Ministria e Brendshme urdhër IKMT: Nuk do të lejohet asnjë ndërtim pa leje apo grumbullim mbetjesh në anë të rrugëve

Shqipëria

Ministria e Brendshme urdhër IKMT: Nuk do të lejohet asnjë ndërtim pa leje apo grumbullim mbetjesh në anë të rrugëve

Më: 16 shkurt 2024 Në ora: 17:50
Foto ilustrim

Me urdhër të Ministrisë së Brendshme, strukturat shtetërore të mbrojtjes së mjedisit do të kontrollojnë dhe ndalojnë ndërtim apo ndërhyrje pa leje, anës akseve kombëtare dhe pikave kufitare.

Në mbështetje të nenit 102, pika 4 të Kushtetutës, të ligjit nr. 9780, datë 16.7.2007 “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme”, të ndryshuar, të ligjit nr.10 431, datë 9.6.2011 Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar, të Aktit Normativ nr. 3, datë 07.09.2011 “Për heqjen e mjeteve motorike, të rimorkiove, si dhe të pjesëve të tyre të këmbimit, të dala jashtë përdorimit, që ndodhen pranë rrugëve kombëtare” dhe vendimit nr. 893, datë 4.11.2015 “Për organizimin dhe funksionimin e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit”, të ndryshuar,

URDHËROJ:

Marrjen e masave të menjëhershme për kontrollin, mbrojtjen e territorit nga ndërhyrjet dhe zhvillimet e kundërligjshme përgjatë autostradave, rrugëve interurbane kryesore si dhe në rrugët interurbane dytësore që ndodhen në zona ku zhvillohen veprimtari turistike.

Kontrolli dhe monitorimi i territorit dhe marrja e masave sipas përcaktimeve të pikës 1, të kryhet nga Inspektorati Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT).

Inspektorati i Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit të hartojë planet e punës për monitorimin e territorit, për mbrojtjen e territorit nga ndërhyrjet dhe zhvillimet e kundërligjshme veçanërisht duke pasur në konsideratë ndalimin e krijimit dhe mbylljen e vendgrumbullimeve dhe grumbullimin e mjeteve motorike, rimorkiove, si dhe të pjesëve të tyre të këmbimit, të dala jashtë përdorimit, si dhe mbrojtjen e përbërësve të mjedisit, sipas legjislacionit në fuqi, si dhe çdo lloj ndërhyrje tjetër ose zhvillim të kundërligjshëm.

Inspektorati i Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit organizon punën për mbledhjen e informacionit në lidhje me paligjshmërinë, duke shfrytëzuar për këtë qëllim të gjitha burimet e informacionit:

të dhënat që vijnë nga komunikimet elektronike/telefonata;
denoncimet dhe ankesat e personave;
informacionet që vijnë nga personat juridikë.

Inspektorati i Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit kërkon informacione nga Bashkitë, Prefektët dhe subjektet e tjera të interesuara me qëllim përmbushjen e detyrave të përcaktuara në këtë urdhër.

Inspektorati i Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit organizon ngritjen e grupeve të përbashkëta të punës ndërmjet IMT-Vendore dhe drejtorive rajonale të IKMT-së, për monitorimin dhe inspektimin e vazhdueshëm të territorit.

Inspektorati i Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit për realizimin e çështjeve të parashikuara në këtë urdhër përgatisin planin e masave, në të cilin përfshihet, përshkrimi i vendit ku do kryhet mbështetja, vlerësimin e situatës dhe të riskut, si dhe planifikimin e forcave dhe të mjeteve që janë të nevojshme për të kryer mbështetjen.

Në rastet e konstatimit të paligjshmërisë, IKMT për veprimet proceduriale penale ndaj personit përgjegjës kërkon ndihmën e Policisë së Shtetit.

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit hartojnë raportin e përbashkët ose të veçantë javor, për strukturat eprore.

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit raporton çdo ditë të hëne pranë Ministrit të Brendshëm në kuadër të raportimeve periodike mujore.

Për zbatimin e këtij urdhri ngarkohen Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit.

Ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm të sigurojë zbatimin dhe kontrollin e zbatimit të këtij urdhri.

Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.

MINISTRI TAULANT BALLA”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat