Gati prangat? Ja vendimi: Rama "fshin" Ilir Beqajn nga grupi negociator Shqipëri-BE

Shqipëria

Gati prangat? Ja vendimi: Rama "fshin" Ilir Beqajn nga grupi negociator Shqipëri-BE

Më: 29 dhjetor 2023 Në ora: 20:00
Ilir Beqaj

Ilir Beqaj është larguar nga grupi negociator i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, vetëm dy muaj pasi u bë pjesë e tij.

Vendimi është marrë në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave.  Në vend të Ilir Beqaj, në atë funksion Qeveria ka emëruar Jona Sulin.

Po ashtu, si pjesë e grupit negociator për negociatat e aderimit të Shqipërisë në BE janë zëvendësuar dhe Albana Koçiu dhe Ervin Mete, për shkak se morën poste ministrash me ndryshimet e fundit në Qeveri. Ata janë zëvendësuar me Enkela Dudushin dhe Mimoza Kaçin.

Nuk dihet ende nëse Rama e largoi Ilir Beqajn nga ky post, pasi do e emërojë tjetër kund, po e bën gati për në burg, apo po i jep “leje” të arratiset jashtë shtetit si ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj.

SPAK ka thelluar ditët e fundit hetimet për ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj, duke kryer kontrolle në banesën e tij, si dhe të aksionerëve të disa farmacive të njohura në vend, ku dyshohet se ai është përfitues indirekt.

Nga kontrollet e djeshme, SPAK ka sekuestruar telefonat e aksionerëve të kompanive farmaceutike, kompjutera si dhe dokumente me vlerë, që mund të çojnë në zbulimin e lidhjes së Ilir Beqajt me ta.

Akuzat ndaj Beqajt

Ilir Beqaj po hetohet nën masën e sigurisë detyrim paraqitje edhe në procedimin penal për koncesionin e sterilizimit.

Ai akuzohet nga SPAK për shpërdorim detyre, ndërkohë në vendimin për masën e sigurisë ndaj ministrit, GJKKO ka shprehur bindjen se Beqaj duhet të vihet nën akuzë edhe për veprën penale të falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve.

Sipas gjykatës, Beqaj është personi kyç në kryerjen e procedurave në koncesionin e sterilizimit të seteve kirurgjikale, vlera e të cilit është fryrë artificialisht me mbi 60 milion euro – para që ende nuk janë përcaktuar nga hetimet se ku kanë shkuar.

Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kërkoi ndërprerjen e koncesionit të sterilizimit para afatit, për shkak të problematikave dhe shkeljeve të evidentuara, megjithatë koncesioni është mbrojtur nga kryeministri Edi Rama dhe ministri Beqaj, i cili pretendon pafajësi.

Lidhur me çështjen, janë arrestuar biznesmeni Ilir Rrapaj – aksioneri kryesor në “SaniService”, kompania që ka lidhur kontratën koncesionare me MSH dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj. Masa më të buta janë dhënë për gjashtë anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit.

Rasti “Beqaj” përmendet shpesh nga opozita, që denoncon se deri më tani, SPAK po aplikon një formë amnistie ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat