Vrasja në Peqin tremb autoritetet, Forcat Operacionale kontroll në të gjitha burgjet e sigurisë së lartë

Shqipëria

Vrasja në Peqin tremb autoritetet, Forcat Operacionale kontroll në të gjitha burgjet e sigurisë së lartë

Më: 15 dhjetor 2023 Në ora: 22:41
Foto ilustrim

Forcat Operacionale të Burgjeve kanë ndërmarrë një aksion duke zhvilluar kontrolle në të gjitha burgjet e sigurisë së lartë në vend.

Kontrollet vijnë pas ngjarjes në burgun e sigurisë së lartë të Peqinit, ku Sokol Mjacja brenda ambiente të IEVP ka vrarë me armë zjarri Arben Lleshin dhe ka plagosur Ilir Shaqjan.

Mësohet se kontrollet po kryhen për gjetjen dhe sekuestrimin e sendeve të paligjshme.

Ngjarja ka ndodhur ndërsa një pjesë e të burgosurve ndodheshin jashtë qelisë, në zonat e ajrimit. Mes tyre edhe Mjacaj, i cili sipas të dhënave ende jo zyrtare dyshohet të jetë afruar të dritarja e qelisë së Lleshit, të cilin e ka thirrur me emër. Në momentin që ai është shfaqur, drejt tij Mjacaj mësohet të ketë qëlluar me disa plumba, njëri prej të cilëve ka kapur në këmbë të dënuarin tjetër Shaqja, i cili ndodhej në qeli me të. Mjacaj më pas,sipas burimeve, është tërhequr në një mjedis të brendshëm dhe vetëm pas bisedimeve të gjata me autoritetet e burgut, është vetëdorëzuar.

Për ngjarjen policia nuk ka dalë ende me reagim zyrtar, ndërsa ministri i Drejtësisë Ulsi Manja nuk dha detaje mbi krimin në deklaratën për media, duke thënë se po zhvillohen hetimet.

Pikëpyetja kryesore lidhet me faktin se si është arritur të futet një armë zjarri, në një burg të sigurisë së lartë. Dyshimet e para janë ato të përdorimit të mundshëm të një droni.

Ndërsa mbeten të paqarta motivet, një nga pistat kryesore mendohet të jetë ajo e një vrasjeje me pagesë.

Në vitin 2016, Mjacaj, vrau gjatë një grabitjeje, dy turistë çekë. Të dënuarit e tjerë që u qëlluan prej tij, ishin akuzuar po ashtu për vrasje. Lleshi kishte vrarë një shqiptar në Britaninë e Madhe në vitin 2012, ndërsa Shaqja është autor i vrasjes së dy grave të moshuara në Durrës, në vitin 2016, gjatë një grabitjeje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat