Këshilli Ekonomik Kombëtar themelon Shtëpinë e Biznesit në Shqipëri

Shqipëria

Këshilli Ekonomik Kombëtar themelon Shtëpinë e Biznesit në Shqipëri

Më: 12 janar 2024 Në ora: 15:12
Foto nga vendi i ngjarjes

Këshillit Ekonomik Kombëtar në Shqipëri në mbledhjen e parë të këtij viti njoftoi se është ngritur Shtëpia e Biznesit, një strukturë e posaçme, që do të shërbejë ndër të tjera edhe si pikë takimi e sekretariateve teknike që do të krijohen në vijim.

“Shtëpia e Biznesit, e cila ndodhet në krah të Kryeministrisë, në një nga kubat e piramidës do të shërbejë si një shtëpi, ku ne, jo vetëm do të mirëpresim bizneset për adresimin e problematikave të tyre, por do të shërbejë edhe si vend për takime të përjavshme të sekretariateve teknike që do të ngrihen në vijim të Këshillit Ekonomik Kombëtar.

Ky besoj është vetëm fillimi i një strategjie të ndërveprimit dhe të komunikimit dhe harmonizimit të iniciativave ligjore dhe nënligjore që qeveria do të marrë në vijim me qëllim marrjen e dijes që gjendet në të gjitha bizneset që ju drejtoni dhe në të gjitha shoqatat që ju drejtoni.

Ne do të mund të krijojmë një platformë model të partneritetit publik, privat me qëllim mirëqeverisjen dhe marrjen e vendimeve të duhura për nxitjen e zhvillimit ekonomik”, deklaroi ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit Delina Ibrahimaj.

Këshillit Ekonomik Kombëtar ka për qëllim institucionalizimin e dialogut mes qeverisë dhe sipërmarrjes, në funksion të përmirësimit të klimës së biznesit duke hedhur bazat e një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm dhe në përgjigje të kërkesave të një tregu dinamik.

KEK do të garantojë bashkëpunimin institucional dhe partneritetin publik-privat për zhvillimin e politikave ekonomike, për garantimin e dialogut dhe këshillimin ndërmjet organeve të administratës shtetërore dhe sektorit privat, për rritjen e transparencës në vendimmarrjen politike të qeverisjes dhe përfaqësimin e sektorit privat në këtë proces.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat