“Të ardhurat nga turizmi kaluan shifrën e 3 miliardë eurove”- Rama bën bilancin: 2023-shi, ishte viti më i mirë për ekonominë!

Shqipëria

“Të ardhurat nga turizmi kaluan shifrën e 3 miliardë eurove”- Rama bën bilancin: 2023-shi, ishte viti më i mirë për ekonominë!

Më: 12 janar 2024 Në ora: 12:16
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka bërë një bilanc të vitit që lamë pas duke u shprehur se 2023-shi ishte viti më i miri për ekonominë shqiptare, me të ardhurat nga turizmi që kaluan shifrën e 3 miliardë eurove.

Kreu i qeverisë u shpreh gjatë mbledhjes së Këshillit Ekonomik Kombëtar, se vitin e shkuar u arrit shifra më e lartë e investimeve të huaja.

“Ishte një vit i jashtëzakonshëm në mënyrë të veçantë për turizmin në Shqipëri, duke bërë që të ardhurat nga turizmi të kalojnë shifrën e 3 miliardë eurove, duke bërë që numri i turistëve të jetë më shumë se trefishi i popullsisë rezidente në Shqipëri dhe nga ana tjetër, duke bërë që gjithë kjo situatë pozitive e ekonomisë të reflektohet edhe në një rënie të mëtejshme të papunësisë, në 10.5%”, tha kryeministri Rama.

Fjala e Ramës:

Kemi dhe arsye të qenësishme për t’u ndjerë optimistë për të nesërmen, por kemi edhe arsye të qenësishme për të reflektuar mbi gjërat që duhen bërë më mirë ose që mbeten për t’u bërë, në mënyrë që edhe viti në të cilin jemi dhe viti i ardhshëm të vazhdojnë të na japin progresin e vitit të shkuar dhe të vitit përpara tij.

Faktikisht është diçka që e thonë të gjithë, që viti që sapo mbyllëm ishte një vit i mirë për ekonominë shqiptare dhe ishte një vit i jashtëzakonshëm në mënyrë të veçantë për turizmin në Shqipëri, duke bërë që të ardhurat nga turizmi të kalojnë shifrën e 3 miliardë eurove, duke bërë që numri i turistëve të jetë më shumë se trefishi i popullsisë rezidente në Shqipëri dhe nga ana tjetër, duke bërë që gjithë kjo situatë pozitive e ekonomisë të reflektohet edhe në një rënie të mëtejshme të papunësisë, në 10.5%.

Në anën tjetër, viti i shkuar ishte viti me shifrën më të lartë të investimeve të huaja direkte dhe po ashtu edhe një vit që na dha progres të mëtejshëm edhe në hapjen e ekonomisë sonë në rajon, por jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë, me më shumë aktorë, më shumë aktivitet edhe jashtë kufijve të vendit me një bilanc tregtar të përmirësuar më tutje, me eksporte të rritura dhe me një interes shumë të rritur të investitorëve të huaj, sidomos në fushën e energjisë dhe turizmit për të investuar në Shqipëri.

Nuk dua të zgjatem më tutje me panoramën aktuale të ekonomisë sepse ne, këtë Këshill e konsiderojmë një instrument për të adresuar bashkërisht problemet, për të diskutuar bashkërisht për mënyrën se si duhet t’i qasemi sfidave dhe për të ndërvepruar me sektorin privat dhe me institucione të tjera të pavarura, në mënyrë që procesi i rritjes të jetë një proces që të shfrytëzojë sa më shumë nga potenciali i Shqipërisë edhe nga mundësitë ende të pashfrytëzuara që ne kemi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat