15 urdhërarrestet për inceneratorin e Tiranës, Zhupa: SPAK ka detyrimin ligjor të hetojë edhe Ramën

Shqipëria

15 urdhërarrestet për inceneratorin e Tiranës, Zhupa: SPAK ka detyrimin ligjor të hetojë edhe Ramën

Më: 9 dhjetor 2023 Në ora: 12:28
Ina Zhupa

Deputetja e PD, Ina Zhupa ka reaguar pas 15 urdhërarresteve nga SPAK si të dyshuar në përfshirjen e aferës së inceneratorit të Tiranës.

Zhupa i ka bërë thirrje SPAK-ut që të hetojë edhe kreun e qeverisë, Edi Ramën, në kuadrin e hetimeve dhe arrestimeve të nisura lidhur me inceneratorin e Tiranës dhe vjedhjen e fondeve publike.

Por, po njesoj edhe kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn, pasi "SPAK ka detyrimin që t’i lidhë zyrtarët, siç janë të lidhur me njëri-tjetrin, si një grup i strukturuar kriminal, me në krye kryetarin e qeverisë, Edi Rama dhe kryetarin e bashkisë Erion Veliaj."

"Arrestimet e SPAK për inceneratorin e Tiranës janë lajm i mirë nëse janë vetëm nisja e arrestimeve që do të çojë te kokat e vërteta të aferës. - I bëj thirrje SPAK-ut që të hetojë inceneratorin e Tiranës, duke përfshirë dhe kryeministrin Rama, i cili është personi që ka firmosur kontratën.

Ligji detyron që tenderi zgjat 52 ditë, ndërsa për qeverinë Rama vetëm 16 ditë. Duke bërë kështu shkeljen e parë për Inceneratorin e Tiranës. Vallë këta punonjësit bashkiakë e bënë këtë shkelje ligjore?! Sigurisht që jo!

Por pse u bë kjo shkelje? Sepse fituesi ishte paracaktuar dhe ishte Mirel Mërtiri, i cili nuk është i panjohur por që kishte marrë dhe dy inceneratorët e tjerë, atë të Elbasanit dhe Fierit përmes të afërmve të tij.

I madh e i vogël e kupton që Bashkia Tiranë nuk do të futej në aferën 430 milion euro vetëm me vullnetin e disa punonjësve bashkiakë. Kjo skemë nuk kishte si të mos përfshinte dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn. Shkresa për të marrë mendim i është dërguar të pesë bashkive të qarkut Tiranë.

Në vend që shkresa t’i dërgohej Këshillit Bashkiak, Erion Veliaj nuk e kalon në Këshillin Bashkiak, e firmos vetë për të dhënë pohimin për inceneratorin e Tiranës. Jo vetëm që anashkalon Këshillin Bashkiak, por vendos edhe për 4 bashkitë e tjera të qarkurt Tiranë.

Pse e bën ai këtë shkelje, pse Erion Veliaj ka shkelur ligjin?! -  Kjo është një pyetje të cilës duhet t’i përgjigjet SPAK, ku duhet të zbulojë dhe rolin e Erion Veliajt në këtë aferë dhe pse e ka shkelur ligjin, çfarë përfitimesh ka pasur.

SPAK ka detyrimin që t’i lidhë zyrtarët, siç janë të lidhur me njëri-tjetrin, si një grup i strukturuar kriminal, me në krye kryetarin e qeverisë, Edi Rama dhe kryetarin e bashkisë Erion Veliaj.

Çdo përpjekje për t’i copëzuar synon mbrojtjen e tyre nga kjo akuzë e tmerrshme dhe reale dhe nuk ndihmon në nxjerrjen para drejtësisë të atyre që kanë vjedhur qindra miliona euro nga taksat e qytetarëve.", shprehet Zhupa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat