Nga amnistia fiskale, te ‘Zgjedhorja’, Gjylameti thirrje opozitës: Ende asnjë zgjidhje! Emigrantëve duhet t’u japim mundësi

Shqipëria

Nga amnistia fiskale, te ‘Zgjedhorja’, Gjylameti thirrje opozitës: Ende asnjë zgjidhje! Emigrantëve duhet t’u japim mundësi

Më: 6 janar 2024 Në ora: 18:05
Blerina Gjylameti,

Deputetja e Partisë Socialiste, njëherësh edhe nënkryetare e Komisionit të Ekonomisë, Blerina Gjylameti, këtë të shtunë e ftuar në emisionin “Kjo Javë” me Nisida Tufën, foli për një sërë çështjesh.

Gjylameti u ndal si fillim te prioritetet që PS ka për vitin 2024, duke thënë se fokusi është tek zgjerimi i partisë dhe afrimi i sa më shumë të rinjve dhe të rejave.

“2023 ka qenë një vit shumë i rëndësishëm, si nga prioritetet për përfshirjen e të rinjve në strukturat e PS, për të pasur atë që ne duam, një përfaqësim në të gjitha nivelet. Mbyllëm një vit të suksesshëm. Turizmi ka qenë në pikat tona të para për t’i dhënë fuqi. Pamë një bum të turizmit që tregon se vijon.

Por edhe sektorë të tjerë, si shëndetësia apo pjesa e mbrojtjes sociale. Këtë kemi në thelb edhe për 2024, të hapet për të rinj dhe të reja për të qenë pjesë e PS”, u shpreh ajo.

Gjatë intervistës, ajo u ndal edhe te Reforma Zgjedhore, për të cilën tha se duhet që palët të mund të diskutojnë dhe të arrijnë një zgjidhje për zgjedhjet e ardhshme.

“Besoj së është kthyer në një sagë Komisioni i Reformës Zgjedhore. Disa herë kemi qenë pjesë për të bërë ndryshime, përfundojë mandati, e shtymë për 6 muaj të tjerë… shpresoj të kemi një komunikim normal me bashkëhartuesit për të diskutuar për problematikat e ngritura nga OSBE/ODIHR. Duhet të ulemi patjetër dhe të adresojmë për zgjedhjet e ardhshme. Po ashtu ka elementë që lidhen me votën e diasporës, financimin e partive, etj. Prioritet është ligji për partitë politike dhe adresimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, dhe zgjidhjen për metodën e votimit”, tha ajo.

Por çfarë ndodh nga ana tjetër me ligjet për bastet sportive dhe amnistinë fiskale?

“Për bastet jemi në një proces drejt fundit, kemi pasur shumë takime me grupe të ndryshme interesi për të adresuar të gjitha ato problematika që shikohen. Kemi marrë ekspertizë nga të huaj për të pasur një ligj.

Amnistia ka qenë një nga ligjet më të diskutuara dhe debatuara… nuk besoj se është tërësisht e mbyllur, vijon të jetë një nga ligjet që duam ta diskutojmë. Është mundësi e mirë për ata që ndër vite kanë qenë jashtë. Nuk është e shpikur nga Shqipëria kjo amnisti. Ne besojmë se duhet dhënë mundësi që ky fluks parash të kalojë në kanale zyrtare. Besoj do ta kemi sërish në tryezë”, u shpreh deputetja Gjylameti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat