“Mungesë mjekësh dhe probleme me ushqimin e pacientëve”, çfarë zbulojnë auditimet për Hemodializën

Shqipëria

“Mungesë mjekësh dhe probleme me ushqimin e pacientëve”, çfarë zbulojnë auditimet për Hemodializën

Më: 13 dhjetor 2023 Në ora: 21:36
Shkrimi

Sipas protokollit të dializës çdo pacient që merr shërbimin duhet të trajtohet me dietë ushqimore të personalizuar në varësi të gjendjes klinike.

“Ushqimi është i njëjtë prej 4 vitesh nuk ka ndryshuar, dhe për të gjithë është njëlloj”, u shpreh Isa Muhadri, pacient me dializë.

Duke qenë e rëndësishme për terapinë, dieta ushqimore është parashikuar në kontratën koncesionare që rezulton se është shkelur rëndë nga kompania koncesionare DiaVita. Kjo, është konstatuar edhe nga auditimet e kryera nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

U vërejt se, për të gjithë pacientët ofrohej e njëjta dietë ushqimore e pa personalizuar për çdo pacient, ndonëse kontrata e koncesionit në Aneksin 8 ka të përcaktuar që dietologu do të punojë më kohë të pjesshme në çdo qendër.

Pra, këto shkelje të konstatuara, rrezikojnë rëndë një pacient si Arditi 34-vjeçar. Ai ka sëmundje bashkëshoqëruese dhe ushqimi i tij duhet të jetë i diferencuar.

Arditi ka kaluar 3 herë vdekje klinike në Fier, para se të zhvendosej në Tiranë për një shërbim më të specializuar. Por, auditimet zyrtare zbulojnë mangësitë në qendrat e dializës së kompanisë DiaVita, që rrezikojnë jetën e pacientëve. Aty nuk janë të pranishëm mjekët specialist gjatë terapive.

Në të pesë qendrat e hemodializës, mjeku nefrolog është i punësuar me kohë të pjesshme po kështu në disa raste edhe mjeku i përgjithshëm, ka mosplotësim të numrit të punësimit për mjekët e përgjithshëm, nuk është plotësuar asnjë qendër me një mjek si: endokrinologë, gastrohepatologë, dietologë, teknikë laborant.

Jeta e pacientëve me sëmundje bashkëshoqëruese është edhe më e vështirë. Në shumë raste fatura e medikamenteve bëhet e papërballueshme. E tillë është familja e Ladimir Gjikës, i cili është baba i 4 fëmijëve.

Dy janë autikë, ndërsa djali 15-vjeçar është në dializë. Adoleshenti ka edhe sëmundje të tjera bashkëshoqëruese. Fatura mujore për trajtimet e tij shkon plot 50 mijë lekë të reja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat