“PD 100% në mbështetje të SPAK-ut”/ Basha: Rama nuk e do Reformën Zgjedhore, të tjerë bllokojnë procesin në Komision

Shqipëria

“PD 100% në mbështetje të SPAK-ut”/ Basha: Rama nuk e do Reformën Zgjedhore, të tjerë bllokojnë procesin në Komision

Më: 6 shkurt 2024 Në ora: 19:14
Lulzim Basha

Kreu i PD-së zyrtare, Lulzim Basha ka deklaruar se lufta për interesa personale brenda Partisë Demokratike, i ka kushtuar një ‘faturë të majme’ Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Sipas Bashës, Shqipëria nuk duhet të kthehet sërish në periudhën e diktaturës kur nuk kishte opozitë. I ndalur tek reforma në drejtësi, Basha theksoi se tani që drejtësia ka nisur të veprojë, duhet mbështetur SPAK-u dhe forca politike që ai drejton është e gatshme të ofrojë 100% mbështetje për Prokurorinë e Posaçme dhe drejtësinë.

“Lufta për interesa personale për dy vite brenda PD, ka ardhur me një faturë shumë të madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët. Një pjesë prej nesh e ka përjetuar atë kohë kur Shqipëria nuk kishte opozitë. Ne nuk mund dhe nuk duhet të kthehemi në atë kohë. Tani që hetimet e SPAK po rrëzojnë njeri pas tjetrit, i janë turur për ta sulmuar. Dhe kjo nuk është kohë për dilema, por për qëndrime të qarta: e mbështesim apo jo drejtësinë.

Përballë kemi një kastë politikanësh që për 33 vite nuk kanë pyetur për ligjin. Ndaj, këta politikanë duhet t’i pyesim: Duhet apo nuk duhet ta mbështesim SPAK-un? Tani që drejtësia ka nisur të veprojë, duhet apo nuk duhet ta mbështesim SPAK-un. E kuptojmë Edi Ramën që është bërë pishman për drejtësinë e re. A nuk është kjo koha që opozita t’i qëndrojë në krah për të vënë para ligjit pandëshkueshmërinë. Si mund të jesh kundër drejtësisë, kur je kindër korrupsionit? PD e ka zgjidh këtë dilemë, 100% në mbështetje të SPAK-ut dhe drejtësisë”- tha Basha.

Sa i përket propozimeve për ‘Zgjedhoren’, Basha theksoi se kryeministri Rama nuk e do Reformën Zgjedhore.

Ne e dimë se Edi Rama nuk e do Reformën Zgjedhore. Është treguar i sinqertë, e ka thënë, e dua kështu siç është. Dhe kështu siç është e mban po të dojë, shqiptarët nuk zgjedhin kandidatin që duan, barazi vote nuk do ketë, procesi është provuar në çdo raport që është problematik dhe e mban. Por kemi dikë tjetër që nuk e thotë, do apo nuk e do, por e bllokon procesin e Reformës Zgjedhore. Nuk është e njëjta gjë? Tjetri thotë nuk e dua, tjetri e bllokon reformën zgjedhore. Me paturpësinë më të madhe, drejton gishtin nga PD. Janë në një mendje me Edi Ramën, duke e bllokuar tash një muaj komisionin e reformës zgjedhore, që mos të vijnë të dëgjohen shoqëria civile, institucionet vendore, institucionet ndërkombëtare, që të pyeten duhet apo s’duhen listat e hapura, barazia e votës, votimi elektronik dhe votën e emigrantëve”- tha Basha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat