUROPOL-i, si “i paprecedentë”, e kishte zanafillën në një hetim 5-vjeçar, të nisur prej vitit 2015, të drejtuar nga Prokuroria e Firences në Itali. Ai konsiderohet si më i madhi i këtij lloji ndonjëherë kundër krimit të organizuar shqipfolës. Autoritetet italiane bashkëpunuan ngushtësisht me homologët e tyre holandezë, duke ngritur një ekip të përbashkët hetimor. Rreth 4 tonë kokainë dhe mbi 5.5 milion euro janë kapur gjatë këtij hetimi.

28 Tetor 2021

Dritan Rexhepit fiton lirinë me kusht në Ekuador

Në vitin 2021, Dritan Rexhepi i dërgon një letër gjyqtarit Diego Poma, që për arsye shëndetësore, nuk mund të qëndronte më në burg. Ai merrte raporte në spitalin “Guasmo Sur”, që ndodhet në Jug të vendit. Këto raporte u morën në konsideratë nga gjyqtari Poma, i cili gjithashtu duke vlerësuar edhe faktin se Rexhepi e kishte shlyer më shumë se gjysmën e dënimit, më 28 tetor të vitit 2021 e liroi atë me kusht, duke i vendosur byzylyk në këmbë. Kushti ishte që ai të paraqitej dy herë në muaj pranë Qendrës për Riintegrimin Social dhe të firmoste.

Por nëpërmjet avokatit ai kishte paraqitur raporte pushimi 30-45 ditore, për shkak të sëmundjes që pretendohej se kishte, raporte që bëheshin të vlefshme nga gjyqtari Diego Poma. Kur Policia shkoi në adresën që ai kishte dhënë, në mesin e vitit 2022, nuk e gjeti Rexhepin në shtëpi. 48 orë pasi Dritan Rexhepi fitoi lirinë me kusht, doli nga burgu edhe “Fito”.

“Fito” është pseudonimi me të cilin njihet José Adolfo Macías Villamar, i identifikuar në Amerikën e Jugut si lideri i “Los Choneros”, një grup kriminal me origjinë nga qyteti Chone, në provincën Manabi, i cili ka lidhje të rëndësishme me kartelin “Sinaloa”.

José Adolfo Macías Villamar, aktualisht 44 vjeç, mori drejtimin e “Los Choneros” pas vrasjes së Jorge Luis Zambrano, i njohur si “Rasquinia”, më 28 dhjetor të vitit 2020. Ai u qëllua për vdekje në një kafene të qendrës tregtare në mes të ditës, gjashtë muaj pas lirimit nga burgu.

Sipas informacioneve që kishin autoritetet në Ekuador, aktivitetet e paligjshme të “Fitos” datojnë në vitin 2000, kur ai u arrestua për herë të parë për veprën penale të grabitjes. Njëmbëdhjetë vjet më vonë ai u kap dhe u dënua me 34 vjet burg për trafik droge, krim të organizuar dhe vrasje.

“Fito” u mbajt në burgun e njohur si “La Roca”, që nga ajo kohë deri në shkurt të vitit 2013. Më 11 shkurt të atij viti, ai dhe 17 të burgosur të tjerë shumë të rrezikshëm u arratisën nga burgu. Mirëpo, liria e tij mori fund pas 3 muajsh, pasi mëngjesin e 26 majit të vitit 2013 u ndalua sërish. “Fito” dhe vëllai i tij Ronal Javier Macías Villamar, u kapën në sajë të informacionit të marrë nga Ministri i Brendshëm i atëhershëm.

Pasi i arrestua, ai u transferua në burgun Litoral në qytetin e Guayaquil, më i madhi në të gjithë vendin ku edhe mendohet se është njohur me Dritan Rexhepin, me të cilin kishte një histori pothuajse të ngjashme krimesh e arratisjesh nga burgu.

10 Nëntor 2022

Përfitoi nga liria me kusht, Dritan Rexhepi arratiset edhe nga Ekuadori

“Këto janë favoret e drejtësisë ekuadoriane ndaj mbretit shqiptar Dritan Rexhepi”. Kështu e ka titulluar revista “Plan V” kuadrin gjyqësor që i mundësoi atij lirimin me kusht, kur kreu 7 vjet burg nga 13 që ishte dënuar.

Revista Plan V

“Ai nuk pati më nevojë të kapërcente një gardh siç bëri në një burg në Belgjikë ose të arratisej nga një paraburgim kur një oficer në Shqipëri “harroi” të mbyllte derën. Shqiptari Dritan Rexhepi, i quajtur “mbreti i arratisjeve”, e mori biletën e lirimit më 4 nëntor 2021, ndërsa ndodhej në një apartament në një bllok luksoz banimi në Samborondon. Më 28 tetor 2021, Diego Rafael Poma Chamba, gjyqtar i Njësisë së Specializuar Gjyqësore për Garancitë Penitenciare të Guayaquil, pranoi kërkesën e europianit për lirim paraprak, pavarësisht se kishte dy kërkesa ekstradimi, njëra nga Shqipëria dhe tjetra nga Italia, që po shqyrtoheshin. Ai ishte një nga drejtuesit e grupit kriminal shqiptar ‘Kompania Bello’”.

Data 10 nëntor 2022, është data kur ai humbi gjurmët në Ekuador. Atë ditë Dritan Rexhepi u paraqit për herë të fundit në zyrën e gjyqtarit Poma, me emrin Lulzim Murataj, një nga disa identitetet e tij të evidentuara në procesin gjyqësor.

Pas masakrës së parë në burgun e Latacunga, në vitin 2021, ai paraqiti kërkesën për përfitime burgu. Ai arriti të transferohej në IEVP Litoral dhe më pas në një klinikë. Rexhepi mori një vendim të paprecedentë nga një gjykatës në Guayaquil që e lejoi atë të shkonte nga burgu në shtëpinë e tij, përpara se të arratisej. Në këtë rast, ministri i Brendshëm, Juan Zapata, fajësoi ekskluzivisht sistemin gjyqësor.

Juan Zapata: “Vendimet e nxjerra nga drejtësia nuk janë në dorën tonë. Ajo që duhet të bëjë Shërbimi Kombëtar i Kujdesit Gjithëpërfshirës për të Rriturit e Privuar nga Liria (SNAI) është të respektojë veprimet gjyqësore”.

9 Gusht 2023

Vritet kandidati për President, Villavicencio, denoncoi

 gjyqtarin që liroi Dritan Rexhepin dhe liderin e “Los Choneros”

Pasditen e 9 gushtit 2023, një ngjarje e rëndë tronditi autoritetet dhe popullsinë e Ekuadorit, teksa kandidati presidencial Fernando Villavicencio u vra gjatë një mitingu në qytetin e Quitos. Pasi presidenti Guillermo Lasso konfirmoi atentatin, dyshimet se kush do të ishte përgjegjës u drejtuan tek karteli “Sinaloa”. Kjo pasi Villavicencio  kishte denoncuar vetë se më 31 korrik 2023 ishte kërcënuar me vdekje nga një drejtues i rëndësishëm i organizatës në atë vend. Kërcënimi kishtr ardhur pas kësaj deklaratë që ai bëri para shtypit vendas dhe europian.

Fernando Villavincencio:

“Do t’ju flas për një personazh të krimit të organizuar këtu në Ekuador dhe po i referohem zotit Dritan Rexhepi, i cili po ashtu ka edhe emrin Lulëzim Murataj dhe disa emra të tjerë. Një gjë që dua të specifikoj se ky është lideri brutal, më i kërkuari nga Europoli që prej vitit 2021. Ekstradimi i tij kërkohej që prej këtij viti. Ai ka marrë 5 herë përgjigje negative për lirim me kusht.

Ishte gjyqtari Diego Poma që i dha dritën jeshile dhe pranoi raportet e tij mjekësore, duke e dërguar nga burgu në shtëpi, me kushtin që të paraqitej për të firmosur çdo 15 ditë. Por unë kam këto dokumente që ai nuk është parqitur asnjëherë për të firmosur. Dikush tjetër ka firmosur për të.

Prova kryesore që unë kam në dorë është regjistri me firmat false. Çfarë do të thotë kjo? Që narkotrafikantët fitojnë lirinë falë gjyqtarëve. Gjyqtari Diego Poma në këtë formë ka kryer një vepër penale. Ai i dha lirinë në mënyrë të jashtëligjshme narkotrafikantit shqiptar, Dritan Rexhepi.

I njëjti gjyqtar, pas 48 orësh, i dha lirinë edhe kapos së kartelit ‘Sinaloa’, i njohur si ‘Fito’. Gjykojini vetë nesë këto janë thjeshtë koençidenca nga ky gjyqtar që favorizon narkotrafikun.

Falë denoncimit tim, u bë edhe kontrolli në adresën që Dritan Rexhepi kishte dhënë dhe efektivët që kryen verifikimin konstatuan se ai nuk jetonte në vendin ku supozohej se do të kalonte lirinë me kusht. Çfarë lloj drejtësie kemi në këtë vend? Çfarë funksionarësh publikë kemi? Kjo është mafia shqiptare.”

Disa ditë para vrasjes së Fernando Villavicencio, lideri i “Los Choneros bëri një dalje publike, nëpërmjet një videoje, në të cilën ai shpalli një armëpushim paqeje me grupet e tjera kriminale, duke përfshirë “Los Lobos” dhe “Los Tiguerones”, të lidhura me kartelin e Gjeneratës së Re “Jalisco”.

Amerika e Jugut është përballur me trafikun e drogës që nga epoka e Pablo Escobar dhe kartelit “Medellin”, por vetëm në njëzet vitet e fundit problemi ka marrë përmasa kontinentale, duke prekur Meksikën, Kolumbinë, Brazilin, Paraguajin, Argjentinën dhe El Salvadorin. Zona të tëra të Amerikës Latine kanë marrë formën e zonave gri, jashtë kontrollit të autoriteteve shtetërore, ku mbizotëron anarkia dhe ligji i rrugës dhe ku luftërat e bandave janë bërë pjesë integrale e një përditshmërie jonormale.

Më pas janë rastet e “Kufirit të Trefishtë”, ku kryqëzohen shtigjet e karteleve të drogës. Ndërsa Ekuadori tashmë është kthyer si një shtëpi e trafikantëve të drogës që po nxit dhunën në rrugë, veçanërisht Guayaquil, duke tërhequr vëmendjen e Europolit dhe Interpolit.

Mediat vendase herë pas here kanë shkruar se Dritan Rexhepi është unik në mënyrën se si mundi të krijonte një narko-perandori transnacionale tërësisht shqiptare. Por sipas autoriteteve në Ekuador ai nuk ishte i vetmi kriminel nga Shqipëria që u pasurua në Quito.

Hetimet zyrtare kanë vërtetuar se nga 180 shtetasit shqiptarë, duke përfshirë edhe shtetasit nga Kosova, që hynë në Ekuador në vitin 2018, të paktën 20 ishin trafikantë të mundshëm droge. Një aktivitet që nisi ngadalë në fillim të viteve 2000 dhe ndodhi për shkak edhe të korrupsionit shtetëror atje, filloi të ishte i zhurmshëm deri me përdorimin e armëve.

Disa shqiptarë u vranë në Ekuador të paktën 10 vitet e fundit. Gjithçka duket se nisi në Guayaquil, kur më 11 prill të vitit 2013 u vra me armë zjarri gazetari investigativ Fausto Valdiviezo. Motivi dhe autorët mbeten të panjohur edhe sot, por hetimet kanë bërë që hetuesit të dyshojnë për përfshirjen e Adriatik Tresës, një shqiptar që kishte mbërritur atje në të njëjtën kohë me Dritan Rexhepin, në vitin 2011. Më pas, në maj të vitit 2017, disa vrasës me motoçikleta vrasin Ilir Hidrin, një tjetër shtetas shqiptar që po hetohej për aktivitetin e tij të dyshimtë që lidhej me trafikun e drogës. Në nëntor të vitit 2017, në Guayaquil, një komando në një fuoristradë qëllon në drejtim të Remzi Azemit, një shqiptar nga Kosova, që ishte arrestuar bashkë me Dritan Rexhepin në operacionin e vitit 2014, i cili arrin të arratiset dhe të mbijetojë. Në mars të vitit 2018, po në Guayaquil, vrasësit profesionistë, të maskuar si policë rrëmbejnë një çift malazez me kombësi shqiptare, trupat e pajetë të të cilëve do të gjendeshin më vonë. Më 20 nëntor 2020, në të njëjtin vend, skenari i policëve të rremë rikthehet. Këtë herë për të eliminuar Adriatik Tresën. Ai jetonte në një shtëpi luksoze në zemër të “La Aurora” dhe  u vra nga një skuadër pushkatimi e përbërë nga 3 deri në shtatë persona.

Më 10 nëntor 2023, një ditë pasi Dritan Rexhepi u arrestua në Turqi, në Guayaquil vritet një tjetër shtetas shqiptar. 53-vjeçari Arjanit Rizaj, u qëllua për vdekje në makinën e tij, para spitalit “Luis Vernaza”, ku kishte shoqëruar bashkëshorten dhe vetë po qëndronte brenda një automjeti të parkuar.

9 Nëntor 2023

Arrestohet në Stamboll i shumëkërkuari Dritan Rexhepi

Dritan Rexhepi u arrestua mbrëmjen e 9 nëntorit 2023 në lagjen Beylikduzu, në perëndim të Stambollit. Operacioni për kapjen e tij u kodua “Kartel” dhe ishte kompleks.  Një operacion i shërbimeve inteligjente, i koordinuar nga Shërbimi Ndërkombëtar i Bashkëpunimit Policor me Sekretariatin e Përgjithshëm të Interpol Lionit, Shërbimi Qendror Operativ i Policisë italiane dhe Agjencia Antidrogë e Antikontrabande e Turqisë.

Ministri i Punëve të Brendshme të Turqisë, Ali Yerlikaya, disa orë pas arrestimit, më 10 nëntor 2023, dha detaje për operacionin, që ai e konsideroi të një rëndësie të veçantë. Ministri turk deklaroi se vendndodhja e Dritan Rexhepit u përcaktua si rezultat i punës së përbashkët të kryer nga dega Kundër Krimeve Narkotike në Stamboll, Dega e Inteligjencës, Dega Kundër Kontrabandës dhe Kalimit Kufitar të Emigrantëve dhe shkëmbimit të informacionit me Policinë Italiane.

Ministri i Brendshëm i Turqisë

Ali Yerlikaya: “Gjatë operacionit ‘Karteli’ të zhvilluar në Stamboll, u kap Dritan Rexhepi, kreu i kartelit të drogës me emrin ‘Kompania Bello’, i cili kërkohej nga autoritetet italiane dhe shqiptare dhe transportonte drogë nga Amerika e Jugut në Europë.  Unë dua që kombi ynë i dashur ta dijë këtë. Ne jemi të vendosur të pastrojmë vendin tonë nga organizatat kombëtare dhe ndërkombëtare të krimit të organizuar dhe trafikantët e drogës.

U konstatua se Rexhepi, i cili ndiqej ndërkombëtarisht nga Drejtoria jonë kundër Krimeve Narkotike dhe Drejtoria e Inteligjencës së Policisë së Stambollit, nën koordinimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Sigurisë, ka hyrë në vendin tonë nga Aeroporti i Stambollit me pasaportë kolumbiane të regjistruar në emër të Benjamin Omar Perez Garcia. Menjëherë është kryer operacioni ‘Karteli’ për kapjen e Dritan Rexhepit.”

Mediat italiane që pasqyruan arrestimin e tij, duke e quajtur “Pablo Eskobari shqiptar”, shkruanin se Rexhepi, i njohur si lideri i padiskutueshëm i kartelit shqiptar, veproi në të njëjtin nivel me trafikantët kolumbianë dhe ekuadorianë të drogës. Urdhri i arrestit ndërkombëtar më i fundit është ai i Gjykatës së Firences. Drejtoria Antimafia e Firences, në kuadër të operacionit “Los Blancos” e shpallu atë në kërkim si drejtuesi i organizatës kriminale. Ndërsa Gjykata më pas e dënoi 20 vjet burg.

Me gjithë këtë histori kriminale, që vitet e fundit është lidhur me trafikun ndërkombëtar të drogës, Dritan Rexhepi, pavarësisht dyshimeve e here edhe vështirësive për ta pohuar apo pranuar, ka krijuar kartelin e parë shqiptar.

Por pse pikërisht Ekuadori? Arsyet janë të shumta, që nga lehtësia e kalimit të kufijve, te korrupsioni i strukturave përgjegjëse, pozicioni gjeostrategjik i porteve të saj e deri te zotërimi i një ekonomie pa mekanizma kundër pastrimit të parave. Për më tepër, prania e një peizazhi kriminal të decentralizuar, ndryshe nga Kolumbia, Brazili apo Meksika, u lejon grupeve të huaja kriminale një shkallë mjaft të lartë autonomie. Kjo u demonstrua nga “Kompania Bello” e Dritan Rexhepit por edhe nga përplasjet midis bandave të ndryshme shqiptare që veprojnë në Guayaquil.

Historia e shqiptarëve në Ekuador herë pas here ka tërhequr vëmendjen e reporterëve europianë, që në disa raste, veprimtarinë kriminale të Dritan Rexhepit e kanë konsideruar si një udhëtim kurioz të trafikantit shqiptar.

Por duket se ky udhëtim nuk do të përfundojë as me goditjen e “Kompania Bello” dhe as me ekzekutimin e frikshëm e enigmatik të Adriatik Tresës. “Në Ekuador tashmë është bërë thuajse e pashmangshme. Pas Dritan Rexhepit e Adriatik Tresës do ketë edhe të tjerë. Pasi në Quito e Guayaquil, flitet më shumë shqip se spanjisht”./abcnews

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat