Kreditë e vogla konsumatore, normat e interesit pësuan përsëri rënie në 6-mujorin e dytë 2023

Shqipëria

Kreditë e vogla konsumatore, normat e interesit pësuan përsëri rënie në 6-mujorin e dytë 2023

Më: 24 janar 2024 Në ora: 09:07
Foto ilustrim

Normat mesatare të interesit për kreditë konsumatore në tregun financiar pësuan rënie të mëtejshme në gjysmën e dytë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, norma mesatare efektive e interesit për kreditë deri në 200 mijë lekë zbriti në 74.78%, nga 78.38% që kishte qenë në gjashtëmujorin e mëparshëm dhe 89.22%, që kishte qenë për gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar.

Ndërsa, për paradhëniet bankare (overdraftet) deri në 200 mijë lekë norma efektive mesatare shënoi rënie në 13.93%, nga 14.21% që ishte në gjashtëmujorin e parë, por u rrit nga niveli prej 13.62% që kishte qenë në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2022.

Edhe për kartat e kreditit me limit deri në 200 mijë lekë, interesi mesatar ra në 20.54%, nga 21.17% që ishte në gjashtëmujorin e parë të vitit, por në rritje të lehtë nga niveli prej 20.38% që kishte qenë në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2022.

Për kreditë me këste me vlerë nga 200 mijë deri në 600 mijë lekë, norma mesatare efektive e interesit u rrit në 30.45%, nga 24.57% që kishte qenë në gjashtëmujorin e parë të vitit.

Ndërkohë, për kreditë me sshumë nga 600 mijë deri në 2 milionë lekë norma mesatare e interesit u ul në 11.68%, nga 12.95% që kishte qenë në gjashtëmujorin e parë.

Normat e mësipërme të interesit janë llogaritur mbi të gjitha kreditë konsumatore të dhëna nga bankat dhe institucionet financiare jobanka, bazuara në të dhënat faktike që pasqyrohen në Regjistrin e Kredive që administrohet nga banka qendrore. Llogaritja e normës mesatare efektive të interesit shërben si bazë për të llogaritur më tej normën maksimale efektive të interesit për kreditë konsumatore (NEI maksimal)

Norma mesatare efektive e interesit nuk nënkupton vetëm normën nominale të interesit të kredië, por të gjitha kostot që i ngarkohen klientit për kredinë, duke përfshirë edhe komisionet apo tarifat e tjera.

Rënia e normës efektive mesatare të interesit pavarësisht një tendence në rritje të normave nominale në dy vitet e fundit mund të shpjegohet me një konkurrencë në rritje në tregun e kredisë konsumatore dhe sidomos për kreditë më të vogla.

Duke qenë se këtu marzhet janë relativisht të larta, institucionet e kredidhënies kanë pasur hapësira për të konkurruar me çmime, pavarësisht se kosto e sigurimit të fondeve ka filluar të rritet pas vitit 2022.

Aplikimi i një norme maksimale efektive të interesit nga Banka e Shqipërisë duket se ka shërbyer si faktor që i ka zhvendosur në ulje interesat mesatare të kredive. Që prej fillimit të vitit 2022, kur nisi aplikimi i normës tavan të interesit, ky tregues ka lëvizur vazhdimisht në rënie për kreditë e vogla me këste deri në 200 mijë lekë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat