Beqaj në SPAK! Prej orësh, po u jep sqarime dhe përgjigje prokurorëve për çështjen e sterilizimit

Shqipëria

Beqaj në SPAK! Prej orësh, po u jep sqarime dhe përgjigje prokurorëve për çështjen e sterilizimit

Më: 9 janar 2024 Në ora: 16:15
Ilir Beqaj

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, po u përgjigjet pyetjeve të agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe pyetjeve të prokurorit të dosjes së sterilizimit, Edvin Kondili.

Ish-ministri u paraqit në SPAK që në mëngjes, rreth orës 09:00, i shoqëruar nga avokati i tij mbrojtës.

Gazetarja Anila Hoxha raporton se aktualisht, ai po pyetet në cilësinë e personit ndaj të cilit po kryhen hetime për dyshimet e shpërdorimit të detyrës, ndryshe nga herët e tjera kur sërish është pyetur së pari në cilësinë e një personi në dijeni dhe më tej si një person ndaj të cilit po kryhen hetime.

Situata e ish-ministrit të Shëndetësisë, u rëndua gjatë muajit nëntor 2023, pak muaj pasi SPAK mori aprovimin e gjykatës për caktimin e masave të sigurimit personal, arrest me burg për biznesmenin Ilir Rrapaj.

Beqaj vazhdimisht ka deklaruar se vetëm ka kryer detyrën, ndonëse nga ana tjetër SPAK disponon dokumente, nga të cilat dyshon se Beqaj me veprimet dhe mosveprimet e tij, ka shpërdoruar detyrën.

Nga ana tjetër, Gjykata e Posaçme ka mbajtur një qëndrim më të ashpër ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, duke kërkuar që ndaj tij të kryhet edhe hetim pasuror, madje ka lëshuar indicie se provat e dhëna nga SPAK çojnë në dyshimet se ish-ministri i Shëndetësisë mund të ketë falsifikuar dokumentet dhe ekziston mundësia që të ketë kryer edhe korrupsion.

Megjithatë, aktualisht ndaj Beqaj është në fuqi masa “detyrim paraqitje”. Çdo të premte, ai duhet të paraqitet në 15:30 para oficerit të BKH-së.

Por, paraqitja e kësaj të marte, është ndryshe nga të gjitha herët e tjera, pasi ai po jep sqarimet e tij dhe njëherazi po u jep përgjigje prokurorëve për çështjen e sterilizimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat