Kursi i këmbimit zhvlerëson importet, 36 milionë euro minus deri në Nëntor, TVSH-ja mban peshën kryesore

Shqipëria

Kursi i këmbimit zhvlerëson importet, 36 milionë euro minus deri në Nëntor, TVSH-ja mban peshën kryesore

Më: 20 dhjetor 2023 Në ora: 08:01
Foto ilustrim

Mbiçmimi i lekut në raport me monedhën europiane po i sjell më pak të ardhura buxhetit të shtetit sa i takon atyre zërave që mblidhen nga doganat shqiptare. Të dhënat fiskale të Ministrisë së Financave për 11 mujorin e këtij viti, vënë në dukje se të ardhurat doganore, të cilat përfshijnë të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare, u realizuan në vlerën 197.5 miliardë lekë,  3.6 miliardë lekë ose 1.8% më pak se 11 mujori 2022.

Po ashtu edhe në raport me planin, të ardhurat doganore rezultojnë  2.5 miliardë lekë ose 1.3% më pak se plani i të ardhurave doganore për 11 mujorin e vitit 2023. Konkretisht të ardhurat nga TVSH në import për 11 mujorin janë ulur me 7.4 miliardë lekë  apo 5.3 për qind më pak se një vit më parë, duke u regjistruar në total në 133.5 miliardë lekë.  Ndërsa rënia në raport me planin llogaritet në 2.2 miliardë lekë. 

Kjo nuk lidhet me volumin e mallrave të importuara por me zhvlerësimin e tyre për shkak se blihen në monedhën europiane. Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 53 miliardë lekë, 4.3 miliardë lekë ose 8.9% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2022 për shkak të bumit turistik dhe rritjes masive të konsumit të mallrave të akcizës si karburanti, kafe, cigare dhe alkool, për sërish edhe ky zë ka rezultuar nën planifikimin e bërë për 11 mujorin, me afro 0.9%.

Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 2.7 miliardë lekë, 1.2 miliardë ose 31.4% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe realizim në masën 95.1% kundrejt planit për 11-mujorin 2023. Ndërsa të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 8.3 miliardë lekë, apo 8.7% më shumë se 11 mujori 2022.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat