Parlamentit i shkon kërkesë zyrtare për riatdhesimin e eshtrave të Fan Nolit

Shqipëria

Parlamentit i shkon kërkesë zyrtare për riatdhesimin e eshtrave të Fan Nolit

Më: 8 dhjetor 2023 Në ora: 12:32
Fan Noli

Vatra, një shoqatë shqiptare-amerikane që daton që prej vitit 1912, i ka dërguar një kërkesë formale Kuvendit shqiptar për riatdhesimin e trupit të Fan Nolit, shkrimtarit të famshëm, shkencëtarit dhe themeluesit të Kishës Ortodokse shqiptare.

Euronews Albania u bë media e parë vendase që raportoi për fushatën e kësaj organizate për të sjellë në atdhe trupin e Nolit, i cili vdiq në Shtetet e Bashkuara në vitin 1965.

Noli është i njohur për kontributin e tij në letërsi, histori, teologji, diplomaci, gazetari, muzikë dhe bashkim kombëtar, dhe ka luajtur një rol kyç në konsolidimin e shqipes si gjuhë kombëtare dhe ka përkthyer shumë vepra të njohura të letërsisë botërore.

I lindur në qarkun e Korçës, ai jetoi në Shtetet e Bashkuara, frekuentoi Harvardin, Konsevatorin e Muzikës në Nju Ingland dhe Universitetin e Bostonit. Ai u shugurua prift, themeloi Kishën Ortodokse shqiptare dhe ishte ndër të parët që përdori gjuhën shqipe në predikime kishtare. Ai gjithashtu udhëhoqi përpjekjet diplomatike pas Luftës Botërore I për ribashkimin e Shqipërisë dhe shërbeu shkurtimisht si kryeministër deri sa u rrëzua nga Ahmet Zogu, më vonë Mbreti Zog.

Gazetarja Alice Taylor intervistoi për Inside Albania doktorin shqiptar Skënder Murtezani, drejtues i degës së Vatrës në Kuins, i cili ka jetuar në SHBA për 33 vjet. Ai foli për një fushatë për riatdhesimin e trupit të Nolit, pas një fushate të ngjashme dhe të suksesshme për të sjellë trupin e Mid’hat Frashërit në vitin 2013.

Tani, hapi i ardhshëm i procesit është në zhvillim, pasi një kërkesë formale për të trajtuar temën në Kuvendin shqiptar është dorëzuar më 7 dhjetor 2023.

Kërkesa drejtuar Kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla, lexuar nga Euronews Albania, thotë: “Është koha që Theofan Stilian Noli të pushojë përfundimisht në vatan.”

“Ne besojmë fort se riatdhesimi i eshtrave të imzot Nolit në Shqipëri do të përmirësonte disbalancën në komunitetet tona fetare, dhe përfundimisht do ta rregullonte atë,” duke theksuar se vetë Noli ka thënë: “Kisha Autoqefale Ortodokse Shqiptare nuk i përket vetëm besimtarëve ortodoksë, por të gjithë shqiptarëve.”

Kërkesa vijon, “Ne, si anëtarë dhe drejtues të Vatrës, urojmë shumë që ky Parlament i nderuar do ta marrë në konsideratë kërkesën tonë, duke theksuar fort se kjo kërkesë është për forcimin e unitetit tonë kombëtar dhe vlerësimin e figurave tona historike.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat