Balluku: Gëzuar 2024 nga kantieret që gëlojnë kudo nëpër Shqipëri

Shqipëria

Balluku: Gëzuar 2024 nga kantieret që gëlojnë kudo nëpër Shqipëri

Më: 31 dhjetor 2023 Në ora: 22:14
Zv.kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku

Zv.kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku uroi sot qytetarët për Vitin e Ri 2024.

“Gëzuar 2024! Qoftë një vit i mbarë për çdo familje shqiptare. Shëndet, lumturi dhe sukses në të gjitha sfidat që vijnë. Mirësia dhe begatia të ulen këmbëkryq në vatrat tuaja!”, u shpreh Balluku.

“Vitet kalojnë dhe na vendosin përpara sprovash dhe sfidash, të cilat duan vetpërmbajtje, vullnet dhe forcë padyshim. Lum ata që punojnë dhe lënë emër të mirë në këtë botë. Lum ata që punojnë për vendin. Lum ata që punojnë ditë e natë për të ndryshuar Shqipërinë”, theksoi Balluku.

Gëzuar 2024 nga kantieret që gëlojnë kudo nëpër Shqipëri. Nga zemra e zhvillimit të ekonomisë shqiptare, nga infrastruktura. Nga urat, rrugët, aeroportet dhe portet që ndërtojmë çdo ditë, të gjithë sëbashku, nga djemtë dhe vajzat që kontribuojnë për zhvillimin e vendit tonë”, tha më tej Balluku përmes një videomesazhi.

“Viti 2023 ka qenë një vit sfidues, një vit i rëndësishëm edhe për OST. Ndodhem këtu sot në një nga kantieret më të rëndësishme. Sapo kemi hapur kantierin sa i përket linjës së transmetimit midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Një pjesë e korridorit të 8-të energjetik. Por viti 2024 do të ketë akoma më sfida të rëndësishme përpara nesh. Do të na duhet të punojmë intensivisht me palën italiane për ndërtimin e linjës nënujore të transmetimit atë që lidh Shqipërinë me Italinë.

Atë linjë që do t’i japë mundësinë Shqipërisë që të bëhet e rëndësishme, jo vetëm për rajonin e Ballkanit, por edhe për të gjithë Evropën.

Shqipërisë që prodhon 100% energji të rinovueshme. Shqipërisë që planifikon që në vitin 2030 të jetë një eksportues neto. Shqipërisë që e konsideron energjinë si një pikë të fortë të sigurisë dhe sovranitetit”, tha Balluku ndër të tjera.

Balluku foli edhe për reformën në sistemin e ujësjellës-kanalizimeve.

“Viti 2023 ka shënuar materializimin e një reforme të thellë në sistemin e ujësjellës-kanalizimeve, krijimin e 16 ndërmarrjeve të agreguara me mazhorancë të shtetit shqiptar, nga 61 ndërmarrje të varësi të bashkive.

E gjitha kjo ka tregues, ka rezultate të mirëfillta që tregojnë performancën e përmirësuar financiare, por edhe teknike të këtyre ndërmarrjeve. Sot, qeveria shqiptare vazhdon me investimet e saj  në të gjithë territorin shqiptar.

Me investime për ujësjellës dhe kanalizime, kudo nga jugu në veri, nga lindja në perëndim. Ashtu do të vazhdojmë edhe në vitin 2024”, u shpreh më tej Balluku.

Zv/kryeministrja u shpreh më tej se, janë rritur pagat për punonjësit e OSHEE.

“Gjatë viti 2023, ndërmorëm reforma të rëndësishme, duke nisur nga vlerësimi që i takon të gjithë punonjësve të OSHEE-së për punë dhe kontributin e tyre. Kemi rritur pagat për t’i çuar në një nivel të kënaqshëm për ta”.

Balluku shtoi se, “nga ana tjetër kemi hapur dyert e kësaj kompanie, që është një shkollë më vete, për të gjithë djemtë dhe vajzat, të cilët kanë mbaruar arsimin profesional”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat