“Rrinte në burg me pistoletë në xhep?”, gazetari habit Fevziun: Sokol Mjaçaj mbante armën deri më 12 Dhjetor

Shqipëria

“Rrinte në burg me pistoletë në xhep?”, gazetari habit Fevziun: Sokol Mjaçaj mbante armën deri më 12 Dhjetor

Më: 19 dhjetor 2023 Në ora: 22:37
Merin Maçi

Sokol Mjaçaj e posedonte armën edhe në momentet që ka qenë në një sektor tjetër të burgut deri më 12 Dhjetor”, kështu ka deklaruar gazetari i Tv Klan, Merin Maçi.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Maçi thotë se Sokol Mjaçaj ka deklaruar para uniformave blu se armën me të cilën kreu krimin në burgun e Peqinit e kishte fshehur prej ditësh në një kuti qumështi.

Blendi Fevziu: Pse e kaluan në regjimin 41 Bis?

Merin Maçi: Nga informacionet që kam, është një procedurë e cila ka nisur 6 muaj më parë, ku Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Drejtorinë e Burgjeve ka nisur një relacion për vendosjen e këtij të burgosuri në regjimin 41 Bis pas informacioneve që kishte arritur të sigurojë. Ky person ishte kapur disa herë me telefon dhe dyshohet për një telefon të tretë me të cilin dyshohej se kishte komunikime me botën jashtë ambienteve të sigurisë së lartë. Kishte ngritur dyshimet se ky personazh ishte i implikuar në veprimtari kriminale dhe brenda në ambientet e burgut. Urdhri është firmosur nga Manja. Ky njoftim duket se ka vënë në lëvizje Mjaçajn, i cili është vënë në dijeni se do të transferohej në regjimin 41 Bis. Në këto momente, teksa Mjaçaj kishte lënë ambientet e ajrosjes, është ngritur për tek dhoma e tij, në sektorin B dhe është drejtuar për në ambientet e tualetit dhe ka marrë diçka për t’u larguar në ambientet e ajrosjes.

Blendi Fevziu: Po pistoletën ku e gjeti në burg?

Merin Maçi: Kjo është një pjesë që i takon hetimit. Ka informacionet që unë kam dhe nga hetimet që po zhvillon prokuroria, ky person e posedonte këtë pistoletë edhe në momentet që ka qenë në sektor tjetër.

Blendi Fevziu: Si mo, rrinte në burg me pistoletë në xhep?

Merin Maçi: Mesa duket deri më 12 Dhjetor. Për mbajtjen e armës, i ka komunikuar drejtorit të Peqinit se e kishte fshehur prej ditësh në një kuti qumështi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat