Qeveria miraton amnistinë për të dënuarit dhe e dërgon në Kuvend për votim, përfitojnë rreth 600 të burgosur

Shqipëria

Qeveria miraton amnistinë për të dënuarit dhe e dërgon në Kuvend për votim, përfitojnë rreth 600 të burgosur

Më: 7 dhjetor 2023 Në ora: 10:47
Ulsi Manja

Qeveria ka miratuar projektligjin për amnistinë, i cili është depozituar në Kuvend. Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja zbuloi dje në një  prononcim për media se rreth 600 të dënuar do të kalojnë festat pranë familjarëve. “Doja të falënderoja kolegët në qeveri që votuan pr.ligjin për dhënien e amnistisë. Ky pr.ligj do depozitohet në kuvend dhe fjalën e kanë deputetet që duhet të japin votën e tyre shumicë e cilësuar për kalimin e pr.ligjit për dhënien amnistie. Nga kjo amnisti, nëse do të marrë votën e deputetëve në Kuvend përfitojnë rreth 600 persona të dënuar që t’i kalojnë festat pranë familjarëve. Projektligji për dhënie amnisti është në Kuvendin e Shqipëri”, deklaroi ai. Më tej ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, gjatë prezantimit të projektligjeve të miratuara dje nga qeveria u pyet edhe në lidhje me marrëveshjen me Italinë për emigrantët dhe dërgimin e saj nga opozita në Gjykatën Kushtetuese. Manja tha se marrëveshja s’ka si të jetë anti-kushtetuese, pasi ka kaluar të gjitha filtrat para se të nënshkruhej nga dy kryeministrat. Kujtojmë se pak ditë më parë Ministria e Drejtësisë i përcolli qeverisë draftin final të amnistisë në burgje e cila do të ketë 620 përfitues të dënuar. Ulsi Manja theksoi se dokumenti që do shqyrtohet në qeveri, ka reflektuar rekomandimet e kërkuara nga SPAK, KLGJ dhe Prokuroria e Përgjithshme, duke e bërë amnistinë edhe më të plotë si dhe duke rritur numrin e përfituesve. Në total, dokumenti i amnistisë ka tetë nene dhe gjashtë faqe, ku përcaktohen përfituesit, por edhe personat e përjashtuar nga përfitimi prej saj. Sakaq, me propozim të Ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, Këshilli i Ministrave në mbledhjen e pasdites së djeshme ka emëruar Klevis Qosen, Drejtor të Përgjithshëm të Shërbimit të Provës.

Kush janë përfitues nga amnistia?

Sipas nenit tre të draftit, përjashtohen nga vuajtja e dënimit të dënuarit meshkuj me vendime të formës së prerë të dhëna deri në 20 nëntor 2023, deri në 3 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën ose një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi. Përfituese janë edhe të dënuarat femra deri në 30 nëntor 2023, me vendim të formës së prerë, me burgim deri në 4 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi. Në listën e përfituesve janë edhe meshkujt të cilëve u kanë mbetur edhe 3 vjet dënim në momentin e hyrjes në fuqi të amnistisë, si dhe femrat të cilave u kanë mbetur edhe 4 vjet. Po kështu, përfitojnë të dënuarit meshkuj, të cilët, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 60 vjeç dhe gratë baras ose mbi moshën 50 vjeç si dhe personat e dënuar me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç.

Kush nuk përfiton nga amnistia?

Neni 4 përcakton kriteret ndaluese nga përfitimi i amnistisë, dhe liston aty të dënuarit për vepra të rënda, si krime kundër jetës, kundër njerëzimit, krim i organizuar, vepra të rënda penale, etj. Në nenin 5 të amnistisë, përcaktohet se të gjithë personat e dënuar, të cilët nuk plotësojnë kriteret për t’u liruar, u zbritet 1 vit e gjysmë për personat e dënuar, gra, dhe të mitur dhe 1 vit për personat e dënuar, burra. Nga ky përfitim ulje dënimi përjashtohen të dënuarit përjetë, të dënuarit për vrasje dhe të dënuarit nga gjykata e posaçme për korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ligji i amnistisë do dërgohet në Kuvend dhe hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në fletoren zyrtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat