Çollaku komenton vizitën e Bashës në SHBA dhe zbulon arsyen pse Malltezi nuk i merr dot “frenat” e Rithemelimit

Shqipëria

Çollaku komenton vizitën e Bashës në SHBA dhe zbulon arsyen pse Malltezi nuk i merr dot “frenat” e Rithemelimit

Më: 7 dhjetor 2023 Në ora: 08:35
Kreshnik Çollaku

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku, ka komentuar qëllimet e vizitës së Lulzim Bashës në SHBA. Dje, në  një intervistë televizive, ai tha se nuk është një super-lajm që ai po merr pjesë në forumin e Unionit Ndërkombëtar Demokrat pasi tashmë është fakt që ai njihet si kryetar i PD nga ndërkombëtarët. “Qëllimi i vizitës ka dy plane. E para e natyrës më ndërkombëtare, zhvillohet unioni i partive të djathta ndërkombëtarisht. E dyta Basha do ketë takime bilaterale në Shtëpinë e Bardhë dhe në DASH”, deklaroi ai.

Nga ana tjetër Çollaku tha se nuk ka nevojë për foto për të pohuar faktin që SHBA-të janë në mbështetje të plotë të PD.

“Nuk e kuptoj çudinë tuaj. Është kryetar i PD. S’ka pse të prodhojë një ngjarje apo super ngjarje fotot apo ekspozimi i takimeve. S’ka nevojë për foto për të pohuar një fakt që SHBA janë në mbështetje të plotë të PD. Takimi në SHBA është i madh i partive të qendrës së djathtë në nivel global. Nuk është merak apo strategji nxjerrja e fotove por kur ka aktivitete nuk është ndonjë dramë kur nxirren foto. Kjo është një ndër provat që kursi i PD është në përputhje të plotë me SHBA. Një foto nuk e ndryshon realitetin”, u shpreh ai.

Dalja e parë në një podium politik e Argita Berishës Malltezit në Kuvendin e foltores, thirrur nga Sali Berisha më 2 dhjetor 2023, pati shumë reagime dhe aludime se ajo do të marrë drejtimin e Rithemelimit tashmë që Berisha po përballet dhe me drejtësinë. Çollaku deklaroi se një nga faktorët kundër saj është koha dhe fakti që është “non-grata”, si Sali Berisha.

“Fakti se do ti futet politikës është një supozim. Unë e njoh Argitën në mënyrë të pjesshme kemi qenë në grevën e urisë në 91 pastaj pedagogë në universitet. Ndaj një respekt të ndërsjellë. Nëse do kishte qenë disa vite më parë do kishte qenë histori interesante. Sot ka faktorë kundër, pro dhe faktor kohë. Argita fatkeqësisht për shkak të sanksionimit të Berishës është e sanksionuar. E dyta trashëgon një situatë politike në një përçarje shumë të thellë dhe me një krizë në kuota të ulëta. Rithemelimi mezi mori 6 bashki”, nënvizoi Çollaku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat