Ping pongu i reformës zgjedhore/ Komisioni nuk mblidhet, dy bashkëkryetarët “presin” njëri-tjetrin

Shqipëria

Ping pongu i reformës zgjedhore/ Komisioni nuk mblidhet, dy bashkëkryetarët “presin” njëri-tjetrin

Më: 13 janar 2024 Në ora: 16:38
Foto nga vendi i ngjarjes

Ditën kur Edi Rama i sfidoi të gjithë nga Shëngjini se do ta bënte reformën zgjedhore duke shmangur komisionin dypalësh, e gjithë vëmendja politike u kthye te kjo çështje.

PS akuzon opozitën për bllokim, ndërsa e njëjta akuzë i kthehet pas nga të gjitha pjesët e opozitës.

Por pse nuk po funksionon Komisioni i Reformës Zgjedhore?

Ai u ngrit që në vitin 2021 por nuk ia doli të prodhojë ndonjë rezultat. Afati ju zgjat në shtator me 6 muaj të tjerë, por asnjë mbledhje nuk u thirr gjatë kësaj periudhe.

ABC News pyeti Kryetaren e Kuvendit, se pse ky komision nuk mblidhej, por znj. Nikolla na tha se përgjigjen duhet ta kërkonim tek Damian Gjiknuri dhe Enkelejd Alibeaj.

“Reforma zgjedhore është një prioritet. Këtë thirrje do t’u bëj grupeve parlamentare edhe në fjalën time në fillim të këtij sesioni. Por për këtë nuk mjafton vullneti, por angazhimi konkret i Komisionit të Reformës. Prandaj do ju sugjeroja që këtë pyetje tua drejtoni bashkëkryetarëve të Komisionit”

Edhe pse një pjesë e opozitës e konteston, bashkëkryetar i komisionit të reformës zgjedhore është Enkelejd Alibeaj. Ai pranon për ABC News se deri më tani nuk e ka kërkuar asnjëherë mbledhjen e këtij komisioni, dhe është mjaftuar vetëm me depozitimin e disa propozimeve ligjore.

“Ju e kuptoni besoj se depozitimi është akt juridik shumë më domethënës se sa kërkesa formale  për mbledhje komisioni. Unë jam gati e jam në pritje! Gjithashtu ju bëj me dije se PD është e hapur që edhe palët e tjera (në ushtrim të të drejtave të tyre si anëtarë komisioni) të sjellin propozimet e tyre për të pasuruar draftligjin tonë.”

Në emër të mazhorancës, edhe Damian Gjiknuri i tha ABC News se pret një telefonatë nga Alibeaj për ta mbledhur komisionin.

“Patjetër që do të mblidhet. Kur ta kërkojë dhe bashkëkryetari i opozitës. Besoj shpejt.”

Me dyshimin se mos dy kolegët nuk ja kanë numrin e telefonit njëri-tjetrit, ABC News e kontaktoi prapë Alibeajn për ta vënë në dijeni se Gjiknuri po e priste dhe e pyeti drejtpërdrejt: A po kërkon një mbledhje komisioni?

“Jam gati për çdo gjë”

Deri tani, kur kanë kaluar mjaft orë nga këto përgjigje, kemi kuptuar se të dyja palët, edhe pse zotohen se janë gati për çdo gjë, nuk bëjnë asgjë. Asnjëri nuk hedh gurin e parë. Ata që ankohen më shumë, struken më shumë.

Do të mjaftonte që një nga dybashkëkryetarët të ulej në tavolinë e të priste, për t’i çjerrë maskën e hipokrizisë tjetrit. Por maska bën punë, të paktën edhe për ca, deri sa faktori kohë t’ia grisë më të dobtit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat