Sërish kaos në Kuvend/ Reagimet e opozitës pas seancës plenare

Shqipëria

Sërish kaos në Kuvend/ Reagimet e opozitës pas seancës plenare

Më: 4 dhjetor 2023 Në ora: 12:02
Sërish kaos në Kuvend/ Reagimet e opozitës pas seancës plenare

Deputetët e opozitës pas seancës plenare mes kaosit, flakadanëve dhe zjarrit, theksuan se nuk do të tërhiqen nga ‘aksioni’ në Kuvend.

Ish-kryeministri, Sali Berisha theksoi se deputetët e opozitës nuk do të ndalen dhe se mosbindja civile do të vazhdojë. Ai e cilësoi seancën e sotme një tjetër sukses të deputetëve opozitarë.

“Ju patë sot se si Linda e parlamentit është e aftë të shkatërrojë çdo gjë për hir të Edi Ramës. Por e garantoj Edi Ramën se nuk ka Lindë në botë që mund ta mbrojë atë dhe se për puçin e tij, për grushtin e shtetit brenda shtetit, dmth për marrjen e pushteteve të parlamentit dhe bllokimin e të drejtave kushtetuese  të deputetëve, ai do trajtohet si puçist dhe do marrë përgjigjen që meriton. Mosbindja civile sot ishte suksesi i radhës i deputetëve të opozitës. Ju e patë se si e kishin rrethuar parlamentin, se si ishin vënë 15 në një derë, por asgjë nuk e pengoi aksionin, betejën pa kthim të opozitës dhe u detyruan të funksionojnë si në parlament, si në shpellë. Kreativiteti në mbrojtje të parlamentarizmit nuk njeh kufi. Kjo është seanca e turpit, që u shërbye nga deputetë mercenarë që nuk kanë kodin minimal etik të ligjit dhe Kushtetutës. Ata që folën sot janë mëkatarë kryesorë në grupin parlamentar dhe unë i thashë atij Sinës, se ai e bën për herë të dytë. Ai është grabitqar i pasurive publike të fshatrave të Vlorës, me një gurore ka detyruar që të largohen sa e sa familje. Prandaj e kanë të kapur dhe flet pa asnjë lloj kodi etik, pa asnjë respekt për ligjin dhe Kushtetutën. Por ne nuk dekurajohemi nga Petro Koçër dhe këta lloj deputetësh skllevër të Edi Ramës. Ne do vazhdojmë betejën tonë gjer në krijimin e komisioneve hetimore parlamentare. Gjer në hetimin në çdo qindarkë të sarajeve të Surrelit të ngritura mbi krimin”, tha Berisha.

“Në kuptimin të ngritura mbi ryshfetin, të ndërtuara nga ndërtues pas shpërblimeve që u ka bërë Edi Rama me punëra të tjera. Edi Rama ka ndërtuar gjithsej në kohën e ndërtimit të tyre, 3800 euro dhe 400 mijë lekë. Parku 5 mijë metër katrorë është blerë me një çmim minimumi 10 deri në 12 herë nga sa është deklaruar dhe është blerë në kushte flagrante të shkeljes së ligjit. Edi Rama do hetohet për çdo udhëtim të tij, për 140 fluturimet e tij në dy vite, që u kanë kushtuar taksapaguesve shqiptarë mbi 22 milionë euro. Do hetohet për të gjitha takimet që ka bërë gjatë këtyre udhëtimeve.  Rivalitet në drogë, rivalitet në krime, ky është realiteti i hidhur i këtyre ditëve, i kësaj qeveria. Beteja vazhdon. Edi Rama do hetohet për të gjitha krimet e tmerrshme që ka kryer.  Pra, nëse ai nuk ka frikë nga hetimi, të pranojë, përndryshe, grushti i shtetit do përmbyset”, shtoi ai.

Nga ana tjetër, deputeti Gazment Bardhi u shpreh se opozita nuk do të tërhiqet nga aksioni i saj, duke e cilësuar anormale seancat e fundit plenare.

“Siç edhe e patë, edhe pse prej kohësh Kuvendi është futur në një anormalitet, maxhoranca nuk ka asnjë reflektim sa i takon respektimit të të drejtave të opozitës. Opozita shqiptare nuk ka kërkuar asnjë favor të vetin. Opozitës i mohohet e drejta për të pasur përfaqësues të saj në Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe shqiptarëve s’do iu jepet mundësi që në zgjedhjet e ardhshme shqiptarët të kenë zgjedhje të ndershme. Opozitës i mohohet e drejta për të kontrolluar qeverinë. Kjo e drejtë na mohohet prej dy muajsh, Ajo që patë sot ishte vijim i aksionit tonë për të mos lejuar dhe deputetët e PS që të punojnë në mënyrë normale. Sot në Kuvend jemi përballur me rrethimin nga forcat e sigurisë, një ndodhi në një vend anëtar të NATO-s. U rrethuam me forca sigurie. Kjo godinë dhe kjo sallë ka humbur misionin e vetë dhe të përfaqësimit të qytetarëve, por është pushtuar nga forcat e sigurisë. Ne do të vazhdojmë që qëndrojmë në këtë aksion. Nuk kemi ndërmend të tërhiqemi. Pasi do të thotë që të pranojmë de-facto rënien e shtetit të së drejtës. Apeli im për maxhorancës, është që në vend të forcës të fusë në punë arsyen dhe logjikën”, tha Bardhi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat