Grupi i goditur nga SPAK, i përfshirë në trafik droge nga Amerika Latine

Shqipëria

Grupi i goditur nga SPAK, i përfshirë në trafik droge nga Amerika Latine

Më: 21 nëntor 2023 Në ora: 17:28
Prokuroria dhe Gjykata e posaçme, Tiranë

Grupi i goditur të hënën me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, ku dyshohet se bënin pjesë dhe ish zyrtarë apo oficerë të policisë, rezulton të jetë i përfshirë në trafiqe të drogës nga Amerika Latine në Europë, si dhe në ngjarje kriminale të ndodhura në Shqipëri. Nga 11 persona për të cilët ishin lëshuar urdhëra arresti, u kapën vetëm 5 prej tyre, ndërsa të tjerët rezultojnë të jenë jashtë Shqipërie. Në pranga përfundoi ish zëvendës Drejtori i Policisë së Tiranës Erzen Breçani; drejtuesi aktual i Hetimit të Krimit në Komisariatin 6 në Tiranë Dedan Gjoni; Bujar Gërmizi, një personazh i cili dyshohet të ketë aktivitet të ndjeshëm në trafikun e drogës, si dhe Besmir Murati, i lidhur ngushtë me Gërmizin. Një tjetër oficere e policisë e cila punonte në drejtorinë e Kufirit Jonida Babameto, është lënë nën masën “detyrim paraqitje”. Mes personave në kërkim është Ervin Mata, një emër i njohur, i cili dhe më parë ka qenë i dyshuar për përfshirje në trafikun e drogës.

Ish zyrtari i policisë Breçani dyshohet për përkrahje të autorit të krimit dhe pastrim parash. Djali i tij, Eralb Breçani është po ashtu mes personave të kërkuar. Nuk është ende i qartë roli i tyre dhe ngjaret konkrete në të cilat mund të jenë përfshirë. Ndërsa oficeri i policisë Gjoni, dyshohet se ka ndihmuar Gërmizin, i cili synonte vrasjen e dy vëllezërve shqiptarë që jetonin në Britanin e Madhe, për shkak të prishjes së pazareve të drogës. Gjoni mendohet të ketë implikuar dhe oficeren e kufirit, Babameto, e cila ka ofruar informacione për hyrje daljet në Shqipëri të vëllezërve të cilit ishin vënë në shënjestër nga Gërmizi.

Goditja e grupit u bë falë zbërthimit nga autoritetet policore europiane të aplikacionit SKY ETC, i cili përdorej nga grupet kriminale pasi ofronte komunikim të koduar. Në njoftimin e saj Prokuroria e Posaçme bëri të ditur se hetimet janë zhvilluar “në bashkëpunim intensiv me Eurojust, Europol dhe agjencitë ligjzbatuese hollandeze, belge, gjermane, braziliane, kolumbiane dhe franceze”. Sipas Prokurorisë së Posaçme “gjatë hetimeve intensive të kryera nga hetuesit e BKH-së, nën drejtimin e prokurorëve të posaçëm, është bërë i mundur dokumentimi i aktivitetit kriminal të personave të dyshuar, si dhe identifikimi i disa prej autorëve të ngjarjeve kriminale dhe të kryerjes së veprave penale, që janë kryer në bashkëpunim, në formë e grupit të strukturuar kriminal”, ku përmendet sekuestrimi i 446 kg kokainë në Hollandë, në janar të vitit 2023, i 69 kg kokainë në Brazil në një muaj më pas, sekuestrimi në Erëitte i 166 kg marijuanë, e nisur nga Spanja për në Gjermani, apo dhe i një sasie prej 250 kg kokainë, e nisur nga Brazili për në aeroportin e Frankfurtit në Gjermani.

Gjatë kontrolleve në banesat e të dyshuarve janë gjetur dhe sekuestruar shuma monetare, automjete, telefona, armë zjarri të ndryshme, ndërsa është kërkuar sekuestrimi dhe i pasurive të cilat rezulojnë të jenë krijuar nga të ardhurat e siguruara nga aktivitetet kriminale. Prokuroria e Posaçme bëri të ditur se “po vazhdohet me dokumentimin e episodeve të tjera të trafikimit të lëndëve narkotike nga Brazili, Kolumbia, Ekuadori dhe vende të tjera të Amerikës Latine në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian”./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat