Vrasja e Arben Lleshit në burgun e Peqinit/ Eksperti: Nxori në pah dobësitë e elementëve të sigurisë

Shqipëria

Vrasja e Arben Lleshit në burgun e Peqinit/ Eksperti: Nxori në pah dobësitë e elementëve të sigurisë

Më: 21 dhjetor 2023 Në ora: 06:31
Fatjon Softa

Javën e shkuar burgu i sigurisë së lartë në Peqin u trondit nga një ngjarje e rëndë. I dënuari me burgim të përjetshëm, Sokol Mjacaj ekzekutoi me armë zjarri Arben Lleshin brenda qelisë, ndërsa një i dënuar tjetër mbeti i plagosur.

Ekspert sigurisë, Fatjon Softa, ngjarjen e Peqinit e konsideroi të rëndë, ndërsa tha se doli në pah dështimi i elementëve të sigurisë në burgjet e Shqipërisë.

Ai theksoi se dy janë pistat kryesore, të cilat besohet se janë vënë në zbatim për futjen e armës së krimit brenda burgut.

“Ngjarje e rendë, që ndodh për herë të parë që në burgjet shqiptare depërton një armë zjarri dhe me pasojë një të vdekur dhe një të plagosur. Ngjarja tregoi dobësi e elementeve të sigurisë në burgje. Një piste ishte ajo e dronit dhe e dyta mundësia e depërtimit nëpërmjet elementëve të sigurisë apo dobësisë së punës së personelit. Arben Lleshi kishte bërë një vrasje në Angli dhe kjo vrasje dyshohet se mund të jetë rrjedhojë për të marrë hak dhe për ta eliminuar”, tha ai.

I ftuar në “Ora e Fundit”, Softa komentoi edhe krimin e rëndë të një muaji më parë në Kosovë ku u ekzekutua Liridona Ademaj, nëna e dy fëmijëve dhe si person i dyshuar dhe organizator po hetohet bashkëshorti i saj Naim Murseli.

Ai theksoi se kjo ngjarje është komplekse dhe hermetike, ndërsa prokuroria nuk ka ndarë detaje.

“Sot kemi katër persona të ndaluar nga policia dhe prokuroria e Kosovës, të cilët janë në masa sigurie, çështja është në hetim, është komplekse, prokuroria është shumë hermetike dhe informacionet janë shumë të pakta”, tha ai.

Eksperti foli edhe për arrestimin e baronit të drogës, Gëzim Çela, i cili u prangos në Kosovë, ndërsa Shqipëria ka nisur procedurat për ekstradimin e tij.

I pyetur se cilat mund të jenë arsyet që Çela është strehuar në Kosovë, Softa dha këtë përgjigje:

“Ai është një person, që ka pasur një aktivitet të shtrirë, sidomos nëpërmjet Turqisë për lëvizjen e drogës. Po ashtu rrugë kalimi ishte Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, por edhe Kosova nuk përjashtohet”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat