Ndryshimet klimatike dhe cënimi zonave të mbrojtura ulin numrin e shpendëve të ujit në Shqipëri

Shqipëria

Ndryshimet klimatike dhe cënimi zonave të mbrojtura ulin numrin e shpendëve të ujit në Shqipëri

Më: 21 janar 2024 Në ora: 22:58
Ilustrim

Ndryshimet globale klimatike dhe cënimi i zonave të mbrojtura në Shqipëri po ulin vitet e fundit numrin e shpendëve ujorë sidomos në ligatinat e vendit. 

Edhe këtë vit Shqipëria është përfshirë në censusin ndërkombëtar të shpendëve ujorë me angazhimin e Agjencive Kombëtarë të Zonave të Mbrojtura dhe organizatave mjedisore.

Procesi është zhvilluar kryesisht në ligatinat e vendit, thotë Erald Xeka i shoqatës ornitologjike të Shqipërisë (AOS).

“Ne numëruam në pothuajse 30 ligatina në gjithë Shqipërinë duke marrë gjithë pjesën e bregdetit që përkon me rrugën e shtegëtimit të shpendëve, por edhe liqenet si Prespa dhe Ohri , në brendësinë kontinentale. Përtej të dhënave shkencore që ne marrim për popullatata e shpendëve të ujit në Shqipëri ajo që është e rëndësishme në kryerjen e numërimit është edhe ndërgjegjësimi i njerëzve për ruajtjen e këtyre habitateve”, thotë ai.

Zoti Xeka thotë më tej se ndryshimet klimatike me ngrohjen globale po sjellin një ulje të numrit të shpendëve ujorë në këtë sezon.

“Vitet e fundit dimrat kanë qenë shumë të butë çka do të thotë që më pak shpendë kanë zbritur nga zonat veriore të Europës, ku është më ftohtë dhe kushtet bëhen më të papërshtatshme, drejt ligatinave të vendit tonë. Çdo vit kemi dimra më të butë që nuk i detyrojnë shpendët e ujit dimërues të zbresin në tufa të mëdha. Mbaj mend vitet 2010-2012 që kanë qenë vite spektakolare, shumë të ftohta dhe kemi pasur edhe prurje të patave, që ne kemi vite që nuk i vrojtojmë më”.

Edhe profesori i shkencave të natyrës, Spase Shumka që monitoron prej vitesh zonën në liqenet e Ohrit dhe të Prespës thotë se vihet re një trend ulje i numrit të shpendëve dimërues të ujit.

“Ne jemi duke monitoruar shpendët për rreth 27 vitesh në Liqenet e Ohrit dhe Prespës dhe kjo bëhet në të njëjtët kohë në të tre vendet, kemi një kordinim mes Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut. Mund të themi që kemi pasur luhatje në numrin e shpendëve, por trendi vjen dhe shkon drejt zvogëlimit të shpendëve dimërues. Kemi pasur raste që kemi nuëmruar përshembull në Prespë rreth 25 mijë – 30 mijë individë, vitin e kaluar kemi arritur në 10 mijë individë, ndërsa sivjet ky numër është më i vogël”, thotë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat