Juglindja mbulohet nga dëbora/ Preken disa akse rrugore pranë Maliqit, ja si paraqitet situata

Shqipëria

Juglindja mbulohet nga dëbora/ Preken disa akse rrugore pranë Maliqit, ja si paraqitet situata

Më: 7 janar 2024 Në ora: 19:35
Foto ilustrim

Ulja e temeraturave në vendin tonë ka sjellë edhe reshjet e para të dëborës pas shumë javësh mot të qëndrueshëm.

Zona malore e bashkisë së Maliqit është përfshirë ditën e sotme nga reshje të dendura dëbore, të cilat kanë prekur edhe akset rrugore pranë kësaj zone.

Në rrugën lidhëse Lozhan-Moglicë situata raportohet se është nën kontroll dhe se borëpastrueset ndodhen në terren për pastrim dhe kriposje.

Ndërkohë autoritetet i bëjnë thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve të përdorin goma dimërore dhe zinxhirët.

Kujtojmë se prej orëve të para të mëngjesit të sotëm zona e juglindjes u përfshi nga reshjet e dëborës në lartësinë mbi 700 metra. Reshje intensive të dëborës u regjistruan në majën e Mashkullorës ku trashësia e dëborës shkoi deri në 50 centimetra.

Që prej orëve të para të mëngjesit ekipi i Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike ndodhet në terren për pastrimin e borës në aksin rrugor Shtyllë – Mashkullorë – Panarit.

Ndërhyrje ka pasur edhe në segmente të tjera siç është rruga Boboshticë-Dardhë në të cilat është punuar për pastrim dhe kriposje. Kontraktorët ndodhen në gatishmëri në të gjitha segmentet rrugore dhe akset nacionale.

Aktualisht nuk raportohen problematika me qarkullimin ndërsa sa i përket energjisë elektrike gjatë ditës së sotme ka pasur mungesë të energjisë elektrike në fshatra të thellë malor për shkak të amortizimit të rrjetit.

Sakaq, dëbora në qarkun e Korçës ka ulur ndjeshëm edhe temperaturat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat