Pasojat e lëvizjeve demografike/ Gjirokastër, 1 mijë persona të paregjistruar, pa shërbime prej 2 dekadash

Shqipëria

Pasojat e lëvizjeve demografike/ Gjirokastër, 1 mijë persona të paregjistruar, pa shërbime prej 2 dekadash

Më: 21 janar 2024 Në ora: 13:52
Foto nga vendi i ngjarjes

Lëvizjet demografike brenda vendit shpesh në kërkim të punës apo një jete më të mirë vijojnë  të shoqërohen me një nivel të lartë informaliteti, probleme në dokumentacion për të shpërgulurit, mospërfitim të shërbimeve sociale, ndihmës ekonomike në rastin e familjeve me të ardhura të pakta si dhe me integrim të ulët.

Në Gjirokastër jetojnë më shumë se 1000 persona që rezultojnë të regjistruar në njësi të tjera administrative. Ata mbeten pjesë e tregut informal të punës dhe një kategori sociale me nevoja të shumta por të padukshme për institucionet. Liljana Shabani është nënë e tre fëmijëve të mitur. Ajo jeton në Gjirokastër prej më shumë prej 15 vjetësh ndërsa gjendjen civile e ka në Cërrik të Elbasanit. Pas braktisjes nga i shoqi ajo detyrohet të udhëtojë shpesh drejt Cërrikut për të rinovuar dokumente bazike.

” Për çdo dokument unë duhet të marr rrugën nga Gjirokastra për në Cërrik ngaqë është gjendja civile tek ish bashkëshorti. Këtu në Gjirokastër kam shumë bllokime ndaj dokumenteve. Kam, s’kam më duhet të marr rrugën”, tha Liljana Shabani.

Fredi,Teuta dhe fëmijët e tyre jetojnë në Gjirokastër prej 22 vitesh. Edhe për shkak të mungesës së informacionit ata dhe situata e tyre sociale është tërësisht e padukshme për autoritetet. Të dy punojnë në informalitet duke grumbulluar hekurishte që më pas i shesin për të jetuar. Asnjëri prej tyre nuk figuron në sistemin e sigurimeve shoqërore apo shëndetësore.

“Ne e kemi pashaportizimin në Korçë dhe tani që të vesh e të vish të paktën i do 200 mijë lekë shpenzime, janë kosto, aq e kemi fuqinë. Edhe sikur ta kem pashaportizimin këtu unë nuk përfitoj asgjë sepse kam një copë makinë e po ke makinë nuk përfiton ndihmë ekonomike. Për të ardhmen mos më pyet fare. Unë jam 44 vjeç, ç’të ardhme. Unë nuk jam i sigurt për të ardhmen e fëmijëve të mi. Kam 22 vjet që them do iki sot e do iki nesër por nuk është e lehtë se kemi ndërtuar edhe një punë e po të ikim na duket sikur do vdesim fare.”

“Jetojmë me hekura me plehra. Më falin njerëzit, ja vete atje vetë këtu. Tani më njohin thonë hajde se kemi një sobë a një lavatriçe, frigorifer por është shumë e vështirë. Po bëjmë një muaj që kemi kaluar Vitin e Ri. Me se do vish vërdallë, do 20 mijë lekë. Na japin nga një pako ndihmë se ju vjen keq sepse se kanë për detyrë “, thanw Fredi dhe Teuta.

Situata është edhe më serioze për personat e pasiguruar në prag pensioni apo të paaftë për të punuar. Emigrantët e punës së krahut brenda vendit në të gjithë rajonin u angazhuan në fund të viteve ’90 me punët në ndërtim, në bujqësi apo blegtori.

Rënia e volumit të këtyre aktiviteteve gjatë dekadës së fundit ka bërë që këto familje të kërkojnë mënyra të tjera jetese. Shumë prej tyre janë në lëvizje të vazhdueshme dhe të tjerë kanë emigruar ilegalisht në Greqi.

Në statistikat e organizatave humanitare, programeve ndërkombëtare për edukimin dhe përfshirjen sociale kjo kategori e popullsisë rezulton të ketë probleme serioze me aksesin në edukim, shërbime shëndetsore, akomodim, drejtësi dhe shërbime sociale. Më shumë se 50% e të shpërngulurve i përkasin komunitetit rom dhe egjiptian dhe pjesa tjetër familjeve rurale të zonave të Elbasanit, Lushnjes apo Dibrës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat