BIRN: KLGJ rrëzon propozimin që devijonte promovimin në Gjykatat Administrative

Shqipëria

BIRN: KLGJ rrëzon propozimin që devijonte promovimin në Gjykatat Administrative

Më: 19 janar 2024 Në ora: 19:31
Foto ilustrim

Në mbledhjen e 18 janarit, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi ndër të tjera mbi transferimin e gjashtë gjyqtarëve për shkak të suprimimit të vendeve të punës pas hyrjes në fuqi të hartës së re gjyqësore.

“Këshilli vendosi për fillimin e procedurës së transferimit për shkak të suprimimit të pozicionit në gjykatën ku është caktuar në mënyrë të përhershme, për gjyqtarët znj. {…}, znj. {…}, znj. {…}, znj. {…}, znj. {…}, z. {…}”, thuhet në njoftimin për shtyp të Këshillit, që i trajton emrat e gjyqtarëve të transferuar si një sekret, në cënim të detyrimeve për transparencë dhe informim të publikut.

Këtyre gjyqtarëve iu dha e drejta për t’u transferuar në gjykatat e Tiranës dhe Durrësit, të cilat kanë edhe numrin më të madh të vendeve vakante. Por para se të mbërrihej në këtë vendim, relatori Alban Toro propozoi që njëra nga gjyqtaret që vinte nga Gjykata e Fierit dhe që punonte si ndihmëse pranë KLGJ, të transferohej në Gjykatën Administrative në Tiranë.

Ky propozim solli reagimin e menjëhershëm të një grupi të gjyqtarëve të Gjykatës Administrative të Lushnjes. Në një letër të hapur, që u përmend gjatë mbledhjes së KLGJ, grupi i gjyqtarëve shpreh shqetësimin se nëse miratohej ky propozim, ai i cënonte ata në mënyrë të drejtpërdrejtë.

“Për këtë shkak, ne si gjyqtarë të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Lushnjë e shohim me shqetësim cilëndo përpjekje prej kolegëve të cilët ushtrojnë detyrën e tyre në gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm apo anëtarëve të veçantë të Këshillit, të cilët kërkojnë apo propozojnë që magjistratë të lëndës civile apo penale të kalojnë në lëndën administrative duke tentuar të përdorin eksperiencën administrative, e cila mund të jetë e çfarëdo funksioni vetëm jo gjyqësore, që të kalojnë si gjyqtarë në lëndën administrative,” thuhet në letrën e hapur që BIRN e disponon.

Në mbledhjen e KLGJ u propozua që njëra nga gjyqtaret, që ishte aktualisht ndihmëse në KLGJ, kalohej në Gjykatën Administrative në Tiranë dhe përvoja në KLGJ konsiderohej si përvojë administrative. Ndryshe nga ajo, dy gjyqytare të tjera që po ashtu janë ndihmëse në KLGJ u referuan për vende në gjykata të juridiksionit të përgjithshëm.

Por pas relatimit, kryetarja e Këshillit Naureda Llagami kundërshtoi propozimin e Toros. Llagami tha se gjyqtares në fjalë duhej t’i jepej i njëjti trajtim ashtu edhe si ai i “dy vajzave të tjera (që punonin në KLGJ)” dhe të caktohej për transferim në një nga Gjykatat e Jurisiksionit të Përgjithshëm.

Propozimi i Llagamit u miratua me 6 vota pro dhe katër kundër. Një nga anëtaret u tërhoq, pasi tha se ishte në konflikt interesi për shkak të lidhjes me një nga gjyqtarët administrativ që kishin dërguar letrën e hapur./BIRN

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat