Hetimet ndaj ish-ministrit Beqaj, zbulohen emrat: Ja në banesat e kujt ka kryer kontrolle Byroja Kombëtare e Hetimit

Shqipëria

Hetimet ndaj ish-ministrit Beqaj, zbulohen emrat: Ja në banesat e kujt ka kryer kontrolle Byroja Kombëtare e Hetimit

Më: 29 dhjetor 2023 Në ora: 21:23
Foto ilustrim

Në lidhje me hetimet ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, kontrollet nga Byroja Kombëtare e Hetimit nuk janë kryer vetëm në banesën e këtij të fundit, por edhe të personave të tjerë.

Gazetarja Klodiana Lala raporton se këta persona janë Ermal Kurtulaj, Sabian Kurtulaj, Gazmend Prenga dhe Arben Dani.

Dyshohet se këta persona kanë lidhje me ish ministrin, ndërsa mësohet se  Ermal Kurtulaj ka qenë edhe koordinator i projektit EUSAIR që menaxhohej nga Agjencia SASPAK. Po ashtu raportohet se Beqaj ka përdorur automjetin që ka qenë në pronësi të Kurtulajt.

Vetë Beqaj e pranoi sot se ka pasur kontrolle në banesën e tij, ku tha se agjentët e BKH i treguan një vendim gjykate për hetimin ndaj një personi tjetër.

“Së pari ministri nuk bën tendera. Në kohën kur kam qenë ministër, nuk kam pasur asnjë interes financiar me asnjë sipërmarrje farmaceutike në Shqipëri apo me pronarët e tyre. Unë prej vitesh përballem me këto çështje. U bë një kontroll në banesën time, nuk ishte nevoja të thërrisja avokatin sepse ato çfarë ka një familje normale si sende gjenden aty. Ata që erdhën dhe bënë kontrollin më treguan një vendim gjykate për hetimin ndaj një personi tjetër”, tha Beqaj.

Kujtojmë se prej ditës së djeshme (28 dhjetor 2023), me urdhër të SPAK, Byroja Kombëtare e Hetimit ka ushtruar kontrolle edhe në “Delta Pharma” dhe farmaci të tjera kryesisht në Tiranë.

Kontrollet kanë ardhur pasi ndaj Beqajt po zhvillohet një hetim i ri për për lidhjet që ish-ministri ka pasur ose ka me këto kompani, dhe mënyrën sesi janë lidhur kontrata kur ky i fundit ka qenë në krye të Ministrisë së Shëndetësisë.

Po ashtu mësohet se gjatë periudhës kur mori këtë detyrë, Beqaj ka miratuar një ligj që favorizonte kompanitë farmaceutike.

Hetimet për këto kompani kanë nisur pas indicieve që SPAK ka marrë lidhur me shkeljet e pretenduara, kur ky institucion drejtohej nga Beqaj. Theksohet se ky është një hetim i ri, i cili nuk lidhet me hetimet e mëparshme për Ilir Beqajn.

Nga kontrollet e ushtruara në “Delta Pharma” dhe farmaci të tjera, janë sekuestruar dokumente që i shërbejnë hetimit, e po ashtu kompjuterë, bilancet, furnizime dhe telefona.

Ndërkohë, rezulton se gruaja e Beqajt, Adriana Beqaj, ka qenë aksionere në një kompani që lidhet me ‘Delta Pharma’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat